RCCOLA

Mafio-oligarkët nuk ka kush t’i hetojë

/ 7 minuta lexim

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se prokurorët mbase qëllimisht po i neglizhojnë rastet e caktuara të hetimit kundër mafio- oligarkëve të inkriminuar të lidhur me mafio- politikanë me pozita të larta të pushtetit nëpër komuna, në ministri, Qeveri e nëpër borde të ndryshme, përkundër faktit se ka prova dhe argumente të mjaftueshme për t’i hetuar apo edhe për t’i ngritur aktakuza për “krim të organizuar”.

Ndaj, ata kanë shtruar edhe çështjen se çfarë drejtësie mund të pritet në shtetin tonë kur prokurorët shantazhohen, frikësohen, kërcënohen dhe bien pre e ndikimeve të caktuara nga joshjet kriminale, duke u bërë e mbetur për interesa të tyre pjesë e dukurive të lartcekura? Analisti Skënder Kapiti ka thënë se degradimi dhe falimentimi i drejtësisë vjen prej disa faktorëve, ku së pari futet kriteri dhe karakteri politik i saj, pra përzgjedhja e të emëruarve në prokurori dhe gjykata të individëve sipas preferencave politike, ku më pastaj drejtësia i shërben urdhrave politikë.

Së dyti, sipas tij, janë përzgjedhja sipas kriterit nepotik, farefisnor dhe të joprofesionalizmit, ku gjyqtarët dhe prokurorët janë të paaftë profesionalisht, të cilët bien pre e politikës si servile dhe si puthadore të pushtetit, dhe e treta, siç tha, kur prokurorët dhe gjyqtarët janë individë amoralë në kuptimin e asaj se janë të papersonalitet, të padinjitet, frikacakë dhe lehtësisht të korruptueshëm nga abuzimi dhe ryshfeti për të bërë padrejtësinë.

Zyrtarët blihen

Analisti Naim Miftari thotë se, sipas mendimit të tij, neglizhenca dhe frika e prokurorëve për t’u marrë me raste të rënda penale kundër krimit të organizuar ka disa arsye. ” E para, shumica e prokurorëve, para se të pranohen në detyrë blihen dhe punësohen me kontratë të pashkruar nga partitë politike apo klanet e partive që mbrojnë interesin e disa individëve brenda politikës që po ashtu janë të lidhur direkt me krim të organizuar. Pastaj edhe po të tentojë prokurori që ta shtyjë ndonjë lëndë të rëndësishme, procedura pengohet nga vetë gjyqtari apo nga kolegët e tjerë dhe rasti komprometohet, prandaj edhe kanë frikë se mund t’u ndodhë ndonjë e keqe atij ose familjarëve të tij”, theksoi ai. “Gjersa drejtësia nuk mbron vetëm ligjin, por mbron pushtetarët dhe politikanët e korruptuar, që janë dorë e zgjatur e mafisë, nuk do të ketë rregull pa u pastruar politika dhe drejtësia nga ndikimet e jashtme”, potencoi për “Kosova Sot”, Miftari. Ndërsa, analisti Dardan Grapci ka veçuar se prokurorët e Kosovës janë të frikësuar nga klasa politike dhe nga mafio- oligarkia, prandaj nuk është diçka që duhet të çuditemi, por shtrohet pyetja- si ka mundësi që në Kuvendin e Kosovës nuk u formua ndonjë ligj për mbrojtjen e prokurorëve nga shantazhimet dhe kërcënimet prej të dënuarve politikë dhe biznesorë? Po ashtu, pse siç tha Qeveria e Kosovës po lejon që prokurorët, të cilët e kanë dhënë betimin për të punuar ndershëm në mënyrë ligjore, sot ata ndihen të rrezikuar nga momenti kur shkojnë në gjykatë e derisa të kthehen në shtëpi? ” Aktakuzat ndaj mafio- oligarkisë duhet të hetohen dhe të dënohen, por për të ndodhur kjo, duhet që prokurorët e frikësuar të largohen nga puna, dhe të hyjnë në punë njerëzit që s’kanë frikë nga kërcënimet dhe nga shantazhimet e të korruptuarve”, tha për “Kosova Sot”, analisti Grapci .

