Lutfi Haziri: “Partizanin e Plagosur” e zhvendosi kolosi Idriz Seferi dhe mijëra kryengritës shqiptarë, jo unë!

Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se protesta e sotme simbolike tregon se gjilanasit e kanë përshëndetur në tërësi zhvendosjen e përmendores së “Partizanit të Plagosur”.

“Në ‘protestë’ morën pjesë një grup simbolik i të rinjve të painformuar për historinë e lapidarit komunist dhe kjo tregon se gjilanasit e kanë përkrahur në tërësi zhvendosjen e “Partizanit të Plagosur” sepse, siç e ka shpjeguar Lidhja e Historianëve “Ali Hadri”, 16 nëntori nuk është ditë e çlirimit për shqiptarët, por ditë e ripushtimit, ku mbi 8 mijë njerëz janë masakruar nga ajo ideologji, e cila ka qenë kundër shqiptarëve”, tha Haziri.

Haziri tha se përmendorja nuk është zhvendosur nga ai, por nga heroi Idriz Seferi dhe mijëra kryengritës shqiptarë.

“Unë nuk e kam zhvendosur atë përmendore, por është kreshniku i Karadakut, Idriz Seferi dhe mijëra kryengritës shqiptarë të cilët e kanë zhvendosur sepse me sakrificën e tyre, nuk kanë mund ta durojnë që të qëndroj në atë vend të shenjtë. Duhet ta ritheksojmë se ka qenë Mulla Idriz Gjilani, i cili është kryengritur kundër ideologjisë partizane, kufoma e të cilit është djegur po nga ata”, ka shtuar Haziri.

Në fund, kryetari Haziri tha se Gjilani është qytet që nuk e ua ka ndërruar emrat e rrugëve dhe shkollave siç bie fjala për Zenel Hajdinin, Musa Zajmin, Abaz Ajetin, Fetah Qerimin e Nazim Hikmet.

“Ndërkaq, për ata që duan të bëjnë homazhe e ta nderojnë Luftën Nacional Çlirimtare të partizanëve, Komuna e Gjilanit e ka vendosur datën 16 nëntor dhe këtë mund ta bëjnë para “Partizanit të Plagosur”, ka përfunduar kryetari Lutfi Haziri./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).