Mafio-politika e gjunjëzoi drejtësinë

Ditë më parë, kryetari i Gjykatës së Apelit të Kosovës, Hasan Shala, deklaroi se ka edhe paaftësi profesionale te policia, prokuroria, gjykatat, që po u dështojnë rastet e korrupsionit.
“Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë është bërë MISION I PAMUNDUR, për shkak të lidhjeve kriminale të pushtetarëve të nivelit të lartë me mafio-oligarkët dhe nëntokën kriminale, të cilët kanë instaluar një kastë të prokurorëve dhe gjyqtarëve të dëgjueshëm dhe të nënshtruar, që u japin përgjegjësi vetëm atyre (pra mafiooligarkëve të politikës e pushtetit), e jo ligjit e Kushtetutës së vendit në të cilat kinse janë ‘betuar’ para popullit”, thotë analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”.
Ditë më parë, kryetari i Gjykatës së Apelit të Kosovës, Hasan Shala, deklaroi se ka edhe paaftësi profesionale te policia, prokuroria, gjykatat, që po u dështojnë rastet e korrupsionit.
Duke reaguar ndaj këtij konstatimi, analistët dhe njohësit e fushës së të drejtës mendojnë se në shumë raste edhe qëllimisht po tregohet prokuroria joprofesionale në hartimin e plotë të aktakuzave për krim të organizuar dhe korrupsion, të cilat gjykatat po i rrëzojnë, e në ndonjë rast serioz, kur bëhet fjalë për ‘jakat e bardha’, zyrtarët e lartë, e gjithë kjo bëhet edhe me urdhër të pushtetarëve të inkriminuar dhe të mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale, qoftë duke u bërë aktakuzat e dobëta dhe me plot vakume e prova të prishura qëllimisht nga vetë hetuesit, por edhe duke i korruptuar gjykatësit që t’i hedhin poshtë lëndët që prokuroria i dërgon në gjykatë.
Dhe kur të kihen parash të gjitha këto rrethana manipulative, me të drejtë fitohet bindja dhe del konstatimi se ose është bërë pothuajse mision i pamundur lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë. Rezultati i krejt kësaj është se, sidomos pasi që pushtetarët e nivelit të lartë që janë të lidhur me mafio-oligarkët dhe nëntokën kriminale që kanë instaluar një kastë të prokurorëve dhe gjyqtarëve të vetë të nënshtruar, ata japin përgjegjësi vetëm para mafio-oligarkëve të politikës e pushtetit dhe jo edhe ndaj ligjit e Kushtetutës së vendit.
Kelmendi: Drejtësi pazaresh e matrapazllëqesh të ulëta
Sipas analistit dhe publicistit Naim Kemendi, një konstatim i tillë i kryetarit të Gjykatës së Apelit edhe mund të jetë i bazuar, derisa po shihet ashiqare se çfarë niveli të drejtësisë kemi në vend.”Një konstatim i tillë edhe mund të jetë i arsyeshëm e i besueshëm, pasi që të gjithë po e shohim se si veprohet në këtë drejtësi jofunksionale, se si jetohet në një shtet me drejtësi të kriminalizuar, të korruptuar, të pamoralshme dhe joprofesionale, ku hasim lloje të ndryshme abnormalitetesh dhe amoralitetesh, lloje të ndryshme paturpësish e veprimesh kriminale e korruptive, një drejtësi pazaresh e matrapazllëqesh të ulëta që vetëm në praktikën tonë të sundimit të ligjit të ndikuar nga mafio-politika mund të ndodhin”, theksoi ai për “Kosova Sot”.
ZEQA: EDHE PËRKUNDËR DËSHTIMIT TË SISTEMIT TË DREJTËSISË, PËR 20 VJET NUK ËSHTË NDËSHKUAR ASNJË GJYQTAR PËR SHKAK TË PERFORMANCËS SË DOBËT!
