UBT

LVV: Qytetarët e Vitisë u mashtruan keq nga qeverisja e Sokol Halitit

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Viti – Kur shikon tre vjet qeverisje të Sokol Halitit, e vërejmë se qytetarët e Vitisë ishin mashtruar keq. Në vend që t`i përvishet punës dhe komunën t’ia kthej qytetarëve, ai e ktheu atë vetëm në funksion të pushtetit dhe interesit të tij personal dhe klanor dhe aspak për qytetarët e Vitisë thuhet në reagimin e LVV qendra në Viti.

Qytetarët e komunës së Vitisë, të lodhur përgjatë dy mandateve të keqqeverisjes së PDK-së, tre vjet më parë, votuan me shpresë për ndryshime pozitive aq të nevojshme. Në këto kushte, Sokol Haliti me propagandë të paskrupullt, premtime pa mbulesë, manipulim të pashpirt me fatin e shumë nevojtarëve për punë, vendosje në “ankand” të pozitave në pushtet për ata që sjellin më shumë vota, kishte luhatur vëmendjen e qytetarëve dhe arritur synimin e tij për të marr me çdo kusht drejtimin e Vitisë.

Por duke shikuar në retrospektivë edhe ajo që atëherë ishte marrë me dyshime dhe ironi për “humbjen” e dy kafshëve-lopëve, sa kishte qenë Drejtor i Bujqësisë në kohën e qeverisjes së z. Musa Misini, doli të jetë e vërtet (të pakën kurrë nuk pati përgjigje). Si duket kjo ngjarje dhe të ngjashme që kanë mund të ndodhin, e që qytetarët e Vitisë ende nuk i dinë apo nuk mund ti pranojnë si të sakta, kanë formësuar mentalitetin e tij qeverisës, i cili gjithçka mund të quhet, përveç përfaqësim i interesit qytetar, qeverisje e ndershme dhe profesionale, respektim të ligjit dhe procedurave, zhvillim e rritje të mirëqenies.

Kur shikon tre vjet qeverisje të Sokol Halitit, e vërejmë se qytetarët e Vitisë ishin mashtruar keq. Në vend që t`i përvishet punës dhe komunën t’ia kthej qytetarëve, ai e ktheu atë vetëm në funksion të pushtetit dhe interesit të tij personal dhe klanor dhe aspak për qytetarët e Vitisë. Ajo që është parë për këto tre vjet qeverisje të dështuar, është vetëm përpjekje që me çdo kusht për të imponuar një përshtypje false për të ashtuquajturat suksese të tij. Lista e dështimeve të Sokol Halitit në qeverisjen e Vitisë është e gjatë dhe sigurisht që edhe të tjerë apo me shkrime tjera do të bëhen të ditura, por në mënyrë të përgjithësuar, do të veçojmë vetëm disa për të ri sjellë vëmendjen e qytetarëve të Vitisë:
Në fushatën parazgjedhur kishte premtuar me agresivitet se ekipi i tij qeverisës do të jetë profesional dhe qytetarët e Vitisë do të udhëhiqen nga një “ekip brilant”. Ne, nuk do të mund të besojmë që ekipi më i mirë i një partie me aktivitet dhe shtrirje të gjerë është ekipi aktual që po qeverisë me Vitinë. Faktet më shumë flasin se Sokol Haliti është kujdesur për të konsoliduar pushtet personal dhe siguruar bindje të verbër. Si rezultat asnjë vendim apo veprim në Komunën e Vitisë, qoftë edhe shërbim, nuk mund të ofrohet pa diktat personal. Një qeverisje e mirë nënkupton ofrim cilësor dhe profesional të shërbimeve përmes ushtrimit ligjor dhe autonom të përgjegjësive të secilit organ të institucionit;
Qeverisja e tij vazhdon me mendësinë e “lopëve të humbura”, që nënkupton që paraja publike dhe pushteti institucional vëhen në funksion të interesit personal, klanor apo edhe grupimi politik, por jo në funksion të interesit të të gjithë qytetarëve. Si rezultat kjo qeverisje shoqërohet me shkelje të shumta ligjore, procedurale dhe keqmenaxhim apo keqpërdorime të shumta. Paraja publike përmes tenderëve jo transparent u jepet vetëm një numri të vogël të operatorëve ekonomik, të cilat kanë financuar fushatën, kanë lidhje të ngushta klanore apo dyshohet për konflikt interesi për shkak të lidhjeve familjare me “ekipin brilant”; Edhe pse mendojmë që nuk paraqet në plotni të gjitha rastet, mjafton të shikohet Raporti i Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2015, për të parë dështimin e Sokol Halitit dhe qeverisjes së tij “brilante”. Në një sistem pak më funksional, të gjeturat e Auditorit do të ishin bazë e qëndrueshme për të vënë në lëvizje pushtetin e tretë (prokurorinë-gjyqësinë).

Gjendja në arsim është përkeqësuar. Politizimi i egër, punësime të paligjshme dhe vendosjen e këtij sektori kaq të rëndësishëm vetëm në funksion të përfitimit elektoral personal e grupor është dëmi më afatgjatë që po i shkaktohet Vitisë dhe perspektivës së saj.

