UBT

Lugina e Preshevës: Përfaqësimi i grave në kuvendet lokale nuk është arritur as 35 për qind

/ 6 minuta lexim
RCCOLA

Parlamenti i Serbisë pranverën e kaluar pati miratuar ndryshimet në Ligjin për Zgjedhjet, përkatësisht për pjesëmarrjen e grave nëpër listat zgjedhore në zgjedhjet lokale dhe parlamentare.

Sipas këtij ndryshimi është paraparë që 40 për qind e listave të partive politike t’i përbëjnë gratë. Në zgjedhjet lokale e parlamentare, të mbajtura në vitin 2020 dhe në 2021-tën me këtë ndryshim kanë vepruar edhe partitë shqiptare, të cilat veprimtarinë e tyre e shtrijnë në tri komunat në jug të Serbisë: në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

Mirëpo, pas përfundimit të procesit zgjedhor, numri i grave përfaqësuese në kuvendet lokale dhe i atyre në pozita udhëheqëse nuk lë shumë për të dëshiruar.

Nga 41 këshilltarë sa ka në tërësi Kuvendi i Bujanocit, nga zgjedhjet e fundit vetëm 14 ulëse u kanë takuar grave. Njëjtë edhe në Preshevë nga 38 asamblistë sa i ka në tërësi kuvendi, vetëm 13 janë gra.

Do të thotë se përfaqësimi i grave në kuvendet lokale nuk është arritur as 35 për qind.

Gjendja e pabarazisë gjinore në këto dy qytete vërehet edhe në ndarjen e posteve udhëheqëse.

Për herë të parë postin e sekretares së Kuvendit komunal në Bujanoc e udhëheqë, Nermine Aliu, e cila është e vetme për sa i përket posteve tjera kryesore në pushtetin lokal.

Ajo ka thënë se gratë kanë hapësirë të mjaftueshme për të vepruar vetëm gjatë fushatave zgjedhore.

“Ka hapësirë të mjaftueshme për gjithsecilin për të vepruar, por vetëm gjatë fushatës zgjedhore. Kur vjen puna te ndarja e posteve dhe përgjegjësive, gjithmonë gratë lihen anash, duke menduar se ato nuk mund t’ia dalin”, ka thënë Aliu.

Nga gjashtë institucione publike sa ka pushteti lokal në Bujanoc, asnjëra nuk udhëhiqet nga gratë.

“Në të gjitha institucionet publike në Bujanoc janë në pozita udhëheqëse meshkujt, andaj kemi shkelje të parimit të barazisë gjinore dhe mundësive të njëjta”, është shprehur Aliu.

Sipas udhëheqëses së Organizatës joqeveritare “Beyond” me seli në Bujanoc, Bukurije Boriçi-Limani, për këtë situatë shpesh herë janë fajtore edhe vet gratë.

“Gruaja në qytetin tonë nuk e ka të drejtën e vendimmarrjes, sepse nuk lënë rend burrat.

Në vendin tonë grave iu jepet e drejta për të udhëhequr vetëm gjatë fushatave zgjedhore si një ‘përkrahje’ kinse i mbështesin gratë siç është e përcaktuar me ligj, 40 për qind e përfaqësimit të grave në kuvend, e pasi të kryhen zgjedhjet i ndajnë pozitat burrat.

Mendoj që problemi qëndron edhe te vet gratë që nuk e ngrisin zërin për të drejta të barabarta në vendimmarrje”, është shprehur Boriçi-Limani.

Uji Dea

Një situatë e ngjashme sikurse në Bujanoc është edhe në Komunën e Preshevës. Në pushtetin e ri, të formuar tre muaj më parë pozitën e kryetares së Komunës e ka fituar një grua. Mirëpo, në pozitat e tjera udhëheqëse të institucioneve publike të gjithë janë burra.

Aktivisti i të drejtave dhe lirive të njeriut nga Presheva, njëherit publicisti, Valon Arifi, thotë se gjendja e pabarazisë vazhdon të jetë e njëjtë pavarësisht se një grua është në pozitën e kryetares së Komunës.

