Macron: Normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, kusht thelbësor për integrimin e dy shteteve në BE

Presidenti i Francës, Emanuel Macron, ka deklaruar se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është kusht thelbësor për integrimin e të dy vendeve në Bashkimin Evropian.
Këtë deklaratë Macron e ka bërë pas takimit me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Folëm edhe për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Franca është thellësisht e përkushtuar për këtë. Është kusht thelbësor për integrimin e tyre evropian”, ka shkruar Macron në llogarinë e tij në platformën “x”.
Macron ka thënë se në këtë takim ka theksuar angazhimin për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ata kanë folur edhe për situatën në Bosnje dhe Hercegovinë.
Pas takimit, ka folur edhe Vuçiq, i cili u tha gazetarëve se me Macronin diskutoi për çështjet gjeopolitike dhe për situatën në Serbi.