Lugina nuk i shuan përpjekjet për bashkim me Kosovën

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Preshevë – Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk do të ndalin përpjekjet për t’u bashkuar me Kosovën, edhe pse në procesin aktual të bisedimeve ndërmjet dy kryeministrave nuk është përmendur kjo çështje. Kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa ka thënë për Telegrafin se mungesa e suksesit për Luginën në këto bisedime nuk do të thotë se është “fundi i botës”.

“Absolutisht, temën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës nuk e kanë përmendur as kryeministri Thaçi, e as ai Daçiq. Nuk e di çka kanë biseduar brenda, por publikisht nuk ka kurrgjë”, ka thënë Mustafa.

Lideri shqiptar i Luginës së Preshevës vlerëson se ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe vendeve kryesore të BE-së janë të interesuar për të çuar përpara çështjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke realizuar shkallën më të lartë të realizimit të të drejtave.

Fundamenti

Por, shqiptarët asnjëherë nuk do të kënaqen derisa të arrijnë bashkimin me Kosovën. As Kosova nuk e kishte mbështetjen për republikë para 20 vjetëve. Përpjekjet për bashkim nuk do t’i drejtojmë me luftë, por do të shfrytëzojmë metodat e demokracive më të larta. Nuk është domosdoshmëri lufta për t’u çliruar në shekullin XXI”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, bashkimi është misioni i çdo shqiptari, pa marrë parasysh a duan apo jo kryeministrat e dy vendeve, pasi që shqiptarët e kanë vënë verdiktin e tyre për bashkim në referendumin e vitit 1992.