Analisti politik Florim Zeqa vlerëson se sidomos hedhja poshtë e të gjitha akuzave në rastet e “peshqve të mëdhenj” tregon për dështimin total të sistemit të drejtësisë.”Edhe përkundër dështimit të sistemit të drejtësisë, për 20 vjet nuk është ndëshkuar asnjë gjyqtar për shkak të performancës së dobët! Mosndëshkimi i rasteve të rënda korruptive, përkatësisht dënimet me kusht, janë rezultat i pazareve të pista dhe produkt i “kompromiseve” mes prokurorëve dhe gjyqtarëve.Vetëm në Kosovë ndodh që një i dyshuar me 35- 50 apo 100 akuza të dënohet (lirohet) me kusht! Dënimi me kusht është i aplikueshëm në raste të lehta, por jo edhe në rastet e rënda korruptive e kriminale. Dënimi me kusht i një krimineli është në kundërshtim me etikën e çdo gjyqtari. Në asnjë rrethanë, akuzat për vepra të rënda korruptive dhe kriminale nuk guxojnë të përfundojnë me dënime me kusht! Situatat e dënimit me kusht shpërfaqin paaftësinë profesionale, nepotizmin dhe korrupsionin brenda sistemit të drejtësisë”, u shpreh ai.”Dështimet e rasteve të rënda, për më tepër se vepër e joprofesionalizmit të prokurorëve dhe gjykatësve, është produkt i interferimit të politikës, përkatësisht me urdhër të pushtetarëve të inkriminuar dhe të mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale, qoftë duke u bërë aktakuzat e dobëta dhe me plot vakume e prova të prishura qëllimisht nga vetë hetuesit, por edhe duke i korruptuar gjykatësit që t’i hedhin poshtë lëndët që prokuroria i dërgon në Gjykata”, vijoi më tej ai.”Kësisoj lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë është bërë MISION I PAMUNDUR, për shkak të lidhjeve kriminale të pushtetarëve të nivelit të lartë me mafio-oligarkët dhe nëntokën kriminale, të cilët kanë instaluar një kastë të prokurorëve dhe gjyqtarëve të dëgjueshëm dhe të nënshtruar, që u japin përgjegjësi vetëm atyre (pra mafio-oligarkëve të politikës e pushtetit), e jo ligjit e Kushtetutës së vendit, në të cilat kinse janë ‘betuar’ para popullit”, ka thënë Zeqa. “Deklaratat e kryetarit të Gjykatës së Apelit se ka paaftësi profesionale tek policia, prokuroria, gjykatat, që po u dështojnë rastet e korrupsionit, përveçse një e vërtetë e hidhur, është një sinjal i mirë se brenda sistemit të drejtësisë ka gjykatës dhe prokurorë të përkushtuar për luftimin e të gjitha dukurive negative, të cilët e presin me padurim procesin e VETTING-ut për të shpërthyer kundër të keqes së madhe që ka pllakosur sistemin e drejtësisë dhe vendin në përgjithësi”, tha Florim Zeqa për “Kosova Sot”
MIFTARI: POLICIA DHE GJYQËSIA JANË SHUMICA TË KORRUPTUAR DHE RASTET PENALE I SHESIN ME URDHRA NGA SHEFAT E TYRE TË KORRUPTUAR
Eksperti tjetër i kësaj fushe, Naim Miftari, thotë se deklarata e kryetarit të Gjykatës të Apelit mbi paaftësinë profesionale të policisë lidhur me ndjekjen dhe luftën kundër korrupsionit është serioze, tregon se deri ku është kalbur sistemi i drejtësisë dhe organet e ligjit, duke i hedhur fajin njëritjetrit.”Në fakt vetë policia dhe gjyqësia janë shumica të korruptuar dhe shumicën e rasteve penale i shesin apo i devalvojnë qëllimisht me urdhra nga shefat e tyre të korruptuar, ku janë të korruptuar edhe vetë. Humbja e provave, devalvimi apo shkatërrimi i provave, dekonspirimi dhe frikësimi i dëshmitarëve nuk është fenomen i rrallë, shpeshherë ndodh që X prokurori apo Y hetuesi policor kur i hetuari i takon rrethit të bosëve politikë dhe nëntokës së të parit i njoftojnë shefat prapa të cilëve qëndrojnë, pra ata në vend që ta mbrojnë interesin e shtetit dhe ligjit bëhen avokatë të krimit të organizuar me mbështetje nga politika e korruptuar e mafies moderne që përmes politikës i kontrollon policinë, gjyqësinë, prokurorinë dhe gjitha institucionet e tjera me rëndësi vitale për një shtet funksional. Kjo tregon se shteti i Kosovës ka kapitulluar para krimit të organizuar politik”, tha Naim Miftari për ‘Kosova Sot’.
Me këtë lidership, dështimi i garantuar
Njohësi tjetër i kësaj fushe, Hidajet Ahmeti, thotë se gjendja e krijuar në sistemin e drejtësisë është si pasojë e një lidhje të strukturuar, orkestruar, por edhe e sofistikuar, e cila ka derivuar nga pushtetet kriminale të instaluara në vazhdimësi. “Gjithë rrjedha e këtij procesi të dështuar është falë piramidës kriminale të ndërtuar në hierarkinë shtetërore të institucioneve publike. Fryma e instalimit politik, nepotik e joprofesional ka prodhuar një gjendje anarkie në sistemin e drejtësisë, ku kriminelet e vërtetë shëtisin të lirshëm dhe udhëheqin institucione të rëndësishme publike, kurse qytetarët e varfër dhe të lodhur nga ky mjerim socio-ekonomik vuajnë pasojat e kësaj politike”, potencoi ai.”Nëgjendjen e krijuar, jo vetëm në sistemin e drejtësisë, por në komplet hallkën zinxhirore të shtetit duhet të ndodhin ndryshime radikale, të cilat bëjnë një prerje të gjendjes faktike, nxjerrin në shesh të palarat e kriminelëve të vërtetë, e pastaj të vazhdohet nga një pikë fillestare e strategjike, e cila ka në destinacion të caktuar, specifik e shumë të qartë për Republikën e Kosovës”, vijoi më tutje Ahmeti.”Vetëm me një transformim të tillë, duke ndryshuar qasje e duke prodhuar një frymë demokratike të mirëbesimit dhe mirëkuptimit institucional e qytetar, Republika e Kosovës mund të vendoset në binarë të duhur. Me qasje të njëjtë të instalimit dhe implementimit të politikave publike, edhe pse me këta udhëheqës, Kosova e ka të garantuar dështimin nga brenda, por edhe në politikat e jashtme”, vlerësoi ai për “Kosova Sot”.
(Kosova Sot)