Eko Higjiena

Maliqi: Kriza në veri s’e cenon sovranitetin e Kosovës, s’ka vend për propagandë

/ 5 minuta lexim

Publicisti dhe njohësi i çështjeve politike, Shkëlzen Maliqi, pas futjes në karantinë të dy komunave veriore me shumicë serbe (Mitrovica e Veriut dhe Zveçani) ka deklaruar se veprimet e marra në këtë pjesë assesi nuk e cenojnë sovranitetin e vendit.

Maliqi në një intervistë të dhënë për “Zërin” më tutje ka shtuar se e ka të vështirë të vlerësojë nëse vendimet e fundit në këto komuna janë marrë nga institucionet kosovare, ashtu siç po pohon Qeveria në detyrë, ose nga Beogradi. “Karantina është gjithsesi domosdoshmëri e situatës emergjente, për shkak të të infektuarave në Kosovë. Virusi nuk njeh kufi e as etni për t’u përhapur, në të vërtetë është shndërruar në pandemi globale. Nga kjo pozitë e të izoluarit, në të cilën jetoj si edhe e gjithë Kosova, e kam vështirë ta them me saktësi se kush e ka shpallur karantinën dhe orën policore në veri, për të cilën kryeministri në detyrë pohonte në një në videomesazh se është urdhëruar nga qeveria e tij, ndërkaq që burimet tjera thonë se në veri janë në fuqi urdhrat që vijnë nga Serbia. Po kështu e dimë se Beogradi ka dërguar një kontingjent mjekësh dhe të stafit ndihmës për të trajtuar epideminë në komunat serbe, jo vetëm në veri, por edhe në Graçanicë dhe në komunat tjera me shumicë serbe. Informata shtesë ka qenë se qeveria e Kurtit ua ka dhënë lejen për të hyrë në Kosovë këtyre ekipeve, që shpresojmë se janë vetëm mjekësore”, është shprehur Maliqi.

“Raportet Kosovë – Serbi dhe veriu në mes tyre”

Rrjedhimisht, sipas tij, ndihma mjekësore që erdhi nga Beogradi arsyetohet me faktin se që nga viti 1999 sistemi shëndetësor i Kosovës nuk është unik, pasi ka ndasi dhe mosbesim ndëretnik. “Besoj se kjo ndihmë ka qenë e mirëseardhur nëse Kosova nuk ka pasur kapacitete që të veprojë në veri dhe në komunat e tjera serbe, pasi e dimë se që nga viti 1999 sistemi shëndetësor i Kosovës nuk është unik, se ka ndasi dhe mosbesim ndëretnik. Kështu që edhe nëse është arritur marrëveshja mes dy qeverive për këtë ndihmë nga Serbia, ka qenë e arsyeshme dhe s’ka pasur nevojë të fshihet ose të mbulohet me propagandë dhe me politizim të krizës shëndetësore”, ka thënë Maliqi për “Zërin”.

Fidanishtja

Politologu Maliqi tutje vlerëson se me krizën në veri nuk është cenuar sovraniteti i Kosovës në këtë pjesë. “Unë vetë nuk besoj se kjo krizë ka ndryshuar diçka në çështjen e sovranitetit të Kosovës në veri. Kosova para 7 vjetësh i ka vendosur pikat e saj kufitare dhe doganore në veri të Kosovës dhe vetë fakti se Serbia duhet të kërkojë leje që zyrtarët e saj të hyjnë në Kosovë është një argument që afirmon përkatësinë e territorit”, ka shtuar tutje ai. Por problem sipas tij me veriun mbetet mosbindja e popullatës serbe me marrëveshjet e Brukselit dhe varësia e tyre nga Beogradi. “Ata përmes Listës serbe, që është direkt e varur nga Beogradi, kërkojnë të kenë një njësi të veten autonome, ‘Zajednicën’, ose që të paktën veriu t’i takojë Serbisë”, ka potencuar Maliqi.

“Papërgjegjshmëria e liderëve kosovarë dhe lufta e tyre për pushtet”

Ndërsa kur foli për qasjen e bashkësisë ndërkombëtare karshi përleshjeve politike për veriun e Kosovës, Maliqi vlerëson se janë pikërisht këto shtete që kanë krijuar kufi etnik dhe gjysmëadministrativ te lumi Ibër në vitin 1999. Mirëpo Maliqi thotë se thirrjet e ndërkombëtare drejt liderëve për t’u fokusuar në luftimin e virusit COVID-19 janë të drejta. “Bashkësia ndërkombëtare e ka krijuar këtë situatë në vitin 1999, duke e vendosur një kufi etnik dhe gjysmëadministrativ te lumi Ibër dhe nuk kanë aspak shije këto akuzat e ndërsjella mes Qeverisë në detyrë dhe opozitës se kush e rrezikon më shumë sovranitetin e Kosovës. Por në rastin konkret këto thirrjet e ndërkombëtarëve edhe kanë kuptim, sepse urgjenca e momentit është pandemia dhe jo lufta mes partive për pushtet, e personalizuar sidomos në rivalitetin e Kurtit dhe të Thaçit”, u shpreh tutje ai.

Maliqi në fund thotë se është e tejet e papërgjegjshme nga ana e liderëve që nuk po i lënë inatet politike as në luftën e Kosovës me pandeminë botërore. “Vërtet është e pafalshme që politikanët tanë, e përgjegjësia kryesore aktualisht i takon kreut të Qeverisë në detyrë, që nuk po bashkohen të paktën rreth luftimit të pandemisë e do të ishte e udhës që të gjejnë gjuhë të përbashkët edhe për çështjet vitale të interesit shtetëror dhe kombëtar”, ka thënë ai. /ZERI