Maliqi: Një kryetar që luan rolin e viktimës nuk mund të propozojë projekte që përputhen me interesat dhe nevojat reale të qytetarëve

Gjilan – Buxheti i votuar ditë më parë më duket i varfër dhe jo gjithëpërfshirës. Është një buxhet i propozuar nga një kryetar që viktimizohet, por në të njëjtën kohë nuk pranon se ka gabuar në hapat e tij, duke filluar nga dëgjimet publike e deri te propozimi përfundimtar thotë Latif Maliqi nga LDK.
Sipas Latif Maliqit po të udhëhiqej ky proces nga Kryesuesi dhe Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) nëpër lokalitete, atëherë projektet do të dilnin si derivat i drejtpërdrejtë i nevojave të qytetarëve.
“Por një kryetar që luan rolin e viktimës nuk mund të propozojë projekte që përputhen me interesat dhe nevojat reale të qytetarëve. Marrim si shembull projektin e bulevardit të qytetit: ai paraqitet si viktimë para qytetarëve, duke pretenduar se opozita nuk ia ka votuar projektin.
Por realiteti është se për vitin fiskal 2025 për këtë projekt janë ndarë vetëm 800 mijë euro, ndërsa në letër nuk ka asnjë zotim për fonde të tjera.
Kur kërkojmë argumente nëse projekti është në përputhje me Planin Zhvillimor Komunal (PZHK), ai na sjell një fletë me disa vizatime të pakuptueshme” shprehet Maliqi.
Maliqi tha se unë e kam vlerësuar se me atë “dokument” – që në fakt nuk ishte dokument, ai u tall me ne dhe me Kuvendin.
“Prandaj, ky kryetar nuk e ndien veten përfaqësues të të gjithë qytetarëve të Gjilanit, por vetëm të një pjese të tyre, atyre që i përkasin partisë së tij” tha Maliqi./rajonipress/