Luftë veteranësh

OVL-UÇK nuk e njeh Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Vlerave të Luftës, prandaj edhe nuk do t’i përkrah asnjëherë kërkesat që kjo e fundit ia ka adresuar Qeverisë së Kosovës. Muharrem Xhemajli, kryetar i OVL’së, thotë se askush s’mund t’i bllokojë zgjedhjet në Kosovë, e aq më pak këshilli që udhëhiqet nga Xhevdet Qeriqi.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK’së, nuk e përkrah në asnjë mënyrë Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Vlerave të Luftës së UÇK’së.
Madje Muharrem Xhemajli, udhëheqës i OVL’së, ka mbetur i habitur me kërcënimet që Xhevdet Qeriqit i ka bërë Qeverisë së Kosovës.
Pavarësisht se e mbrojnë të njëjtën kategori njerëzish, këto dy shoqata të dala nga lufta nuk pajtohen kurrsesi njëra me tjetrën. Derisa këshilli që udhëhiqet prej Qeriqit preferon që kërkesat për ish-ushtarët e UÇK’së t’i adresojë me anë të kërcënimeve, organizata e Xhemajlit gjithçka bën në mënyrë institucionale.
Sipas Xhemajlit, askush nuk mund ta kërcënojë Qeverinë se nëse kërkesat e bëra më parë nuk i realizon, ata do t’i bllokojnë zgjedhjet që do të mbahen me 3 nëntor të këtij viti.
“Zgjedhjet nuk mund t’i bllokojë askush. Forma se si ky këshill ka kërkuar realizimin e premtimeve nuk është në rregull”, ka thënë Muharrem Xhemajli kryetari i OVL-UÇK’së për Gazetën Express.
“Në nuk e njohim këtë këshill, kjo dihet botërisht”, ka shtuar ai.
Arsye tjetër për të cilën kryetari i OVL-UÇK’së thotë se nuk mund ta përkrahë Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Vlerave të Luftës, është edhe fakti se këta të fundit nuk kanë kërkuar asnjëherë ndihmë prej tij.
“Ky këshill nuk e ka bërë këtë kërkesë edhe tek ne, nuk ka kërkuar ndihmë prej neve”.
“Po prapë se prapë këtë formë që ata kanë zgjedh ne nuk do ta përkrahim kurrë. Sepse ne kërkojmë zgjidhje në mënyrë institucionale”, pohon Xhemajli.
“Kjo pavarësisht se shumica e kërkesave që kanë ata janë edhe kërkesat tona”.
Reagimi i Xhemajlit vjen vetëm pak ditë pasi në emër të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Vlerave të Luftës, Xhevdet Qeriqi ka paralajmëruar Qeverinë, qoftë edhe me bllokim të procesit zgjedhor, nëse nuk realizohen premtimet e dhëna dy vjet më parë. Përfaqësues të Këshillit kanë paralajmëruar sërish daljen në rrugë për mosrealizim të premtimit që ua dha Qeveria, e që rezultoi me ndërprerjen e grevës 61 ditëshe.
Këshilli, ndonëse ka një muaj që kërkon të takohet me kryeministrin Thaçi, ende nuk ka marrë përgjigje nga ai. Kryetari Xhevdet Qeriqi ka thënë se kërkesat e veteranëve, nuk është vështirë të realizohen. Ai ka kritikuar edhe kryetarin e Komisionit për verifikimin e veteranëve të UÇK-së, Agim Çekun, për të cilin ka thënë se ka harruar veteranët, duke u marrë me fushatë elektorale.
Kërkesa e këtij këshilli ka qenë që veteranët e luftës të përfshihen në Ligjin për vlerat e luftës së UÇK-së dhe përfundimisht veteranëve të luftës t’iu kthehet identiteti dhe dinjiteti i tyre. Ligji i cili është miratuar nuk ka përfshirë këtë kategori për shkak të mungesës së buxhetit. Ata kanë kërkuar ligjin për veteranë, marrjen e pagave dhe lirimin nga të gjitha pagesat.