Maloku apel qytetarëve: Qëndroni larg shfrytëzuesve që u japin para me fajde

Gjilan – Ashtu sikur në rajonet e tjera të Kosovës, edhe në regjionin e Anamoravës, vepra penale “Fajdeja”, si fenomen i përhapur, e cila shkakton humbje të mëdha pasurore, kohët e fundit ka qenë mjaft e theksuar. Si pasojë e këtij fenomeni shumë familje gjenden nën presion të kryerësve të këtyre veprave penale, edhe më keq kur viktimat paguajnë shuma të mëdha dhe jo proporcionale, me kamata të larta të kontraktimit, duke u futur në borxhe dhe detyrime që vështirë janë të realizueshme, për çka janë të detyruar të shesin pasuri ose edhe të jetojnë të mbyllur, pasi ndihen të kërcënuar thotë Jetish Maloku kryeprokuror në Prokurorinë Themelore të Gjilanit.
“Në të shumtën e rasteve, këto vepra penale kryhen duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë ekonomike të viktimave. Pavarësisht se tek ne, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepra penale e fajdeve është e inkriminuar dhe varësisht prej humbjeve të parasë, e dënueshme deri në dymbëdhjetë (12) vite burgim. Sa i përket, rasteve të fundit, Prokuroria Themelore në Gjilan, pas një pune intensive, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, duke aplikuar edhe masat e fshehta të hetimit, ka arritur që të zbulojë kryerësit e këtyre veprave penale, me ç’rast vetëm brenda tri javësh janë ndaluar katër (4) persona, të cilët kanë dhënë para me fajde. Ndaj këtyre kryerësve, me qëllim mbarëvajtjes së rastit, janë paraqitur kërkesat për masën e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak, të cilat edhe janë aprovuar nga Gjykata Themelore në Gjilan. Ndërsa, procedura për njërin prej kryerësve (të dyshuarin e pestë) është duke u trajtuar në procedurë të rregullt. Gjithashtu, janë duke u zhvilluar hetime sa i përket asaj nëse ka edhe persona tjerë të inkriminuar për rastin në fjalë” tha Maloku.
“Prandaj, apelojmë tek qytetarët e regjionit të Anamoravës, që të qëndrojnë larg këtyre shfrytëzuesve, të cilët për shkak të përfitimit joproporcional pasuror të tyre, sjellin qytetarët (viktimën), në pozitë të rëndë, me humbje të mëdha materiale, e në shumë raste në gjendje të pashpresë për kthimin e borxhit ekstrem të lartë, duke rrezikuar jo vetëm pasurinë e tyre, por edhe të ardhmen e familjeve të tyre, si dhe ju sigurojmë se do të ndiqen penalisht të gjithë kryerësit e veprave të tilla penale” tha Maloku./rajonipress/