Luta në Karadak: Gjilani nuk lejon regjim!

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Zhegra, Lladova, Nasala, Shurdhani, Haxhajt, Demirajt, Selishta e Pidiqi ka organizuar sot pritje madhështore për kryetarin e Gjilanit, Lutfi Hazirin, i cili shoqërohej nga veprimtari i LDK-së në diasporë Isa Maliqi si dhe bashkëpunëtorë e veprimtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Gryka e Karadakut ka vuajtur shumë si pasojë e mos investimeve në këtë pjesë, ndërsa nga përfaqësuesit e këtyre nëndegëve u tha se me ardhjen e LDK-së dhe Lutfi Hazirit në pushtet, kjo anë do të ndryshojë shumë për të mirë.

Në emër të këtyre nëndegëve foli Rrahman Agushi, tha se do ta konfirmojmë fitoren e madhe edhe më 1 dhjetor, pasi qytetarët iu bashkuan filozofisë rugoviane është sinonim i lirisë, pavarësisë, demokracisë, i shtetit të së drejtës dhe i së ardhmes.

Ndërsa, kandidati fitues në zgjedhjet e 3 nëntorit, Lutfi Haziri, para qindra të pranishmëve në sallë, ka falënderuar banorët për daljen masovike në zgjedhjet e 3 nëntorit, duke kërkuar që këtë ta bëjnë edhe njëherë më 1 dhjetor për t’i dhënë fund qeverisjes abuzive.

RCCOLA

“Gryka e Karadakut ka rol të madh në historinë e Kosovës. Ka koinciduar që në këtë ditë, më 28 Nëntor të festohet fitorja e madhe e LDK-së së bashku me flamurin kombëtar dhe të Ibrahim Rugovës. Në palestër do të respektojmë vlerat kombëtare të patriotëve e dëshmorëve prej Idriz Seferit e deri te luftëtari më i madh i shekullit që shkoi, Agim Ramadanin”.

“LDK është fituese sepse ju keni votuar të gjithë, duke dashur ta ktheni rugovizmin. Të gjithë ata që besojnë në Zot familje e atdhe janë kthyer. Ajo që tash ne do të bëjmë është infrastruktura bazike e hapjes së vendkalimit kufitar me Bellanovc. Do ta ndërtojmë rrugën e Nasalës që ta lidhim me Vitinë. Kemi me punu me drejtësi për çdo familje e për çdo fshat. Padrejtësia e pushtetit aziatik ka bërë që Zhegra të reagojë dhe të tregoj që nuk e duron arrogancën sepse ky vend ka krenari e cila nuk lejon të nëpërkëmbet. Ky vend nuk frikohet më nga askush, anipse hijet janë kthyer sërish në Gjilan”, tha Haziri.

Gjatë fjalimit, kryetari Haziri potencoi se gjilanasit nuk e durojnë këtë regjim që ua bëri jetën të tmerrshme, që kërcënon e shantazhon vazhdimisht. “Ata kanë shantazhuar me lista duke kërcënuar për largime nga puna, por këtë nuk do ta lejojmë. Gjilani nuk duron regjim. Ka kaluar koha kur Gjilanin e udhëheqin regjimet. Gjilanasit do t`i ndjekin jabangjinjtë”.

“Zhegra është modeli më i mirë i organizimit e i liderishipit që ka treguar më 3 nëntor. Shtabi i madh i Zhegrës i ka bashkuar familjet pa dallim duke filluar nga mësuesi, profesori, kryefamiljari, mjeku, bujku, amvisja e të gjithë. Me 1 dhjetor do të dalim në mënyrë solemne të votojmë dhe do të festojmë në mbrëmje. Kësaj here edhe nëse bie shi e borë do të dalim në zgjedhje të gjithë, në mënyrë të organizuar, solemne me buzëqeshje, pasiqë hijet e pushtetit po i largojmë nga qeverisja”, ka thënë para qindra të pranishmëve kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri thuhet në njoftimin e degës së LDK-së në Gjilan./rajonipress/