UBT

Lutfiu: Tensionet Kosovë-Serbi manifestohen edhe në Luginë të Preshevës

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Nevzad Lutfiu, kryetar i Këshillit Kombëtar i Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, tha se sa herë që ka tensione në mes Kosovës e Serbisë, gjithmonë manifestohet edhe në Luginën e Preshevës.

“Edhe tani pas ngjarjes që ndodhi në veri të Kosovës, kemi lëvizje të ushtrisë së Serbisë në këto anë. Kjo formë e lëvizjes së ushtrisë e krijon dhe rrit pasigurinë e shqiptarëve në Serbi”, tha Lutfiu.

Lidhur me tërheqjen e trupave ushtarake serbe nga kufiri me Kosovën, Lutfiu tha se ka lëvizje të trupave ushtarake në brendi të territorit të Bujanocit e Preshevës, sidomos pas ngjarjes në veri të Kosovës.

Ai përmendi një rast në Medvegjë, në ditën e shtunë, ku një familje shqiptare ishte sulmuar nga disa adoleshentë serbë.

“Frika për ngjarje të tilla ekziston edhe për faktin se në Serbi ka ekstremistë të shumtë që fare nuk kontrollohen nga shteti. Imagjinoni një shtet që ka ambicie territoriale ndaj një shteti tjetër, çfarë mund të bëjë ndaj një komuniteti që është në kuadër të territorit të tij”, deklaroi Lutfiu, për RTK.

Mobi Casa

Për situatën e tanishme të sigurisë, në Luginë të Preshevë, Lutfiu tha se nuk ka ndonjë ekses, por që, shtoi ai, është në kontakt të vazhdueshëm me faktorët ndërkombëtarë.

“Thirrja jonë e vazhdueshme e shqiptarëve të Luginës së Preshevës është që shqiptarët të mos bien pre e provokimeve nga ana e serbëve, të mos krijojnë një alibi që të krijojë një kundërefekt. Pra shqiptarët janë jashtëzakonisht të qetë, të kujdesshëm”, tha Lutfiu, teksa shtoi se janë në kontakt të vazhdueshëm me qeverinë e Kosovës.

Më tej, Lutfiu shtoi se pas ngjarjes në veri të Kosovës, raportet ndërmjet komunitetit shqiptar e serb janë ftohur, ndërsa përmendi faktin e shqiptarët atje janë më të diskriminuarit në Evropë.

Lutfiu ka folur edhe për koordinimin me institucionet shtetërore të Kosovës e Shqipërisë, duke shtuar se ka një koordinimin të plotë me qeverinë e Kosovës.

“Në këtë aspekt jemi shumë në rregull, por është shumë e rëndësishme që gjatë ditëve të ardhshme edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës të jenë jashtëzakonisht të vëmendshëm, sepse jetojmë në një shtet, i cili asnjëherë, në asnjë moment nuk e ka pranuar përkatësinë tonë etnike. Pra, e ka pasur jashtëzakonisht qasjen diskriminuese dhe, në kësi raste, hatërmbetjen që ka me Kosovën, di ta shfryjë ndaj shqiptuarve në Serbi. Prandaj është shumë e rëndësishme që ne, si spektër politik, të kemi një koordinim edhe me qeverinë e Kosovës dhe atë të Shqipërisë që edhe në këtë moment ta kalojmë pa ndonjë incident”, deklaroi Lutfiu.