Fundamenti

Makolli: Të rinjtë e diasporës pasuria më e madhe e Kosovës

/ 3 minuta lexim

Gjilan –Duke u shkolluar në universitetet më të njohura të botës, në pesë vitet e ardhshme të rinjtë e diasporës do të jenë pasuria më e madhe e Kosovës tha në Gjilan Ibrahim Makolli.

Ministri i diasporës Ibrahim Makolli në një bashkëbisedim që ka pasur me të rinjtë e diasporës nga Anamorava ka folur për rolin dhe kontributin e tyre për zhvillimin ekonomik dhe politik të Kosovës.

Makolli i cili mori pjesë në debatin e organizuar nga Këshilli Lokal i Veprimit Rinor me titull”Bashkëpunimi i organizatave rinore që veprojnë në Kosovë me të rinjtë që jetojnë në Diasporë ”,tha se shumë të rinj kosovarë jetojnë jashtë vendit dhe realisht Kosovën nuk e kanë vendlindjen e tyre.

“Duke u nisur nga ky fakt Ministria e Diasporës ka treguar një interesim të veçantë për këtë kategori për të krijuar lidhje të ngushta dhe të afërta në mes të të rinjve të diasporës dhe atyre në Kosovë” tha Makolli.

Makolli duke falënderuar kontributin e të rinjve kosovarë kudo në botë tha se ata janë pasuria më e madhe e Kosovës.”Tanimë kemi një numër të madh të studentëve që po kryejnë studimet në universitetet më të njohura të botës dhe realisht ky kontingjent i dijes brenda pesë viteve do të jetë pasuria më e mirë për Kosovën” u shpreh Makolli.

Uji Dea

Sipas tij Ministria e Diasporës ka dy shtylla kryesore që do të kujdeset për të rinjtë e diasporës. E para ka të bëjë me ruajtjen e dinjitetit dhe si çështje të dytë është krijimi i rrjetave rinore në diasporë. “Ne kemi vullnet,e gatishmëri për t`i avancuar dhe përkrahur të rinjtë tanë në diasporë” tha Makolli.

Sipas Makollit ministria që ai drejton aktualisht është duke krijuar një bazë të të dhënave për të ditur numrin e saktë të të rinjve jashtë vendit. Makolli tha se fatmirësisht mërgata kosovare është e integruar në ato shtete ku jeton dhe ky integrim është pozitiv për Kosovën sepse fuqizon dhe ndihmon shtetin e Kosovës në të gjitha fushat.

Kurse Mensur Morina që foli në emër të këshillit të veprimit rinor kosovar tha se të rinjtë e diasporës me dinjitet po e luajnë rolin e tyre. “Ata po japin kontribut në fushën ekonomie,politike,kulturore dhe afirmative” tha ai.

Fidan Kadriu zyrtar për diasporë në Gjilan foli për aktivitetet që ka organizuar komuna e Gjilanit për ditët e diasporës.”Ne jemi të kënaqur me numrin e madh të mërgimtarëve dhe interesimin e tyre për të qenë pjesë e këtyre manifestimeve” tha ai.

Driton Kajtazi veprimtarë i mërgatës në Lozanë të Zvicrës ka inkurajuar të rinjtë gjilanas që të jenë pjesë e suksesit dhe e rezultateve në vendet ku ata jetojnë. Kajtazi ka përmendur shumë emra të njohur në fushën e politikës,shkencës,sportit e kulturës që kanë dhënë dhe po japin vlera në shtetet perëndimore e që janë me prejardhje shqiptare./rajonipress/