RCCOLA

Maliqi: Shkarkimi i Veliut ka qenë reagim i tepruar i Kurtit, mocioni do të ketë sukses

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Partneri i koalicionit qeveritar LDK-ja mbrëmë, në një mbledhje të kryesisë, paralajmëruan mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti.

Ky vendim i tyre erdhi pas shkarkimit të ish-ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës, Agim Veliut, nga kryeministri Albin Kurti, pas deklaratave të këtij të Veliut për shpalljen e gjendjes emergjente në Kosovë.

IndeksOnline ka kontaktuar me analistin politik dhe filozofin, Shkëlzen Maliqi, për zhvillimet e fundit në vend.

Ai në një intervistë për IndeksOnline, ai ka thënë se shkarkimi i Veliut ka qenë reagim i tepruar i Kryeministrit, sepse është dasht të jetë i vetëdijshëm se po provokon seriozisht prishjen e koalicionit qeveritar.

Maliqi ka vlerësuar se mocioni i mosbesimit i inicuar nga LDK-ja ndaj Qeverisë Kurti do të ketë sukses.

“Edhe udhëheqësit e LDK-së e dinë se do ta kenë shumë vështirë ta arsyetojnë para elektoratit të vetë një koalicionin të ri me PDK-në dhe partitë e PAN-it. Disa po flasin për mundësinë e koalicionit të LDK-së me AAK-në dhe Nismën, por do të jetë shumë vëshitë sigurimi i numërave, dhe mbetet sërish çëshja e taksës. Nëse LDK nuk është pajtur me LV, aq më pak do të pajtohet me AAK-në e cila po kështu ra për shkak të taksës. Kështu që variant më i mundshëm do të jetë krijimi i një qeverie teknike për një periudhë 1 deri 2 vjeçare, me mandat dhe program takstativ”, ka thënë ai.

Intervista e plotë me analistin politik Shkëlzen Maliqi:

Si e shihni situatën politike në vend, duke marr parasysh zhvillimet e fundit politike dhe përhapjen e virusit covid-19?

Uji Dea

Shkëlzen Maliqi: Paradoksi i situatës është se Kryeministri, duke e refuzuar nismën e Presidentit Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, provokoi thellimin e krizës me shkarkimin e Agim Veliut, dhe reagimin e LDK-së që prishi koalicionin dhe inicioi mocionin për rrëzimin e qeverisë. Shkarkimi i Veliut ka qenë reagim i tepruar i Kryeministrit, sepse është dasht të jetë i vetëdijshëm se po provokon seriozisht prishjen e koalicionit qeveritar. Argumenti se Agim Veliu ka bërë tradhëti të Qeverisë duke e përkrahur nismën për gjendje të jashtëzakonshme është ekzagjërim i qëllimshëm, sepse edhe vetë Kurti pranon se në një moment, pas disa ditësh ose javësh, do të duhej të shpallej gjendja e jashtëzakonshme, e pse qenka tradhëti nëse kjo kërkohet tash? Ka mund ta kritikoj si nismë të parakohshme, gabim në hapa etj. por me këtë nuk arsyetohet shkarkimin. Për më shumë, Kryeministri me aktin provokoj, besoj me qëllim, shkarkimin e vetëvetës, sepse një politikan i arsyeshëm nuk e pren degën e pushtetit në të cilën është i ulur edhe ai vetë. Pasoja e këtij veprimi është se tashti gjendja e jashtëzakonshme është bërë e pashmangshme, jo vetëm për shkak të përhapjes së pandemisë, por edhe për shkak se, pa nevojë, po futemi në një cikël të ri të krizës së qeverisjes, që edhe ajo ka lidhje me njeë “pandemi politike”, sepse boshti i luftës së tij është pretendimi se do ta shkatërrojë kapjen e shtetit nga Hashim Thaçi dhe PAN-i, ku tash ai po e shtyen edhe LDK-në. (Po çuditëm se si Kurti si një poet amator politik nuk është kujruar për këtë analogji PAN – Pandemi!???)

A mendoni se do te ketë sukses mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti?

Maliqi: Nëse i marrim deklarimet e djeshme të subjekteve politike parlamentare, mocioni do të ketë sukses. Nuk mund të ketë Qeveri Kurti pa përkrahjen e LDK-së. Me partitë e opozitës aktuale LV edhe ashtu nuk i ka punët mirë. Kryeministri do të mbetet vetëm dhe nuk mund të llogarisë as në vazhdimin e pushtetit si qeveri e pakicës, sepse asnjë subjekt në Kuvend nuk e përkrah këtë përderisa Kurti nuk po i merr seriozisht kërkesat e SHBA-ve dhe BE-së për heqjen e takesës dhe rifilimin e dialogut me Serbinë. .

Me kë tjetër mund ta bëj Ldk-ja Qeverinë e Re?

Maliqi: Pas rrëzimit të Qeverisë hapat e mëtutjeshëm i përcaktojnë Presidenti dhe Kuvendi. Ka disa skenare të mundshme. Nuk besoj se pushteti do t’i kalojë me automatizëm LDK-së. Edhe udhëheqësit e LDK-së e dinë se do ta kenë shumë vështirë ta arsyetojnë para elektoratit të vetë një koalicionin të ri me PDK-në dhe partitë e PAN-it. Disa po flasin për mundësinë e koalicionit të LDK-së me AAK-në dhe Nismën, por do të jetë shumë vëshitë sigurimi i numërave, dhe mbetet sërish çëshja e taksës. Nëse LDK nuk është pajtur me LV, aq më pak do të pajtohet me AAK-në e cila po kështu ra për shkak të taksës. Kështu që variant më i mundshëm do të jetë krijimi i një qeverie teknike për një periudhë 1 deri 2 vjeçare, me mandat dhe program takstativ. Por, modalitet janë ende të paqarta, do të jetë vështirë të gjenden ekspertët e pavarur që gëzojnë përkrahjen e të gjitha subjekteva politike kaq të papërgjegjshme.

A e shihni Albin Kurtin në opozitë?

Maliqi: Albin Kurti me aktin që ka bërë do të kërkojë që sa më parë të mbahen zgjedhjet e reja, i bindur se do të dalë fitues absolut, ose me një fuqi që do të jetë më e madhe se ajo që e kishte pas 6 tetorit të vitit 2019. Me gjasa, do të jetë edhe kundër qeverisë teknike, sepse i përshtatet të qenit në opozitë, ku atëherë LDK-në do ta detyronte të jetë në një formacion me partitë e PAN-it, duke e krijuar kështu një, për te, “konfiguracion të andrrave”: LV-ja e pastër dhe perspektive me udheheqësin gjenial Kurtin, nga njëra anë, kundër PAN-demisë së partive që e kanë zhvatur Kosovën me në krye djallin, Hashim Thaçin. Ky diskurs edhe do të bëhet mbizotërues në komentet e ideologëve dhe aktivistëve të LV. Ai po stimullohet që nga dje në rrjetet sociale.