Malazezi Kadija në gjyq për urrejtje ndaj serbëve

Inspektorët e turizmit në Mal të Zi kanë mbyllur përkohësisht restorantin “Etno-selo Kadmi” në Njegush të Cetinjës, pasi pronari Milo Kadija, të shtunën e kaluar refuzoi t’i shërbejë me ushqim një familje serbe dhe një murgeshë të kishës ortodokse serbe, me arsyetimin se “nuk mund t’i durojë serbët”.

Inspekorja Branka Ratkovic ka thënë se në restorantin “Etno-selo Kadmi” shërbehet pije dhe ushqim, por nuk ëhstë ajo që duhet ta vërtetojë se si është sjellur pronari i saj me serbët.

Policia e ka intervistuar murgeshën, e cila ka vërtetuar fjalët e serbes Veselinka Rajkovic, e cila ka thënë se Kadija me të hyrë në lokal ka pyetur: “A jeni ju nga kisha ortodokse serbe?”. Kur e ka marrë përgjigjen konfirmuese, Kadija ka thënë: “Atëherë ër juve nuk ka ushqim në këtë restorant”.

Policja e Cetinjës, me kërkesë të prokurores ka marrë në pyetje edhe punëtorët e restorantit. Kuzhinierja e restorantit, me inicialet M.M, e cila është e përkatësisë etnike serbe, ka mohuar akuzat se Kadija ka nxjerrë jashtë restorantit murgeshën dhe serben Rajkovic, e cila kishte me vete edhe fëmijët. Ajo ka thënë se e ka dëgjuar pronarin e saj të ketë thënë se “ky është lokali im”.

Trupi gjykues së shpejti do të deklarohet lidhur me këtë rast, dhe nëse vërtetohet se malazezi Kadija ka refuzuar të shërbejë serbët, atëherë ai do të mund të akuzohet për nxitje të urrejtjes fetare dhe etnike, vepra këto të dënueshme me burg.

Kadija ka thënë se edhe ai do të padisë serbet, pasi për shkak të gënjeshtrave të tyre ka marrë mbi 200 mesazhe kërcënuese. Ai ka thënë se ngjarja nuk ëhstë zhvilluar tamam ashtu sikurse raportojnë gazetat.

“U kam thënë se kaçamaku malazez që e kanë porositur bën dy orë për tu pregatitur, sepse është kaçamak malazez, nuk është pleskavicë e Serbisë”, ka thënë Kadija, duke shtuar se serbet janë larguar duke qeshur. Ai ka thënë se në restorantin e tij ka punëtorë serbë dhe është i lidhur me dhjetra agjenci nga Serbia.

“Incidenti” ka bërë bujë në mediat serbe dhe malazeze, pasi Kadija ishte kontaktuar nga një gazetar i “Vesti Online”. Kadija i befasuar me akuzat që ka dëgjuar se serbja i kishte bërë ndaj tij i ka thënë gazetarit të shkruaj atë që e thotë dhe të mos ia ndryshojë asnjë fjalë. “Shkruaj që jam nacionalist i madh malazez dhe që serbët nuk mund të ushqehen në restorantin tim”. /Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS