Eko Higjiena

“Lufta” për tregun e naftës në Kosovë

/ 5 minuta lexim

Frika se ndryshimi i Ligjit të Derivateve të Naftës mund të ndikojë në mbylljen e biznesit të tyre, importuesit e vegjël të naftës gjithë mllefin e shprehin tek kryetari i Shoqatës së Naftarëve, Nazmi Bytyqi. Ata ankohen se Bytyqi nuk po i përfaqëson interesat e tyre por vetëm të importuesve të mëdhenj.

Në ndryshimin e Ligjit të Naftës obligohen të gjithë importuesit e naftës që të vendosin deponi, me qëllim të kontrollimit të cilësisë së naftës në të kundërtën iu pamundësohet importi. Mirëpo sipas importuesve vendosja e një deponie të tillë ka kosto milionëshe dhe i detyron ata ta mbyllin biznesit.

“Cilësia e naftës kontrollohet në doganë, nuk mund të kalojmë pa i bërë kontrollet e tilla. Kështu që për ne vendosja e deponive është e papërballueshme”, ka thënë Avdi Avdiu, pronarë i “Universal Petrol” nga Mitrovica. Sipas tij, me këtë mënyrë po krijohet monopol. “Po tentohet të bëhet monopol për disa kompani që kanë deponi, ne kemi kërkuar që importi mos të kushtëzohet me deponi, të kenë të drejtë importi kush ka një apo më shumë pika të shitjes së naftës me licencë valide”, ka thënë Avdiu duke shtuar se duke parë neglizhencën nga shoqata kanë dërguar një peticion në MTI që të mos futet ky nen.

Remzi Shaqiri, pronar i “Graniti Petrol”, mendon se një gjë e tillë po u bëhet qëllimisht për t’i eliminuar në treg. “Kjo është kërkesë absurde, këtë e kanë bërë qëllimisht pasi që e kanë ditur se disa kompani nuk kanë mundësi të vendosin deponitë të cilat kapin vlerën afër një milion, ose kanë menduar se nëse e bëjmë këtë investim ne do të falimentojmë”, ka thënë ai. Duke bërë krahasime me vendet tjera evropiane Shaqiri ka thënë se në asnjë vend evropian kjo gjë nuk kushtëzohet me ligj. “Unë kam kontaktuar me Ministrinë e Tregtisë së Austrisë, ky shtet nuk e ka dhe nuk e lidh importin me deponinë, vetëm nëse vetë biznesi e sheh interesin që të deponojë mall”, ka thënë ai.

Eco Higjiena

Fadil Berjani nga “Dilloni Benz” e tërë fajin ia lë mosinteresimit të drejtuesve të shoqatës për t’i përfillur kërkesat e tyre. “Nazmi Bytyqi nuk i mbron interesat tona. Po të ishim ne siç duhet të përfaqësuar ndryshe do të shkonin gjërat. Këtu është qëllimi që ligjin t’ia përshtat vetvetes, të jetë ligj në favor vetëm të disa individëve”, ka thënë Berjani. Pesimist nëse mund të ndryshohet ndonjë gjë deri në kohën kur projektligji dërgohet në Kuvend për miratim është treguar Rifat Musliu nga “Ricom Petrol”. Sipas tij, me gjithë insistimin që të arrihet ndonjë gjë në favor të tyre në këtë drejtim ajo deri më tani ka qenë e kotë. “Kemi tentuar boll, është e kotë. Asgjë nuk na merret parasysh”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër kryetari i Shoqatës së Naftarëve, Nazmi Bytyqi, duke iu kundërvënë kritikave të naftarëve ka thënë se ata së pari duhet të kenë licencë pasi që, sipas tij, importuesit e vegjël nuk kanë licencë fare. Megjithëkëtë ai ka thënë se e gjitha që mund të bëjnë si shoqatë është t’i propozojnë komisionit parlamentar për ndryshim të këtij neni para se të shkojë në Kuvend. “Ne do të bëjmë një propozim që të mos kërkohet deponi për importuesit e vegjël, nëse komisioni parlamentar e aprovon atëherë nuk jemi kundër. Ne si shoqatë vetëm kaq mund të bëjmë. Unë nuk kam fuqi ekzekutive”, ka thënë ai. Sponzoruesit e këtij ligji Ministria e Tregtisëdhe Industrisë nuk ka dashur të prononcohen lidhur me shqetësimet e importuesve për ndryshimin e këtij ligji. Madje nuk kanë dhënë asnjë arsyetim.

Parim Bajrami, koordinator i Shoqatës së Naftarëve në Odën Ekonomike të Kosovës, ka thënë se nëse ky nen është i domosdoshëm të futet në këtë ligj atëherë duhet që t’u jepet kohë naftarëve që të plotësojnë kërkesat e ligji. Sipas tij, nuk do të duhej t’iu ndërpritet importi menjëherë pasi që ligji të hyjë në fuqi. “Pasi që po flitet për inkoperim të ligjeve evropiane në këtë ligj atëherë ne për një kohë të gjatë nuk do të jemi në BE, edhe naftarëve duhet që t’u jepet kohë në mënyrë që të mos dëmtohen bizneset”, ka thënë Bajrami.

Ky draft ligj ishte aprovuar në Qeveri javë më parë, ndërsa pas shqyrtimit të komisionit parlamentar pritet që të shkojë në lexim të parë në Kuvend.(zeri)