UBT

Mali i Zi në krizë politike dhe presion gjeopolitik

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Nga Lisen Bashkurti – Zgjedhjet politike të 16 tetorit 2016 në Mal të Zi përfunduan me fitoren e partisë së udhëhequr nga Milo Gjukanoviqi. Gjukanoviqi njihet si lideri që bëri divorc me Millosheviqin gjatë Unionit Serbi-Mali i Zi, si njeriu që i priu referendumit për pavarësi të vendit të tij, si politikani që njohu pavarësinë e Kosovës, si personaliteti me konsistent pro BE-së dhe NATO-s. Mirëpo përgjatë këtij kursi politik dhe orientimi gjeopolitik, Gjukanoviqi dhe përkrahësit e tij kanë bërë shumë kundërshtarë brenda dhe jashtë vendit.

Brenda vendit kundërshtarët kryesorë janë serbët dhe mbështetësit e tyre që ishin kundër shpalljes së pavarësisë, kundër njohjes së Kosovës si dhe kundër orientimit pro Perëndimorë të Malit të Zi.

Jashtë vendit, kundërshtarët e Gjukanoviqit fillojnë nga Beogradi, ku bëjnë pjesë lobi millosheviçian, nacionalistët serbë, grupet e organizatat e cerna rukes, madje edhe vetë kisha Serbe.

Në nivele gjeopolitike, kohet e fundit Mali i Zi i pavarur po përballet me presionin në rritje direkt dhe indirekt të Rusisë së Putinit. Doktrina aktuale e Putinit ka rikthyer agresivisht vëmendjen drejt Ballkanit Perëndimor.

Në fokusin rus janë shtetet e dobëta si Bosnjë Hercegovina; shtetet në krizë si Maqedonia; shtetet dilematike si Mali i Zi; shtetet e reja e të brishta si Kosova. Në të gjitha këto shtete Rusia mbështetët kryesisht te faktorët etnik serb, tek aktorët politikë prorus si dhe te kisha serbe.

Eco Higjiena

Situata aktuale kritike në Malin e Zi është pikërisht si rezultat i këtyre shkaqeve politike dhe gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor. Pas zgjedhjeve të 16 tetorit 2016 kriza në Mal të Zi është përkeqësuar.

Kundërshtarët e pavarësisë dhe orientimit pro Perëndimorë kanë avancuar me tutje. Ato po synojnë eliminimin fizik të Gjukanoviqit me përpjekje metoda kriminale ose përmbysjen e tij në grushtshtet.

Gjukanoviqi sulmoi hapur segmente nga Beogradi me mbështetje ruse. Vetë kryeministri Vuçiq pranoi implikimin e grupeve kriminale nga Serbia në ngjarjet e Podgoricës. Nga ana tjetër Patriarku i Kishës Malazeze akuzoi Kishën Serbe për terrorizëm.

Për t’i hapur rrugë hetimeve, për ta ç’tensionuar situatën dhe njëkohësisht për të ruajtur stabilitetin dhe qeverisjen e vendit, Gjukanoviq kërkoi dorëheqje duke ia kaluar postin e kryeministrit tjetër kujt, brenda partisë së tij.

Ky veprim i Gjukanoviqit është mënjanim i përkohshëm i krizës së thellë që kalon Mali i Zi, por jo zgjidhje afatgjate e krizës. Republika e Malit të Zi është vendi i vogël i rëndësishëm i një gjeostrategjie të madhe. Por Republika e vogël nuk mund të përballët e vetme me tërë këtë koalicion të së keqes, që nisë nga Podgorica e shkon deri në Beograd e Moskë. Mbështetja për Malin e Zi lypet të vijë nga BE-ja, NATO-ja dhe ShBA-të. Nëse kjo mbështetje do të vonojë sot, nesër mund të jetë vonë.