Fidanishtja

SISTEMI, PJESË E KORPORATOKRACISË

Kapiti thotë se sistemi i drejtësisë në Kosovë është kapur dhe i mbushur me gjyqtarë të tillë, dhe kjo ka sjellë pasojën e falimentimit të sistemit të drejtësisë. “Pra, sistemi i drejtësisë është bërë pjesë dhe palë e korporatokracisë mafio- oligarkike të kriminalizuar dhe korruptive bashkë me politikën dhe biznesin, si dhe me median, pra janë aleatë të 4 pushtetet, politika, pushteti, gjyqësori dhe media. Me një fjalë, gjithçka në Kosovë i duhet nënshtruar VETTING- ut ku së pari është urgjente për pastrim dhe VETTING, DREJTËSIA”, u shpreh ai. “Por, ajo e cila më habit shumë është fakti se jo vetëm politika, pushteti dhe gjyqësori nuk e duan VETTING- un dhe janë armiq të tij për shkaqet e paraqitura më lart, por çuditem se si qëndron indiferente shoqëria civile dhe mediet në Kosovë, pse nuk reagojnë ato apo edhe ato janë të korruptuara dhe të mbërthyera nga korrupsioni. Shumë pak reagime ka prej tyre dhe ato që bëhen janë spontane dhe individuale. Vetëm “KOSOVA SOT” kryesisht e luan misionin e saj opozitar kundër të këqijave të politikes, pushtetit dhe të padrejtësive të drejtësisë, dhe ka qysh me fillimin e domosdoshmërisë së miratimit të reformës së drejtësisë, të VETTING-ut në Shqipëri me këmbënguljen e SHBA-së që gazeta “KOSOVA SOT” ka kërkuar publikisht gjithnjë me të drejtë edhe VETTING- un e klasës politike dhe të drejtësisë në Kosovë, gjë e cila asaj edhe i ka dhënë bindshëm më shumë akoma autoritetin dhe besimin qytetar si gazeta e vetme, e paanshme në mbrojtje të ligjit dhe të demokracisë”, u shpreh për gazetën “Kosova Sot” analisti Skënder Kapiti.

Të shtohen masat ndëshkuese

Analisti Naim Kelmendi ka vlerësuar se mbase prokurorët qëllimisht po i neglizhojnë rastet e caktuara të hetimit kundër mafio- oligarkëve të inkriminuar të lidhur me mafio- politikanë me pozita të larta të pushtetit nëpër komuna, në ministri, Qeveri e nëpër borde të ndryshme, përkundër faktit, siç tha, se ka prova dhe argumente të mjaftueshme për t’i hetuar apo edhe për t’i ngritur aktakuza penale për “krim të organizuar”. Po sipas tij, me prokurorë të papërgjegjshëm që ngrenë aktakuza sa për të thënë se po e luftojmë korrupsionin, duke plotë- suar kështu numrin formal dhe që ato aktakuza nuk përfundojnë me vendime të prera gjykate, kësisoj nuk mund t’i ‘qitet hi syve’, as opinionit vendor dhe as atij ndërkombëtar. “Andaj, duhet që të ashpërsohen masat ndëshkimore, por edhe ato suspenduese e përjashtuese nga puna, qoftë apo edhe me largim krejtësisht nga puna të prokurorëve të nënshtruar ndaj krimit e të dëgjueshëm përmes ‘shit- blerjes’ së pozitave të tyre nga mafio- politikanët dhe mafio- oligarkët, në mënyrë që dhe të njëjtët të zëvendësohen sa më parë me kuadro ( prokurorë) të tjerë të aftë e të ndershëm, e të përgjegjshëm, me etikë e integritet profesional dhe që punojnë vetëm sipas ligjit dhe jo në bazë të interferimeve të politikës dhe mafiooligarkisë”, theksoi Kelmendi për “Kosova Sot”. Sipas tij, organi i akuzës duhet të jetë në funksion të detyrave ligjore, që i obligojnë në mbrojtjen e qytetarëve dhe në luftimin e gjykimin e këtyre fenomeneve të së keqes në shoqëri.

(Kosova Sot)