RCCOLA

Magjup si Behrami

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Nga Imer Mushkolaj-Ndërmjet patriotëve si Armand Duka dhe “magjupëve” si Valon Behrami, unë do të zgjidhja këtë të dytin. Dhe “tradhtinë” e Xherdanit e Granitit.

Po të isha si Xherdan Shaqiri do ta festoja shumë golin e së martës mbrëma kundër Shqipërisë. Futbolli luhet për gola dhe ai e dha një të tillë. Por, i gjendur nën presion të paparë ai nuk diti të gëzohej, madje sikur u ndie fajtor.

Shaqiri dhe shokët e tij të Kombëtares së Zvicrës u quajtën madje edhe tradhtarë, vetëm për shkak se iu rastisi të luajnë kundër Kombëtares së Shqipërisë. Primitivizëm, racizëm, sharje e banalitete me bollëk u drejtuan drejt pesë djemve të pafajshëm, të cilët bënë gjënë më normale në botë – zgjedhjen e lirë për të ardhmen e karrierës së tyre. Zgjodhën të luajnë për Zvicrën, e cila iu dha gjithçka, e jo për Shqipërinë, e cila edhe mund t’i ketë refuzuar apo injoruar dikur. Por që i dëshiron tash, kur ata janë bërë yje.

Armand Duka i Federatës Shqiptare të Futbollit ishte ai që nisi stuhinë e leksioneve “patriotike”, duke e fyer Granit Xhakën. Të tjerë u gjendën të gatshëm që t’i vazhdojnë sulmet dhe terrorin verbal ndaj djemve nga Kosova, duke bërë që ata të përmbahen edhe në shënimin e golave ndaj kundërshtarit.

Duka dhe dukët tjerë të Shqipërisë s’duan të pranojnë assesi faktin se pesëshja shqiptare e Zvicrës më parë i takon Kosovës, sesa Shqipërisë. Pse u dashka të etiketohen ata si tradhtarë? Ata nuk kanë lindur në Shqipëri dhe s’kanë pse ndihen inferiorë për këtë.

Para se të merret me futbollistët kosovarë, Duka dhe të tjerë si ai është më mirë të merren me futbollistë dhe sportistë të tjerë shqiptarë, të lindur në Shqipëri të cilët, ta zëmë, mbrojnë ngjyrat e Greqisë, madje kanë ndërruar emër, mbiemër e fe për t’u dukur sa më grekë. A janë edhe ata tradhtarë, apo vetëm Shaqiri me shokë? Tekefundit, çfarë borxhi i kanë këta Dukës dhe Shqipërisë?

Histeria e sulmeve ndaj djemve kosovarë shkoi aq larg, sa që u sulmua në mënyrën më të poshtër edhe babai i Granit Xhakës, duke i mveshur epitete nga më të ulëtat, si “turkosllav” e “trap”. Thjesht për faktin se ai mbrojti të birin nga sulmet e Dukës, siç do të bënte çdo baba normal.

Ragip Xhaka, Ragip Behrami e të tjerët investuan shumë në djemtë e tyre. Në ta nuk investoi Duka. Të gjithë ndihemi krenarë për sukseset e tyre kur i shohim tek luajnë në liga të forta europiane dhe i konsiderojmë patriotë të mëdhenj. Si u bëka që brenda natës ata të shndërrohen nga patriotë në tradhtarë? Kështu dimë vetëm ne.

Deshi s’deshi kush ta pranojë, Kombëtarja e Shqipërisë është kjo që është falë më së shumti futbollistëve kosovarë. Edhe Tifozat Kuq e Zi janë këta që janë falë Kosovës. Çfarë kërkojnë këta pseudopatriotë më shumë nga Kosova? Nëse patriotizmi shqiptar ka mbetur të identifikohet më Dukën dhe FSHF’në, atëherë vaj halli për ne.

Mobi Casa

Para se të fyejnë futbollistët kosovarë, përgjegjësit e Kombëtares së Shqipërisë është mirë që të investojnë në talente të tyre, të investojnë në infrastrukturë sportive. Si të veprohet nesër, kur Kosova do të pranohet në UEFA e FIFA? A e kanë të qartë Duka dhe të tjerët se futbollistët kosovarë atëherë kanë të drejtë të zgjedhin për t’i mbrojtur ngjyrat e Kosovës, e jo të Shqipërisë? Apo armën më të fortë do të vazhdojnë të kenë epitetin “tradhtar” për të gjithë ata që nuk iu binden urdhrave të tij.

A duhet të bëhemi edhe ne kosovarët zot të vetes ndonjëherë, apo për ne duhet të vendos gjithmonë Tirana, me politika hegjemoniste e paternaliste? Njerëz kthjelluni, gjërat kanë ndryshuar. Tash gati pesë vjet ekziston edhe një shtet i ri – Kosova. Pse nuk doni ta pranoni këtë fakt?

* * *

Demokraci don të thotë që secili të bëjë zgjedhjen që i pëlqen. Njësoj vepruan edhe futbollistët kosovarë. Ata luajnë për Zvicrën, sepse ky shtet iu ofron kushte më të mira, sepse ka investuar në ta. Çfarë ka të keqe këtu?

Por, t’i fyesh vetëm pse ata nuk zgjodhën t’i bashkohen Kombëtares së Dukës, të tregohesh racist i fëlliqtë, duke e quajtur “magjup” Valon Behramin, është më tepër se e turpshme. Nëse ai cilësohet i tillë vetëm pse është treguar profesionist dhe ka përfaqësuar vendin që i ka dhënë gjithçka, atëherë edhe unë jam magjup.

Të vjen të vjellësh kur sheh dhe dëgjon të japin leksione atdhedashurie edhe të atillë që matrapazllëkun dhe hajdutllëkun i kanë profesion. Të atillë që rrjepin Kosovën dhe Shqipërinë në emër të patriotizmit e shqiptarizmit, duke u pasuruar sa s’bën.

Për ata që vendosin kush është patriot e kush tradhtar, një pyetje e thjeshtë: A janë tradhtarë Rita Ora, Luan Krasniqi, Fadil Berisha e të tjerë si puna e këtyre?

Vetëm të sjell ndërmend edhe se pejani Fatos Beqiraj i dha dy gola në ndeshjen e Malit të Zi kundër San Marinos. Çfarë tradhtari!