Maliqi i LDK-së: Çfarë na duhen zyrtarët për turizëm në komunën tonë, nëse turizmi nuk promovohet fare?

Gjilan – Mungesa e promovimit të Gjilanit si një destinacion turistik përfaqëson një humbje të madhe për qytetin dhe banorët e tij. Komuna posedon pasuri të çmuara historike dhe natyrore, siç është Kalaja e Pogragjës, e cila bart një histori të jashtëzakonshme dhe ka potencialin të bëhet një atraksion i madh për turistët. Fatkeqësisht, kjo kala dhe shumë vende të tjera me vlerë mbesin të papromovuara dhe të paeksploruara ka shkruar Latif Maliqi njëri nga këshilltarët më aktiv në LDK e Gjilanit.
Postimi i plotë:
Komuna e Gjilanit duhet të dalë nga qasja e saj pasive dhe të ndërmarrë hapa konkretë për të zhvilluar infrastrukturën dhe për të promovuar potencialin turistik të rajonit. Pa një përkushtim të tillë, ky potencial do të mbetet i pashfrytëzuar, dhe turizmi në Gjilan do të vazhdojë të margjinalizohet.
Përkundër resurset natyrore dhe kulturore që posedon, Gjilani ka dështuar në një aspekt kyç të zhvillimit ekonomik: turizmin. Një shembull i qartë është rruga prej vetëm 300 metrash që çon te zipline Green Valley – një ndër atraksionet më të vizituara në komunë. Kjo rrugë është lënë në harresë përkundër fluksit të madh të vizitorëve vendas dhe ndërkombëtarë. Mungesa e investimeve në infrastrukturën bazë është dëshmi e mos angazhimit institucional dhe mungesës së vizionit për zhvillimin e turizmit lokal.
Nëse nuk ndryshon kjo qasje, Gjilani do të vazhdojë të humbasë mundësi të rëndësishme për zhvillim ekonomik, promovim kulturor dhe përmirësim të jetës së qytetarëve të vet./rajonipress/