KKVITI

Maloku: Do ta përmbushim testin e demokracisë

/ 5 minuta lexim

Gjilan – Institucioni i prokurorisë, pa asnjë dyshim , bashkë me të gjitha institucionet relevante të sigurisë, e sidomos institucionin e policisë, edhe kësaj here, në raundin e dytë të zgjedhjeve, pra në të ashtuquajturin balotazh, me 1 (një) dhjetor, do të bëjnë të pamundshmen, të përmbushin testin e demokracisë tha për rajonipress Jetish Maloku kryeprokuror në Prokurorinë Themelore të Gjilanit.

Maloku tha për rajonipress se ato kanë krijuar ambient të qetë dhe shumë të sigurt për votim të lirë e demokratik më 3 (tre) nëntor në raundin e parë të zgjedhjeve, e do krijojnë gjithsesi edhe sot në këtë balotazh. “Padyshim edhe zyrtarët e angazhuar me detyrë në këto zgjedhje kanë qenë pjesë e këtij suksesi, e shumë i sigurt jam se përsëri do jenë edhe sot në nivel të lart të detyrës, duke respektuar vullnetin dhe dëshirën e qytetarit për votim të lirë”.

Maloku tha se të gjithë më shumë a më pak kanë dhënë kontribut që zgjedhjet e 3(tre) nëntorit të jenë sa ma demokratike, të drejta e, të ndershme, e nuk ka asnjë dyshim se edhe sot do jenë të gjithë pa dallim. “Në këtë detyrë të shenjtë, që këto zgjedhje të jenë përsëri, sipas vullnetit dhe dëshirës së votuesit, që lirshëm të votoj atë që i beson, dhe e duan për të ardhmen e tij, të familjes dhe shoqërisë si tërësi, larg çdo kërcënimi, dhune e force, larg çdo presioni, shantazhi, premtimi, favori apo dhurate të pamerituar. Pa asnjë dyshim edhe sot në këtë raund të fundit dhe definitiv të zgjedhjes së kandidatit të dëshiruar për udhëheqjen e komunës , sipas vullnetit qytetar , do jeni shumë të lirë dhe pa asnjë frikë, të vendosni vetëm si ju dëshironi”.

Maloku tha se prokurorët me gjithë hetuesit nga institucioni i policisë kanë qenë shumë të vendosur deri tani, dhe do jenë edhe më të vendosur që qytetari ynë në këtë regjion të Anamoravës të ketë liri të plotë të vendosin për votën e tyre të lirë. “Edhe pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, por edhe sot në këto zgjedhje, në këtë balotazh për kryetar komunash të Anamoravës, por edhe pas këtij raundi të zgjedhjeve, përsëri do jemi shumë të interesuar që të gjithë ata manipulues eventual t`i bëjmë përgjegjës para drejtësisë nëse dëshmohet, çfarëdo lëndimi të këtij procesi zgjedhor”.

Eco Higjiena

Maloku tha se menjëherë pas raundit të parë të zgjedhjeve pas prononcimeve të para, të bëra nëpër media, të disa personave , qytetarë dhe zyrtarë të lartë, përkitazi me cenimin e të drejtës në votë të lirë të qytetarit, prokurorët me shpejtësi kanë ndërmarrë të gjitha masat, duke autorizuar zyrtarët policorë- hetuesit të njësive përkatëse që të ftojnë këta persona dhe të deklarohen para institucioneve relevante me të gjitha provat eventuale dhe argumentet që kanë pasur ata për këtë proces zgjedhor të organizuar dhe të monitoruar si asnjëherë më parë. “Për këtë qellim veç janë administruar shumë deklarata, dhe ankesa të tjera të denoncuara në Prokurorinë Themelore në Gjilan. Prandaj, me përgjegjësi dhe me kompetencë, i sigurojmë të gjithë qytetarët e këtij regjioni të cilën e mbulojmë se edhe pas këtij raundi të zgjedhjeve nuk do ketë pardon për asnjë menipulues dhe cenues të këtyre zgjedhjeve fer dhe shumë demokratike. Do jemi pa asnjë dyshim shumë të hapur edhe për raste eventuale që do paraqiten në këtë institucion, me të gjitha ato dëshmi e argumente eventuale. Departamenti për Krime të Renda ka hapur hetime dhe është në proces të grumbullimit të të gjitha provave që do zbardhin çfarëdo lëndimi dhe cenimi edhe të një vote të qytetarit të 3 (tre) nëntorit, dhe jemi shumë të vendosur, që edhe për të gjitha rastet eventuale të 1(një) dhjetorit t`i vendosim me urgjencë dhe varësisht prej fakteve dhe argumenteve, do i trajtojmë deri në fund, të gjitha, me prioritet” ka thënë Maloku.

Maloku shtoj se do t`i vlerësojmë të gjitha paraqitjet publike ose ato që paraqiten drejtpërdrejt në institucionet relevante, të personave që denoncojnë ata që, eventualisht, kanë bërë atë që nuk është dashur ta bëjnë kundër vullnetit të qytetarit, por edhe ato deklarata që cenojnë këto zgjedhje të lira e shumë demokratike, me paraqitjet e tyre, eventualisht, pa dëshmi, prova, e fakte e të cilët shqetësojnë qytetarët tanë, duke bërë këto zgjedhje të shikohen si të dyshimta dhe larg standardeve ndërkombëtare e demokratike.

Në fund edhe njëherë urojmë qytetarët e këtij regjioni për kulturë të lartë demokratike që treguan më 3 (tre) nëntor dhe urojmë që edhe më 1 dhjetor të tregojnë të njëjtën pjekuri dhe kulturë edhe më të lart demokratike, duke treguar se votën tuaj dini ta vlerësoni, ta mbroni me dinjitet dhe drejtoni aty ku e ka vendin, në kutinë e votimit, duke treguar fytyrën e vërtetë të një demokracie të re, në një shtet të ri e demokratik.

Për këtë qellim, ne jemi me ju deri në fund, vetëm e vetëm të bëjmë të pamundshmen, që të krijojmë vetëm për ju, këtë ambient të qetë e të sigurt , që vota e juaj të plotësoj dëshirën dhe vullnetin tuaj tha Maloku./rajonipress/