Fundamenti

Maloku : Mbi 70 zyrtar në Anamoravë janë hetuar gjatë vitit 2012

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Jetish Maloku kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Gjilan që mbulon shtatë komunat e Anamoravës tha për rajonipress se gjatë vitit 2012 kjo prokurori themelore e qarkut dhe komunale ka pranuar në punë mbi 3 tre mijë lëndë të natyrave të ndryshme penale me mbi 4000 persona. Mbi 70 zyrtar komunal të komunave të Anamoravës janë hetuar gjatë vitit 2012 derisa mbi 95 % të lëndëve janë përfunduar me hetim, ngritje të akuzave në gjykatat përkatëse, apo edhe me pushim hetimesh dhe hedhje të kallëzimeve penale.

Prokuroria e Qarkut dhe ajo Komunale në Gjilan tani Prokuroria Themelore, për vitin 2012 ka bërë një punë shumë të suksesshme dhe me efikasitet të lartë. Kështu shprehet për rajonipress Jetish Maloku kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Gjilan që mbulon shtatë komunat e Anamoravës .”Vërtetë kjo prokurori edhe pse ka punuar me numër të prokurorëve shumë më të vogël se sa kanë qenë nevojat e këtij rrethi , ka bërë një punë shumë të madhe në hetimin dhe ndjekjen e kryesve të veprave të ndryshme penale në komunat e Anamoravës, përkatësisht akuzimin dhe dënimin e tyre në gjykatat përkatëse” tha ai.

Maloku tha se gjatë vitit 2012 kjo prokurori themelore e qarkut dhe komunale ka pranuar në punë mbi 3 tre mijë lëndë të natyrave të ndryshme penale me mbi 4000 persona. “Mbi 95 % të lëndëve janë përfunduar me hetim, ngritje të akuzave në gjykatat përkatëse, apo edhe me pushim hetimesh dhe hedhje të kallëzimeve penale. Tashmë mbi 70 zyrtar komunal janë hetuar për shpërdorim të detyrës zyrtare ose autorizimit në rajonin e Anamoravës” tha Maloku.

Sipas Malokut natyra e lëndëve ka qenë e të gjitha llojeve të veprave penale, por numri më i madh ka qenë i vjedhjeve të rënda, vjedhje, grabitje, kontrabandim me mallra, kontrabandim me emigrant, vjedhje pylli, vepra penale kundër jetës dhe shëndetit, por edhe vepra penale të natyrës së ndryshme , duke përfshirë edhe veprat penale , shpërdorim i detyrës zyrtare si dhe aksidente me fatalitet.

RCCOLA

Gjatë kësaj periudhe sidomos kjo prokurori i ka kushtuar shumë më shumë përparësi në punë këtyre veprave që përfshijnë keqpërdorimet nga ana e personave të veshur me pushtet sqaron Maloku.

“Nëse shikohen statistikat me vitet e kaluara, këtë vit shumë më shumë ka pasur përkushtim në drejtim të hetimit dhe zbulimit të kryesve zyrtar eventual të përfshirë në këto vepra penale. Në dy prokuroritë janë hetuar apo ende janë nën hetim një numër i caktuar i personave zyrtar, duke përfshirë të gjitha komunat e Anamoravës kundër të cilëve, ndaj disa personave zyrtar, veç janë ngritur akuza , janë shpallur fajtor nga gjykatat kompetente, apo janë në përfundim të hetimeve me mundësi ngritje të akuzave dhe dërgimit në gjykatë edhe për një numër të caktuar të personave të veshur me pushtet, e për të cilët argumentohet se kanë bërë shkelje ligjore. Nuk ka dyshim se ka edhe shumë raste kallëzime penale kur nuk janë argumentuar se zyrtarë të hetuar kanë bërë çfarëdo shpërdorimi të detyrës zyrtare, e që normalisht janë pushuar hetimet apo edhe janë hedhur si të tilla” sqaroj Maloku.

Ndryshe Maloku tha se kjo prokurori si Prokurori Themelore që mbulon 7 komunat e Anamoraves, tani funksionon me gjithsejtë 15 prokuror dhe me një staf mbështetës prej 42 punëtorësh që do jetë shumë më shumë efikase dhe efektive në luftë kundër të gjitha dukurive negative , kryesve të të gjitha ngjyrave të veprave penale, e cila me ndihmën e qytetarëve dhe të gjitha institucioneve relevante të kësaj ane, rezultatet do jenë evidente, duke ofruar siguri dhe rahati shumë më të madhe për të gjithë qytetarët e kësaj treve dhe pasurinë e tyre./rajonipress/