Maliqi: Gjasat që PDK-ja të mbetet në pozitë, janë 50 me 50

Analisti politik, Shkëlzen Maliqi, vlerëson se procedualisht, mos krijimi i institucioneve të vendit, është ende në afatet ligjore. Megjithatë, fajin për ngërçin politik, Maliqi ia vë shpërndarjes së votës, që fituesit të zgjedhjeve, PDK-së, nuk i lë hapësirë që të mbetet në pushtet, nëse nuk siguron të paktën një partner koalicioni.
Maliqi mendon, se Lëvizja Vetëvendosje, nuk është ende e gatshme që të hyjë në qeveri, por që sipas tij, gjithçka varet prej kësaj lëvizje, nëse PDK do të mbetet në pozitë ose jo.
Në një intervistë për Indeksonline, analisti Maliqi thotë se ky ngërç politik është artificial, derisa thotë se gjasat që PDK-ja të mbetet në pozitë, janë 50 me 50.
Indeksonline: Sa po ndikon ngërçi politik në jetën e qytetarëve?
Shkëlzen Maliqi: Mendoj se sezoni i vitit është i tillë që shumica e njerëzve nuk brengosën për vonesën e krijimit të qeverisë së re. Në të vërtetë, proceduralisht ende jemi në afatet ligjore dhe normale për fazën pas zgjedhjeve. Dinamika deri diku është komplikuar për shkak të parashtresave te Gjykata Kushtetuese e cila duhet të jep sqarime dhe verdikte për disa çështje që edhe për ekspertët janë të paqarta ose kontestuese, e në rastin tonë mungon edhe përvoja dhe rastet precedente për të marrë vendime. Duhet të definohen më saktësisht disa nocione kushtetuese që përcaktojnë p.sh., kjo është më urgjente, se cili subjekt politik e ka të drejtën të kandidojë dhe udhëheq postin e Kryetarit të Kuvendit. Dhe kur të sqarohet kjo, besoj se do të lëvizet më shpejt kështu që nga fundi i këtij muaji do të dalim te mandatari i qeverisë dhe krijimi i koalicionit të pushtetit, ose, nëse në këtë do të kemi dështim, atëherë do të kemi sërish zgjedhje.
Indeksonline: Kush është shkaktar i këtij ngërçi politik?
Shkëlzen Maliqi: Ngërçi është pasojë e shpërndarjes së votës dhe mandateve që fituesit relativ të zgjedhjeve, PDK-në, me 37 ulëse në Kuvend, nuk i lë hapësirë që të mbetet në pushtet nëse nuk e siguron të paktën një partner për koalicion ndër partitë shqiptare. Katër partitë shqiptare, që së bashku i kanë 63 ulëse (LDK 30, VV 16, AAK 11 dhe Nisma 6) janë kujtuar që të gjitha të bojkotojnë Hashim Thaçin dhe PDK-në, duke shpresuar se mund të arrijnë marrëveshje koalicioni. Fillimisht janë lidhur LDK, AAK dhe Nisma, me 47 mandate, po kanë negociuar shumë me Lëvizjen Vetëvendosje që edhe jo të hyj në Qeveri ose të përkrahë qeverinë pa qenë pjesë e saj. Ky bllok anti Thaçi po llogaritë edhe në përkrahjen e partive të minoriteteve që i kanë 20 ulëse.
Kur them se shpërndarja e votës në zgjedhjet e ka kushtëzuar këtë situatë dhe bllokadë, paramendojeni një rezultat tjetër ku pragun zgjedhor do ta kalonte edhe AKR-ja. Në të rast PDK-ja me AKR-në do të kishin 43 ose 42 ulëse, kurse katër partitë e bllokut maksimum 58, dhe nuk do të mund të aspironin pushtetin, por zot i situatës, duke joshur minoritetet, do të ishte sërish Thaçi.
Indeksonline: A mendoni se Vetëvendosja është tërhequr përfundimisht nga qeveria e mundshme LDK-AAK-Nisma?
Shkëlzen Maliqi: Nuk është e qartë. Bisedimet e VV me treshen janë ndërprerë më 17 korrik, dhe sipas deklaratave të drejtueseve të VV ata nuk e kanë ndërmend të bëjnë kompromis rreth kërkesave të tyre, sidomos rreth çështjes së vazhdimit të dialogut me Serbinë. Ka pas zëra nga pala tjetër se mund t’i pranojnë kushtet e VV, por ky është një që nuk do të pëlqehet shumë nga faktorët ndërkombëtarë. Por, nëse Vetëvendosja heq dorë nga kërkesat për të hyrë në qeveri, ky do të ishte një ndryshim i madh, për të cilin besoj se ky subjekt ende nuk është i gatshëm ta bëjë. Më parë do të provokonin përsëritjen ne zgjedhjeve, për të rritur eventualisht përkrahjen, se sa të bëjnë diçka që do të jetë kundër politikës dhe angazhimit të tyre deri më sot.
Indeksonline: Si e komentoni mundësinë për formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse?
Shkëlzen Maliqi: Qeveria e një koalicioni të madh, nuk është e thënë që të jetë edhe gjithëpërfshirëse, gjithnjë ka ekzistuar si opsion i kollajshëm që do të prodhonte edhe qeveri stabile (p.sh. PDK + LDK në start do të kishin 67 ulëse dhe me minoritetet do të bënin edhe qeverinë që kontrollon 2/3 e Kuvendit. Por, kuptohet, kjo mbetet mundësi sa i përket numrave, jo edhe si disponim i partive të bllokut anti-Thaçi. Tash ekziston mundësia që blloku anti-Thaçi të thyhet rrugës në aspiratat për pushtetet (nuk i siguron numrat), dhe atëherë do të kemi mundësinë e kthesës pragmatike qoftë të LDK-së, qoftë të AAK-së ose Nismës, ku pa PDK-në s’ka qeveri. Por mund të ndodhë që qeverinë e re në këtë rast të mos e udhëheq Thaçi, sikundër që në të mund të mos janë as Isa Mustafa e as Ramush Haradinaj.
Kur i ktheni në lojë të gjitha këto mundësi dhe disa tjera, kuptoni se sa artificial është në esencë ngërçi aktual.
Indeksonline: Cilat janë shanset e PDK-së për të mbetur në pozitë?
Shkëlzen Maliqi: Mendoj se shanset janë 50 me 50 për qind. Gjithçka varet nga Vetëvendosja. Nëse nuk hyn në koalicion me Hardinajn, ky nuk ka gjasë që të bëjë qeveri stabile me minoritetet, sepse kushtëzimi nga Lista Serbe në atë rast do të ishte më shkatërrues se kushtëzimi nga VV. Atëherë e pashmangshme do të ishin zgjedhjet e reja. Ose, atë që përmenda, të kërkohen mandatarë tjerë të pranueshëm për PDK-në dhe LDK-në e ndoshta edhe ndonjë tjetër subjekt. /Indeksonline/