Maliqi: Buxheti i vitit 2013 i dizajnuar për pushtetarët
Gjilan – Zijadin Maliqi këshilltar komunal dhe kryetar i komisionit të LDK-së për ekonomi tha se buxheti për vitin 2013 është dizajnuar për pushtetarët dhe borxhet e tyre dhe më së pakut mund të jetë dedikuar për qytetarët.
Komisioni për ekonomi në kuadër të LDK-së edhe njëherë ka dhënë arsyetimet pse kanë votuar kundër buxhetit për vitin 2013 që u aprovua në seancën e fundit të Asamblesë Komunale.
Zijadin Maliqi që udhëheq këtë komision tha se buxheti për vitin 2013 më së paku mund të jetë për qytetarët. “Ky buxhet është dizajnuar për pushtetarët dhe borxhet e tyre të shumta dhe më së pakut mund të jenë shfrytëzues të saj qytetarët “ tha Maliqi.
Maliqi tha se me këtë buxhet nuk është paraparë asnjë investim në rregullimin e ndonjë kanalizimi, apo ndonjë rruge të asfaltuar ose ujësjellës.” S`i mos të kundërshtohet ky buxhet kur vetëm për sektorin e bujqësisë janë ndarë 60 mijë euro, derisa ky sektor ka nevoja të shumta për investime”.
Maliqi tha se kanë qenë kundër aprovimit të buxhetit për vitin 2013 sepse kanë dhënë vërejtje për disa pozicione.”Jemi interesuar që të kemi një buxhet sa më të mirë për qytetarët e Gjilanit, e jo për luksin e pushtetarëve” tha Maliqi. Ai tha se kanë insistuar që të hyrat vetanake të jenë më të mëdha. Investimet kapitale sipas Maliqit janë në rënie për 21 % krahasuar me vitin 2012. Subvencionet janë 126 % më të mëdha se vitin e kaluar.
Maliqi gjithashtu tha se ka rënie edhe të tatimit në pronë dhe kjo po bëhet me fajin e zyrtarëve komunal. Maliqi ka akuzuar edhe Qeverinë Qendrore e cila sipas tij në vazhdimësi po e anashkalon Gjilanin. “Gjilani gjithmonë mbetet komuna e fundit që përfiton nga Qeveria në vend se të jetë në listë e para” . Ai ka kritikuar edhe për pasivitetin e deputetëve të Anamoravës të cilët janë shumë gjakftohtë kur është në pyetje qyteti i tyre.
Ndryshe Maliqi në emër të komisionit të LDK-së ka kërkuar nga kryesuesi i Kuvendit Izmi Zeka që në seancën e radhës të shfuqizojë vendimin mbi kushtëzimet komunale sepse edhe MAPL ( Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal) e ka shpallur të paligjshëm atë vendim, por ka lutur qytetarët që tatimin në pronë dhe obligimet tjera komunale t`i paguajnë me rregull ./rajonipress/