Lugina e Preshevës me 20 mijë të papunë, liderët flasin për spastrim etnik të heshtur

Preshevë – Në mesin e të papunëve 700.000 sa ka janë sot në Serbi, 300.000 prej tyre janë nën moshën 30 vjet, ka thënë dje Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Rinisë dhe Sporteve Nenad Borovçanin.
Ministri serb edhe pse nuk ka folur për një fakt që shpesh shkruhet në mediat botërore se Lugina e Preshevës është rajoni më i pazhvilluar dhe i papunësuar jo vetëm në Serbi, por edhe në mbarë Evropën. Por, burimet e agjencisë së lajmeve “Presheva Jonë” kanë mësuar se aktualisht në Luginën e Preshevës me shumicë shqiptare të papunë janë mbi 20 mijë sish, duke mos llogaritur këtu fare ata cilët nuk janë paraqitur fare në institucionet për punësim apo ata që gjenden në vendet perëndimore.
Në një bisedë me deputetin Riza Halimi, për agjencinë e lajmeve “Presheva Jonë” ka deklaruar se çështje e papunësisë në Luginën e Preshevës është e theksuar dhe është formë tjetër e politikës diskriminuese nga ana e autoriteteve serbe. “Kjo nuk donë matematikë të madhe, Serbia kaq e madhe me 6-7 milionë banorë, ku qëlloj bash në viset e banuara me shqiptarë, këto rajonet të jenë më të pazhvilluarat në Evropën Perëndimore dhe me një popullatë më të papunësuar ?!..”, ka deklaruar Halimi.
Kurse Jonuz Musliu, kryetar i LPD-së dhe ish-drejtor i SHP të UÇPMB-së problemin e papunësisë në Luginën e Preshevës e shef si diçka më shumë se problem politik apo diskriminues.
“Lugina e Preshevës e populluar kryesisht me shqiptarë njihet sot rajoni me i pazhvilluar jo vetëm në Serbi por edhe në Evropë, bashkë me papunësia e madhe ka goditur më së shumti të rinjtë tanë. Kjo papunësi e madhe në komunat tona nuk janë rastësisht dhe nuk janë vetëm raste politike apo diskriminuese, por kanë qëllimin e vetë të caktuar, atë të spastrimeve etnike. Ky eksod që po zhvillohet ndër ne nën heshtje është pasojë e papunësisë së madhe dhe mos perspektivës në viset tona të imponuara qëllimisht nga Beogradi. Shifrat tona flasin se për çdo muaj rreth 60-70 të rinj e lëshojnë Luginën e Preshevës ose për çdo vjet më shume se 800 persona. Ky a s’është spastrim etnik ?”