Luta: E fituam Gjilanin dhe Anamoravën, do ta fitojmë edhe Kosovën

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Lutfi Haziri tha se do t’i kthehemi takimeve shtëpi për shtëpi e dorë me dorë, për ta bërë fitoren edhe më madhështore dhe për ta kthyer kujdesin e Prishtinës për Gjilanin, në krye me kryeministrin në ardhje Isa Mustafa, i cili është një ekonomist i madh në Kosovë dhe regjion, i njohur për menaxhim të financave, për ndërtim të buxhetit dhe për zhvillim ekonomik, i cili nesër ofron mundësi të punësimit në Kosovë.

Forumi i Gruas i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, ka mbajtur sot një tubim madhështorë, në të cilin kanë marrë pjesë mbi 1000 gra gjilanase në mbështetje të platformës së LDK-së për zgjedhjet nacionale.

Në këtë tubim kanë aderuar qindra zonja e zonjusha të profileve të ndryshme, ndërsa me votim është bërë rritja e kryesisë së FG të LDK-së për 10 gra, të cilat për herë të parë e kanë nisur aktivitetin politik.

I pranishëm në këtë tubim ishte kryetari i Komunës së Gjilanit, njëherësh kryetar i degës së LDK-së, Lutfi Haziri, deputetja Lirije Kajtazi dhe kryetarja e Forumit të Gruas të LDK-së në Gjilan Valentina Bunjaku Rexhepi.

Duke folur para më shumë se 1000 grave të pranishme, kryetari Haziri ka thënë se roli i gruas ka qenë determinues në fitoren e LDK-së në Gjilan, duke e ndalur qeverisjen e keqe, përderisa tha se mbështetja e grave në nivel nacional do të jetë edhe më e madhe për ta fituar Kosovën.

“Sot na bëni nderë sikur që simbolika e tubimit të parë për zgjedhjet lokale u fillua me konventën e madhe të Forumit të Gruas në teatër të Gjilanit, vendosëm që bashkë të hyjmë në proces të madh zgjedhor dhe të dalim fitues. Dhe pa asnjë dyshim të vogël, çdo kund ku kam qenë, kanë thënë se roli i gruas është determinues për të fituar në Gjilan. Dhe sot, bëhen katër muaj të marrjes së mandatit në Gjilan. Na keni bërë nderë sepse e kemi ndalë një qeverisje të keqe, me buxhet të katandisur e të abuzuar dhe me mos përfaqësim të gruas. Sot po fillojmë prapë një rrugë tjetër për ta fituar Kosovën”, ka thënë kryetari Haziri.

Haziri tha se do t’i kthehemi takimeve shtëpi për shtëpi e dorë me dorë, për ta bërë fitoren edhe më madhështore dhe për ta kthyer kujdesin e Prishtinës për Gjilanin, në krye me kryeministrin në ardhje Isa Mustafa, i cili është një ekonomist i madh në Kosovë dhe regjion, i njohur për menaxhim të financave, për ndërtim të buxhetit dhe për zhvillim ekonomik, i cili nesër ofron mundësi të punësimit në Kosovë.

Ai tha se LDK është kthyer në hartën gjeografike të Anamoravës me fitoret në Komunat përkatëse, duke kthyer besimin e qytetarëve në nivel lokal, për të shtuar se qytetari ka nevojë ta kthej besimin edhe në nivel nacional.

Uji Dea

“Zonja të nderuara të Gjilanit, të nderuara mësuese, mjeke, arsimtare, ekonomiste, juriste e ju zonjusha të reja që sot jeni këtu. Bashkimi me LDK-në, ecja me LDK-në e filozofisë së presidentit Rugova, duke qenë të durueshëm, duke qenë të bashkuar dhe duke qenë të dedikuar në realizimin me përkushtim të detyrës, ne arrijmë që ta kthejmë besimin qytetar në institucion. Prej 24 dhjetorit, ne e kemi gjetur qytetarin të përbuzur, të injoruar, të larguar nga institucioni i Komunës dhe pa besim në shtet. Por, ne në Gjilan e kemi kthyer besimin në institucione në nivel lokal dhe do ta kthejmë besimin edhe në nivel nacional me fitoren e madhe të LDK-së”, ka thënë Haziri.

Haziri theksoi se LDK në Gjilan i ka borxh gruas deri në gjunjëzim, ndërsa tha se vendimmarrjen LDK e ka ndarë përgjysmë: gra dhe burra dhe do të jetë super përfaqësuar në qeveri dhe Parlament, për të shtuar se roli i gruas për 20 vite asnjëherë nuk ka qenë dytësor.

Me programin e LDK-së, Haziri tha se do të përfitojnë të gjithë përfshirë edhe nxënëset e studentet duke i mbështetur me bursa. Duke folur për buxhetin komunal të ndarë për bursa, kryetari Haziri tha se e ka rritur këtë buxhet nga 50 mijë në 70 mijë euro, ndërsa 20 mijë do të shkojnë vetëm për studentet femra.

Haziri ka shtuar se tani në Komunën e Gjilanit do të fillojmë ta rregullojmë infrastrukturën bazike, për ta hequr lloçin prej çdo shtëpie, në çdo lagje të qytetit.
Kryetari Haziri tha se në javën e ardhme do të fillojnë punimet për Lladovë e Nasalë, Përlepnicë Malishevë e Bilinicë dhe në të gjitha fshatrat e Komunës.

Kryetarja e Forumit të Gruas të LDK-së në Gjilan, Valentina Bunjaku Rexhepi, është shprehur se gratë kanë qenë promotor i suksesit të madh në Gjilan dhe do të jenë promotor edhe i suksesit në fitoren e madhe në nivel nacional me në krye Isa Mustafën kryeministër.

Zonja Bunjaku Rexhepi, e cila është edhe kryesuese e Kuvendit Komunal, tha se gruaja do ta përkrahë gruan dhe nuk kemi nevojë as për kuota e as për lëmoshë, por do të kemi përfaqësim dinjitoz në institucionet më të larta të shtetit.

Tubimin e ka përshëndetur edhe kryetarja e FG të LDK-së në nivel qendror, deputetja Lirije Kajtazi, e cila tha se zëri i gruas po forcohet përditë me ardhje të reja dhe ky zë po e rritë edhe më shumë fitoren e LDK-së në tërë Kosovën, për t’i ardhur era shtet Kosovës./rajonipress/