Lufta për jetë

Thotë se kurrë nuk do të harrojë. Ishte ditë e martë, muaji shtator, viti 1998. Nuk e fshinë nga kujtesa as tash 15 vjet pas asaj dite, së cilës ia ka vënë veç një emër. Dita e mallkuar! Në shpirt ka vragë të pashërueshme. Në shtëpinë e saj forcat serbe e dhunuan bashkë me tri vajzat e saj. Dy ishin të martuara në atë kohë.
Ato panë njëra-tjetrën teksa ushtarët serbë abuzonin seksualisht me to. Më e reja ishte 19 vjeç.
Tash, veç lotët ia lehtësojnë dhembjen. Por edhe ata kanë nisur të shterojnë. “Nuk ka gjë më të keqe se të përdhunohesh në të njëjtën kohë me tri vajzat e tua”, ofshan kjo nënë. “E mbi të gjitha, mos të mund të bësh asgjë”.
Lotët nga sytë e saj sikur e kanë mësuar rrugën. Mjafton veç kujtimi i asaj ngjarje dhe lehtë rrëshqasin faqeve. “Përjetuam gjënë më të rëndë në botë”…(Tribuna).