Luta i jep “ultimatum” Mustafës

Gjilan – Lutfi Haziri ka thënë se LDK është e fortë në Asamble po aq edhe sa PDK, andaj nuk do të lejojmë që kërkesat tona të vlerësohen me cinizëm, përbuzje e ofendim.
Lutfi Haziri në konferencën e së shtunës i ka dhënë një ultimatum Qemajl Mustafës. Krejt ky “kërcënim” i Hazirit vije si pasojë e përbuzjes dhe injorimit nga ana e Qemajl Mustafës. “LDK është e fortë në Asamble po aq edhe sa PDK, andaj nuk do të lejojmë që kërkesat tona të vlerësohen me cinizëm, përbuzje e ofendim”ka thënë Haziri.
Haziri tha se LDK i ka bërë 17 kërkesa zyrtare me shkrim në të cilat jo që është kritikuar pushteti komunal, por edhe janë dhënë rekomandime të qarta e serioze. Haziri ka thënë se nuk po fyhet vetëm LDK, por u fye edhe Ismajl Kurteshi e Vetëvendosje, duke thënë se Kurteshi ka lënë gjurmë në historinë e Gjilanit, ka qasje pozitive dhe ka dhënë shumë për Gjilanin.
Lutfi Haziri, ka thënë se kryetari i Gjilanit po përballet me gjykatën, se edhe luftëtarëve të lirisë ua mori bukën e gojës, duke ua marrë mbikëqyrjen e parkingjeve në qytet.“Afati ynë është deri të premten, ndryshe do ta rishikojmë rolin tonë në Asamblenë Komunale, sepse nuk do të lejojmë që cinikët e injorantët të na ofendojnë. Nuk do të lejojmë që dikush të jetë mbi ligjin. Njoftuam organet e drejtësisë e prokurorinë dhe besojmë në ta e mbi të gjitha besojmë në ligj e kushtetutë”, ka thënë Lutfi Haziri.
Sipas tij LDK nuk e ka praktikë që të fus duart në xhepat e të tjerëve, në xhepat e qytetarëve, andaj edhe udhëheqja komunale duhet t’i kthehet ligjit, të zbatojë vendimet e qeverisë, të jetë transparente e të tregojë se sa borxhe i ka komuna, të rishikojë pozitën e kryesuesit, që është edhe zëvendësministër i Punëve të Brendshme, ngase kryesuesi është jolegjitim e nënshkrimet e tija janë të pavlera, sikurse që duhet të ndalen edhe punësimet politike. “LDK nuk do të lejojë sjellje të tilla”, ka thënë Lutfi Haziri, i cili i pyetur nga gazetarët se cilat janë format që LDK do t’i përdor pas të premtes, ka thënë se njëra ndër to është bojkoti, sepse LDK nuk dëshiron të jetë aty ku po abuzohet me ligjin./rajonipress/