Uji Dea

Lutfiu: Serbia investon 5.3 milionë euro në shkollat me nxënës serbë në Luginë, përjashton nga lista ato me nxënës shqiptarë

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiu ka bërë të ditur se Qeveria e Serbisë po diskriminon në kufi të racizmit nxënësit shqiptarë.

Lutfiu përmes një postimi në Facebook ka treguar investimet që bën Serbia në shkollat me nxënës serbë dhe në ato me nxënës shqiptarë.

“Me keqardhje të thellë, më duhet që në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar të paraqes një listë të investimeve që Qeveria e Serbisë e ka bërë për shkollat në Luginën e Preshevës, e ku në fokus të investimeve janë vetëm shkollat ku mësojnë nxënësit serbë kurse nga listat e investimeve janë përjashtuar tërësisht shkollat ku mësojnë nxënësit shqiptarë”, thuhet në reagimin e kryetarit të KKSh-së.

Ai ka paraqitur me shifra investimet që janë duke u bërë në shkollat ku mësojnë nxënësit serbë, e që janë si në vijim:

– Renovimi i shkollës fillore “Branko Radiqeviq”, në Bujanoc, 233.887.773.36 dinarë apo 1.98 milionë euro.

Eco Higjiena

– Renovimi i shkollës së mesme “Sveti Sava” në Bujanoc, 200.147.821,80 dinarë apo 1.7 milionë euro.

– Renovimi i sallës së sportit të shkollës “Branko Radiqeviq”, në Bujanoc, 150.541.972.54 dinarë apo 1.28 milionë euro.

– Ndërtimi i terrenit sportiv tek shkolla fillore “Vuk Karaxhiq” në fshatin Osllare, 2.696.891 dinarë apo 22937 euro.

Ndërsa kërkesa e fundit për renovimin e shkollës fillore”Sami Frashëri” në fshatin Lluçan, sipas Lutfiut është refuzuar.

“Ne nuk jemi kundër investimeve në shkollat ku mësojnë nxënësit serbë. Përkundrazi i gëzohemi mundësive më të mira për mësim-nxënie tek nxënësit e gjitha komuniteteve. Por, Këshilli Kombëtar Shqiptar mbetet tejet i shqetësuar me diskriminimin në kufi të racizmit që po ndodhë në një vend që synon integrime evropiane”, thuhet në reagimin e Lutfiut. /Telegrafi/