Mobi Casa

Majlinda: Jam njeriu më me fat në botë

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Krenaria e sportit tonë, në vitin që po e lamë pas, ka shkëlqyer duke fituar titullin e kampiones së Evropës për sendore, si dhe duke fituar titullin e Kampiones së Botës për të dytën herë.

Intervistoi: Dëfrim Puka

Suksesi i Majlinda Kelmendit në tapetet e nxehta evropiane e botërore, ka bërë që gjithë shqiptarët të ndjehen krenarë me xhudisten pejane, e cila në mënyrën më të mirë të mundshme ka përfaqësuar shtetin tonë në rrafshin ndërkombëtar.

Në një intervistë për Telegrafi, ajo zbulon disa detaje interesante rreth përvojave të saja gjatë këtij viti, si dhe planet për vitin e ardhshëm.

Telegrafi: Si shkoi për ju viti 2014?
Majlinda: Viti 2014 ishte më i suksesshmi në karrierën time, duke e marrë parasysh që jam bërë Kampione e Evropës, si dhe Kampione e Botës për të dytën herë.

Telegrafi: Çfarë ndjenje është të jesh Kampione e Botës?
Majlinda: Është ndjenjë jashtëzakonisht e mirë, jo vetëm sepse jam Kampione e Botës, mirëpo që njëkohësisht jam edhe xhudistja më e mirë në botë, pasi jam e para në ranglistën botërore.

Telegrafi: A ishte e vështirë ta mbrosh titullin e Kampiones së Botës?
Majlinda: Realisht, ishte mjaft e vështirë, sepse konkurrenca në kategorinë 52kg është shumë e fortë, mirëpo unë jam në top-formë tash e dy vite dhe ia arrita që ta mbroj titullin me sukses.

Telegrafi: Si është përgatitur Majlinda për Kampionat Botëror?
Majlinda: Përgatitjet për Kampionat Botëror kanë qenë shumë të vështira dhe të mundimshme në të njëjtën kohë, mirëpo ky është edhe çelësi i suksesit sigurisht.

Telegrafi: A keni pasur mbështetje të mjaftueshme nga shteti i Kosovës?
Majlinda: Po, kam pasur mbështetje nga shteti, sidomos këto vitet e fundit. Tash e kemi edhe ligjin për sport, kështu që gjithçka varet nga vet ne sportistët, nga puna dhe djersa jonë.

RCCOLA

Telegrafi: Si u ndjetë kur pranuat çmimin e xhudistes më të mirë në botë nga kryetari i Federatës Botërore të Xhudos, Marius Vizer?
Majlinda: Unë mendoj që jam njeriu më me fat në botë, sepse të jetosh në Kosovë dhe të bëhesh më e mira në botë është ndjenjë tepër e mirë, e sidomos kur një njeri si Marius Vizer vjen në shtetin tënd dhe ta jep këtë çmim, është thjesht madhështore.

Telegrafi: Kujt ia dedikoni suksesin tuaj?
Majlinda: Suksesin tim ia dedikoj familjes sime, trajnerit tim Driton Kukës dhe të gjithë shqiptareve kudo që janë.

Telegrafi: Si të presin tani në vendet e huaja nëpër garat që merr pjesë?
Majlinda: Më presin shumë më mirë në çdo garë që shkoj, si dhe më trajtojnë ashtu si është më së miri.

Telegrafi: Sa e ndjen mbështetjen e tifozëve dhe mediave?
Majlinda: Mbështetja që e kam në Kosove nga njerëzit dhe mediat është shumë e madhe dhe normalisht se kjo më bën të ndjehem shumë mirë.

Telegrafi: Cili është ushqimi yt i preferuar?
Majlinda: Më pëlqejnë shumë ushqimet tona tradicionale, mirëpo ushqimi që më pëlqen më së shumti është mishi.

Telegrafi: Kundërshtarja më e fortë me të cilën je përballur?
Majlinda: Këtë vit ka qenë rusja Natalia Kuzyutina.

Telegrafi: Cili është momenti më i vështirë dhe ai më i lumtur në karrierën tënde?
Majlinda: Periudha më e vështirë në karrierën time ka qenë pas Lojërave Olimpike në Londër, periudhe kjo që nuk do ta harroj kurrë në jetë. Ndërsa, sa i përket momentit më të mirë, nuk di cilin ta ceki sepse këtë vit kam pasur shumë momente të mira që do të mbeten përgjithmonë në memorien time. Mirëpo, ndoshta pak më i veçantë ka qenë momenti kur e fitova Kampionatin Botëror në Rusi.

Telegrafi: Cilat janë planet tuaja për vitin 2015?
Majlinda: Në vitin e ardhshëm shpresoj të marr medalje në Lojërat Olimpike Evropiane, në Kampionatin Evropian, si dhe në Kampionatin Botëror.

Sa i përket Telegrafit, mendoj se jeni portal shumë serioz dhe e vlerësoj punën që e bëni, si dhe përkrahjen që më jepni. /Telegrafi/