Maliqi: Është mirë që s’po përzihen të huajt

Analisti politik, Shkëlzen Maliqi, e ka vlerësuar pozitivisht qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare, e cila është deklaruar se nuk do të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës, sa i përket zgjidhjes së ngërçit politik.
“Situata është pak delikate dhe është mirë që së paku të huajt publikisht nuk dëshirojnë të paragjykojnë se cila do të jetë zgjidhja e ngërçit politik të krijuar në muajt e fundit. Prandaj, mirë është që s’po përzihen”, ka thënë Maliqi për “Epokën e re”.
Megjithatë, ai ka theksuar se duke mos e ditur përmbajtjen e marrëveshjes ndërmjet LAN-it dhe Vetëvendosje!-s, qeveria e udhëhequr nga ta nuk do ta ketë mbështetjen e parezervë të ndërkombëtarëve.
“Pra, nuk e dimë nëse do të ketë ndryshim të kursit të politikës së deritashme të Kosovës karshi atyre zotimeve që i ka pasur vendi ynë ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Nëse Vetëvendosje! është pak e moderuar nuk do ta ketë përkrahjen aq të parezervë të ndërkombëtarëve meqë nuk janë të bindur se qeveria e ardhshme do të jetë shumë e suksesshme”, është shprehur Maliqi.
Sido që të jetë, Maliqi ka thënë se në njërën anë bashkësia ndërkombëtare deklarohet se nuk do të përzihet në këtë çështje, në anën tjetër SHBA-të po i afirmojnë disa procese të arritura nga qeveria Thaçi.
“Në deklaratën e SHBA-ve afirmohen disa gjëra që Kosova i ka arritur me qeverinë aktuale, siç është procesi i dialogut. Por, vetë procesi i formimit të qeverisë natyrisht që është në duart e vendorëve dhe nëse blloku LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje! kanë arritur marrëveshje, duhet ta shohim përmbajtjen e asaj në mënyrë që të shohim se a ka mundësi që kjo qeveri të jetë diçka që e ndryshon raportin e Vetëvendosje!-s ndaj disa proceseve që i afirmon deklarata e SHBA-ve, apo do të mbesin tek kërkesat e tyre”, ka deklaruar Maliqi. /epoka e re/