Lunacek mirëpret propozimin e Osmanit e Dedës

Zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, njëherësh raportuese për Kosovën në PE, Ulrike Lunacek, ka mirëpritur propozimin 5-pikësh të deputetëve Vjosa Osmani dhe Ilir Deda dhe përkrah këtë draft për marrëveshje politike, si një pikënisje të vërtetë të dialogut politik në mes të liderëve partiakë, për të gjetur një zgjidhje politike që rikthen funksionalitetin në Kuvendin e Kosovës.
Lunacek, siç raporton Koha.net, ka thënë se i vlerëson jashtëzakonisht shumë përpjekjet e deputetëve Osmani dhe Deda, të cilët, sipas saj, në një përpjekje evropiane kanë arritur të shkruajnë një propozim të vlefshëm dhe shumë racional “të cilin kërkoj që ta pranojnë të gjitha partitë në Kosovë, qofshin ato opozitare apo qeveritare”.
“Pajtimi për këtë propozim do të ishte mënyra e duhur për t’iu kthyer një mënyre paqësore të negociatave dhe debatit parlamentar dhe të mos dëmtohet më tutje imazhi i Kosovë jashtë me eskalim të mëtejshëm të dhunës”, ka thënë Lunacek, raporton Koha.net.
“Kjo e fundit [eskalimi i mëtejshëm i dhunës] do ta bënte shumë të vështirë argumentimin e miqve të Republikës së Kosovës për integrim të mëtejshëm të shtetit më të ri evropian në BE, veçanërisht kur kemi të bëjmë me bindjen e ministrave të Brendshëm vitin e ardhshëm – pasi Komisioni [Evropian] me gjasë do t’ia jap dritën e gjelbër Këshillit [të Evropës] në dhjetor – që ta japin dritën e gjelbër për liberalizim vizash”, ka përfunduar ajo.