Maloku: Kemi hetuar 229 persona zyrtar e publik të të gjitha profileve
Gjilan – Prokuroria Themelore në Gjilan, sikur në këto (3) vitet e fundit, ashtu edhe në vitin 2016 ka arritur me sukses të kryej të gjitha detyrat ligjore e kushtetuese, dhe ka krijuar ambient të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët dhe të gjitha komunitetet e këtyre (7) komunave të Anamoravës. Ka goditur të gjitha grupet kriminale të të gjitha krimeve, pavarësisht kush ishin, çfarë kanë bërë, apo në çka kanë besuar: trafikant me qenie njerëzore, trafikant me narkotikë, me armë e me mallra, dëmtues të pasurisë publike e private, kryes të vjedhjeve e vjedhje të renda, grabitës, mashtrues e falsifikues. Nuk kishte pardon as për persona zyrtar lokal e qendror, gjyqtar, prokuror, gardian, doganier e zyrtar tatimor, zyrtar arsimor e policor thotë Jetish Maloku për rajonipress.
Kryeprokurori Maloku tha se kemi hetuar (229) persona zyrtar e publik, të të gjitha profileve dhe për të gjitha veprat penale të krimeve ekonomike dhe korrupsion, prej tyre për (175) persona kemi ngritur akuza, apo kemi vendosur në procedura tjera konform ligjit, për të gjitha këto kallëzime penale, kurse në hetim e sipër kemi edhe (25) raste të kësaj natyre, për të cilat së shpejti do bëjmë publike rezultatet përfundimtare të tyre.
Sipas tij gjatë vitit që lamë pas, kjo Prokuroria Themelore, me (3) departamentet e saja, ka shqyrtuar aty rreth 4085 kallëzime penale, me gjithsejtë afër 5000 persona, kryes të të gjitha natyrave të veprave penale, me ç`rast i ka kryer 97 % të tyre, duke i dërguar ato para gjykatës, si të akuzuar, apo procedurave tjera ligjore.
“Është e vetmja prokurori në Kosovë, e cila ka numrin ma të madh të lëndëve të kryera përmes procedurave alternative, ( marrëveshjeve për pranim të fajësisë, me ndërmjetësim, pezullim etj) duke ndihmuar edhe gjykatën kompetente në Gjilan, në zvogëlimin e numrit të lëndëve të pazgjidhura. Gjithashtu është e vetmja prokurori që me ndihmën e zyrës amerikane dhe koordinatorit nacional për krime ekonomike, ka zbatuar të ashtuquajturin, modelin “një prokuror-një gjyqtar”, sipas të cilit projekt, për herë të parë në sistemin gjyqësor dhe prokurorial, kemi vendosur që secili gjyqtar ta ketë një prokuror të caktuar, i gatshëm t`i përgjigjet çdo kohe dhe në çdo moment ftesës së gjykatës, duke zvogëluar deri në minimum mungesën e prokurorëve, dhe zgjidhjen e një numri të madh të lëndëve me shpejtësi, dhe me pakë kohë të humbur” tha Maloku.
Njëkohësisht kjo prokurori ka vendosur një prokuror të përhershëm në degët e Gjykatës themelore në Viti, Kamenicë dhe për ditë të caktuara në Novobërdë.
“Definitivisht, Prokuroria Themelore në Gjilan ka krijuar ambient të qetë e të sigurt për qytetarët e kësaj ane të Anamoravës, të qetë e të sigurt për jetën, pronën dhe pasurinë e tyre, falë punës së palodhshme të të gjithë prokurorëve dhe stafit administrativ të kësaj prokurorie në krye me Kryeprokurorin e saj, si dhe bashkëpunimit shumë të mirë me të gjithë institucionet relevante komunale, policinë e Kosovës, të qytetarëve dhe agjencitë tjera në zbatim të ligjit” shtoj Maloku./rajonipress/


