Uji Dea

Maloku i bashkohet Juventusit

/ 2 minuta lexim

Elvir Maloku është futbollisti i dytë shqiptar, pas Elvis Kabashit, që u bë pjesë e gjigantit italian Juventus. Talenti shqiptar ka kaluar me sukses provat dhe i është bashkuar menjëherë ekipit të të rinjve të Bianconerëve. ‘Zonja e Vjetër’ ia doli ta mposhtë konkurrencën e disa klubeve të njohura evropiane, duke i siguruar shërbimet e 16 vjeçarit të ekipit kroat Rijeka.

Pas Elvis Kabashit, një tjetër futbollist shqiptar ka hyrë në familjen e madhe juventine. Sulmuesi i ekipit HNK Rijeka, Elvir Maloku është bërë pjesë e Juventusit, pasi i kaloi me sukses provat disaditëshe.

Mediat italiane dhe ato kroate e kanë konfirmuar transferimin e 16 vjeçarit tek ‘Zonja e Vjetër’, ku do t’i bashkohet ekipit të të rinjve.

“Juventusi e ka mposhtur konkurrencën e disa klubeve të njohura evropiane, duke e bërë të vetin talentin e Rijekës, Elvir Maloku. Nga sezoni i ardhshëm, trajneri Antonio Conte do ta ketë në dispozicion këtë futbollist me perspektivë”, shkruan e përditshmja italiane Tuttosport.

Rijeka, klub kroat, është 70 për qind në pronësi të pronarit të Spezias në Itali, GabrieleVolpi. Maloku, i cili nuk i ka mbushur ende 17 vjet, ishte pjesë e ekipit të kadetëve të Rijekës.

Fundamenti

Paraqitjet e shkëlqyeshme që pati në Kroaci e shpërblyen futbollistin kosovar, i cili ka nënshtetësi kroate. Marrëveshja u arrit falë marrëdhënieve të mira të udhëheqësve të Juventusit me pronarin e Spezias, Volpi.

Maloku, i cili pritej të provohej në Juventus nga 4 deri më 8 shkurt, ka zhvilluar ndeshje miqësore me njërin nga ekipet e shkollës së futbollit të ekipit italian, ku i ka treguar vlerat e tij dhe i ka bindur Bianconerët ta mbajnë në Itali.

Para se të transferohej në HNK Rijeka në vitin 2011, Maloku kishte luajtur në NK Lokomotiva (2004-2007) dhe NK Stari Grad (2007-2011).

Këtë sezon, ngjyrat e Juventusit po i mbron futbollisti i ri shqiptar Elvis Kabashi, i cili e pati mundësinë të ftohet në ekipin e parë dy herë në ndeshje kampionale në Serie A. Në të ardhmen, edhe Maloku mund ta ndjekë rrugën e bashkëkombësit të tij.(express)