“Është tragjike se qysh Presheva e vitit 2021 është më keq sa i përket barazisë gjinore se sa në vitet e nëntëdhjeta. Në Komunën e Preshevës gratë kanë pozicione drejtuese nën nivelin e duhur. Vazhdoj të mendoj që grupet shoqërore respektivisht partitë politike, gruan vazhdojnë ta shohin si të paaftë për të udhëhequr, apo drejtuar një institucion.

Është fakt që sot Presheva drejtohet nga një grua për të cilën ndaj respekt për guximin dhe sakrificën që ka bërë nga jeta e saj private për t’u përfshirë në jetën publike të burrave, por e ritheksoj këtë duke qenë i informuar se çfarë sulme e shpifje bëhen ndaj një gruaje që futet në jetën politike”, thotë Arifi.

Ai ka potencuar faktin që gratë në Luginën e Preshevës, por edhe në përgjithësi në rajon, arrijnë individualisht suksese, pa përkrahje të institucioneve publike, e pasandaj këto të fundit krenohen dhe shfrytëzojnë sukseset e tyre.

“Gratë shqiptare, sikurse në rajon, por edhe tek ne, sukseset i fitojnë krejtësisht në kushte individuale, e aspak me përkrahje të komunitetit, apo shtetit. E pastaj kur e arrijnë suksesin, krenohemi e e shfrytëzojmë edhe ne për interesat tona. Shihni shembullin me Rita Oren, Dua Lipen, Majlinda Kelmendin, Yllka Gashin e artistët të tjerë, të gjithë i gëzohemi sukseseve të tyre, bile edhe marrim merita, por cili prej nesh ka bë më të paktën që ato të shijojnë këtë sukses?!”, ka thënë Arifi.

Sipas të dhënave nga Enti Nacional për Punësim në Serbi në Komunën e Bujanocit janë të regjistruar 5.281 persona, prej tyre 2.742 janë gra, ndërsa në Komunën e Preshevës, janë të evidentuar 3.934 persona, prej tyre 2.253 gra.

Do të thotë se rreth 54 për qind e të lajmëruarve në këtë institucion e që janë në pritje të një mundësie për punësim, janë gra.

Për herë të parë në Parlamentin e Serbisë, ka fituar mandatin e deputetes edhe një grua shqiptare nga Bujanoci, e ajo është Nadije Beqiri. Kjo e fundit ka thënë se kjo gjendje e mos punësimit të grave është shkaku i mos zhvillimit ekonomik.

“Duke kuptuar gjendjen reale dhe sipas statistikave që janë në terren, shohim se, struktura kualifikuese ndryshon shumë në mes grave dhe burrave. Normalisht për zhvillimin e shoqërisë, duhet të ketë zhvillim ekonomik. E kjo gjë u mungon Luginës. Shumica e grave janë me profesione të ndryshme dhe të shkolluara, mirëpo si pasojë e mos hapjes së vendeve të reja të punës, ato mbeten të papunësuara”.

Ajo gjithashtu ka përmendur edhe mosnjohjen e diplomave të Universiteteve të Kosovës nga Serbia, e që për këtë problematikë Beqiri ka thënë se është angazhuar disa herë në Kuvendin e Serbisë për të diskutuar dhe gjetur një zgjidhje.

Edhe pse Komuna e Preshevës sot udhëhiqet nga një grua dhe populli shqiptarë atje përfaqësohet në Parlamentin e Serbisë nga një grua tjetër, kjo nuk e ka përmirësuar pozitën e tyre në shoqëri dhe në vendimmarrje në Luginë. Barazia gjinore është ndër praktikat më të mira që kanë treguar zhvillimin dhe përparimin e shumë vendeve perëndimore, sipas të cilave pretendojmë të ecim.

(Artikull i punuar nga Driton Hyseni, student në drejtimin “Media dhe Komunikim” në UBT)