Eko Higjiena

Makolli : Forcuam urat e ndërlidhjes, Diasporë-Atdhe

/ 3 minuta lexim

Ministria e Diasporës konsideron se i ka përmbushur objektivat themelore për vitin 2012, duka krijuar relacione të fuqishme ndërmjet mërgatës dhe atdheut

Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës ka përshkruar të premten zhvillimet njëvjeçare të këtij dikasteri, duke konsideruar se brenda një viti ka arritur të përmbushë në masë të madhe objektivet e saj, që kanë qenë kryesisht përafrimi i bashkatdhetarëve me atdheun.

Në pamundësi që të arriturat, objektivat dhe ngecjet t’i prezantojë vetë ministri Ibrahim Makolli, për shkak të vdekjes së sekretarit të ministrisë, Isuf Preniqi, MeD nëpërmjet një komunikate, në mënyrë kronologjike ka pasqyruar të gjitha aktivitetet dhe zhvillimet e saj
brenda Kosovës, por edhe në mërgatë gjatë vitit 2012.

Sipas MeD-së, këtë vit janë bëre hapa konkretë për krijimin e urave lidhëse mes pjesëtarëve të diasporës dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Është themeluar Komisioni ndërqeveritar për hartimin e koncept-dokumentit për regjistrimin e mërgatës. Janë organizuar aktivitete të shumta në fushën e arsimit plotësues në diasporë, janë zhvilluar takime të drejtpërdrejta me bartësit e këtij procesi në mërgatë, si dhe janë organizuar tryeza e konferenca kombëtare për ta avancuar mësimin plotësues në mërgatë”, thuhet në rezymenë e këtij dikasteri.

Sipas MeD, gjatë këtij viti ky dikaster ka shpërndarë libra të ndryshëm në gjuhën shqipe (rreth 40 mijë ekzemplarë) nëpër shkolla dhe biblioteka gjithandej vendeve ku jeton
mërgata shqiptare.

Fidanishtja

Po ashtu, sipas MeD, janë organizuar kampingje për nxënësit që janë kthyer për pushime në Kosovë, ekskursione në vende të ndryshme të Kosovës për fëmijët e mërgimtarëve, si dhe është krijuar portali “gjuhaime.com” me qëllim që t’i ndihmojë fëmijët të mësojnë gjuhën, kulturën, traditën dhe historinë shqiptare.

Si të arritur tjetër brenda vitit 2012, Ministria e Diasporës përmendi organizimin e suksesshëm të manifestimeve “Ditët e Diasporës në Kosovë 2012”. Ndërsa themelimi i grupit ndërinstitucional për hartimin e regjistrit të bizneseve dhe për nxitjen e investimeve në Kosovë, konsiderohet një e arritur tjetër e rëndësishme e MeD-së.

“MeD, gjatë vitit 2012, ka vazhduar angazhimin për hapjen e qendrave kulturore në diasporë. Në shtator është bërë edhe hapi konkret – nënshkrimi i marrëveshjes me Republikën e Turqisë për hapjen e Qendrës Kulturore në Stamboll. Përderisa do të hapen qendra të ngjashme edhe në SHBA, në Gjermani, Zvicër, Austri dhe në vendet skandinave”, konsideron MeD.

Po ashtu në rezyme e kësaj ministrie nuk janë harruar aktivitete për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë ku MeD ka organizuar disa takime dhe konferenca shkencore që kanë trajtuar kryesisht rëndësinë e mërgatës në shtet-bërjen e Shqipërisë.

“Që në angazhimet e para si udhëheqës i një dikasteri të rëndësishëm qeveritar, ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, është treguar i gatshëm të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë aktorët që luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e përgjithshëm të vendit, në veçanti në
përmirësimin e statusit të mërgimtarëve”, thuhet në kumtesën e MeD-së.