Pra, çka mund të presim prej kësaj sfere, kur në raportin e institucionit të Avokatit të Popullit, komuna e Vitisë prinë ose është në mesin e komunave tjera që dominohet prej parregullsive të shumta si dhe manipulimin me kuadrin arsimorë.

Parregullsi që nisin qysh prej formimit të komisioneve për intervistimin e kandidatëve, mostrajtimin e barabartë si dhe futja e atyre që shkojnë në baza të njëjta partiake. Po ashtu duke u bazuar në formularin për poentimin e kandidatëve, vërehet se në këtë komunë si kriter për poentim të kandidatëve është edhe: “Kandidati vendas, kandidati që jeton ku gjendet shkolla i caktohet 1 pik paraprakisht.

UBT

Avokati i Popullit, duke analizuar kriteret për poentimin e kandidatëve në komunën e Vitisë, konstaton se kriteri në bazë të cilit kandidatët të cilët jetojnë në lokalitetin ku gjendet shkolla, sipas të cilit kriter konkurruesit fitojnë pikë, është kriter diskriminues, ky kriter në njërën anë, shkelë të drejtën për trajtim të barabartë dhe krijon pabarazi mes konkurrentëve dhe në anën tjetër krijon favorizim për kandidatët në bazë të lokalitetit ku jetojnë, me që sipas Kushtetutës, të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe me që askush nuk mund të diskriminohet.

Këto parregullsi dukshëm janë të shpërfaqura edhe në shkollën e mesme, Gjimnazi “Kuvendi i Lezhës”, ku disa nga profesorët ligjërojnë në s’përputhje me atë çfarë thirren zyrtarisht.

Gjatë tri vite të qeverisjes, nuk është ofruar asnjë projekt që do të ishte në funksion të zhvillimit, përmirësimit të jetës së qytetarëve apo nxitjes së perspektivës. Në vend të kësaj, Sokol Haliti ka shpenzuar për luks, udhëtime shëtitëse pa asnjë përfitim për Vitinë dhe shtrim asfalti jo cilësor, që shkatërrohet ende pa i vendos sinjalistikën dhe me gjerësi vetëm 3 metra, që duket standard i ri për të cilin lirisht mund të kërkoj patentim sepse askund smund të gjendet. Po të analizohet vetëm pak më shumë, del që as qëllimin e tij ad hoc për përfitim elektoral nuk mund të arrij. Le të shpresojmë që nuk bëhet për përfitime materiale. Madje edhe projektet që nuk i kishte filluar vet, si Palestra e Sporteve, që ishte premtuar që në vitin e parë të qeverisjes, po kalon viti i tretë dhe ende nuk ka asgjë konkrete.

Dështimin e tij në qeverisje gjatë gjithë kohës është munduar ta mbuloj përmes një mendësie qeverisjeje jodemokratike, që mundohet të vë nën kontroll çdo zë kritik nga shoqëria civile, mediat apo edhe personalitete të pavarura. Ndërsa opozitën mundohet ta hesht me presion, shantazhe, blerje apo ofrim të pozitave.

Përveç dështimit në qeverisje, Sokol Haliti është kujdesur mjaft shumë të dëmtoj rëndë imazhin edhe jashtë Vitisë. E filloj në mënyrë të paprecedent dhe qesharake, në kufijtë e tragjedi-komedisë, me marrjen e titullit Honoris Causa, në ambiente të Kuvendin Komunal nga një “institucion akademik’ fiktiv, për të vazhduar deri me ndarje titujsh e dekoratash të shumta dhe pa asnjë kriter. Rezultat i vetëm i këtyre “aktiviteteve” është postimi i fotografive me “personalitete të shquara” vendore e ndërkombëtare;
Duke përmbledhur tri vitet e deritanishme të qeverisjes dhe përcjellur veprimet e fundit, nuk ka shpresë se do të ketë përmirësim në vitin e fundit të qeverisjes. Aktivitetet e shtuara së fundi për të dëshmuar për “kryetarin më të suksesshëm të pasluftës” nuk mund të cilësohet asgjë tjetër, vetëm si përpjekje për të mbuluar qeverisjen më të dështuar të pasluftës.

Vitet e humbura, nuk kthehen dot, por e bukura është që ka filluar përfundimi i një epoke të dominuar nga mendësia qeverisëse e deritanishme dhe jam i bindur që zgjedhjet e radhës do të prodhojnë udhëheqje me integritet, që bashkendjenë dhe ofron zgjidhje për hallet e qytetarëve, pa dallim dhe diskriminim dhe që ka vizion e përgatitje profesionale për të bashkëjetuar Vitinë me qytetarët drejt një perspektive zhvillimore.

Një ditë më pak për këtë qeverisje një ditë më shumë për shoqërinë, si dhe një kohë më shumë për shoqërinë një mundësi për shumë mundësi përfundon reagimi i LVV qendra në Viti./rajonipress/