Lufta për Glaukun dhe Grenelli ante portas!

Nga Behxhet Sh. Shala – Bajgora – Rroftë Glauku, poshtë Glauku: Glauk Konjufca u zgjodh kryetar i Kuvendit me vota edhe të LDK-së, posti që ishte ndarë pikërisht për këtë subjekt politik e që tani, së paku deri më sot, po e kërkon t’i rikthehet, ndonëse e ka votuar vetë. Në situata normale dhe në një vend normal kjo çështje do të konsiderohej e përmbyllur ditën që ka përfunduar votimi. Në Kosovën thuaja të pavarur dhe me sovranitet të dhunuar nga Beogradi dhe ndërkombëtarët, ku asgjë nuk e ka as formën e as përmbajtjen e normalitetit, është krejtësisht e ligjshme dhe e pranueshme që t’i hani fjalët tuaja pasi që janë tuajat dhe nuk i nënshtroheni fare përgjegjësisë publike e për moral nuk diskutohet fare nëse i referohemi thënies se politika është kurvë, madje jo në kontekstin lokal, por edhe në atë të BE-së!

Nëse vrasja e dukës Franc Ferdinand në Sarajevë ka shërbyer si pretekst për fillimin e luftës së Parë Botërore, sikur që vrasja e Qazim Hoxhës nga andartët grekë ka shërbyer që Musolini t’i shpallë luftë Greqisë, Glauk Konjufca thuaja se po e luan të njëjtin rol, së paku sipas disa analistëve dhe atyre që kanë interesa të drejtpërdrejta politike. Për këtë arsye po kërkohet koka (politike) e Glaukut në mënyrë që të shpëtohet situata duke u arritur marrëveshja për bashkëqeverisje midis fituesit të zgjedhjeve, LV-së dhe të dytit, LDK-së. Më shumë se tre muaj po negociohet për këtë marrëveshje dhe, sa po mendojmë se e pati puna, posti i kryetarit të Kuvendit po e kthen në pikën zero krejt këtë përpjekje. Isa Mustafa e ka shumë vështirë, më shumë po ka probleme me ata që duhet t’i binden në bazë të hierarkisë partiake, se me këta të LV-së. Albin Kurti nuk e ka asnjë problem sepse është shndërruar në ikonë apo totem adhurimi të LV-së dhe askush dhe askujt as që i bie ndërmend se mund apo se duhet të kundërshtohet qoftë edhe për ta plotësuar mozaikun formal të demokracisë.

Të gjithë po e ngrenë në qiell Glauk Konjufcën dhe nuk mbahet mend të jetë lavdëruar aq shumë ndonjë politikan nga Kosova për së gjalli, përjashtuar këtu ata që e kanë lëshuar këtë botë e që janë lavdëruar vetëm ditën e ceremonisë mortore. Po këta e duan vdekjen politike të Glaukut, si uverturë për eliminim të ngadalshëm nga skena politike përmes degradimit të personalitetit të tij sikur që duan që, në këtë mënyrë ta dobësojnë LV-në si edhe vetë Albinin duke i vënë shpatën e Demokleut mbi fytin e tij. E kanë një arsyetim, më shumë mitik se politik, duke e krahasuar me Abrahamin apo Ibrahimin që ka qenë në gjendje ta flijojë të birin e vetëm e që pastaj ia mundësuan ta zëvendësojë me një qengj. Gjak aty, gjak këtu! Këta që po e kërkojnë flijimin e Glauk Konjufcës, duke e krahasuar me qengjin flijues, në fakt duan që, në fund të fundit, Glauk Konjufcën ta shndërrojnë në një gomar politik i cili do t’i bartë në samar të gjitha mëkatet e dështimeve të deritashme të bisedimeve, jo për shtet, por ekskluzivisht për pushtet. Lufta për kokën e Glaukut po më ngjanë në betejën e Stalingradit ku vendosej fati në frontin e BRSS-së apo të Ivo Xhimas në Japoni. Edhe në Kosovë duket se Glauk Konjufca po del të jetë përcaktues për fatin e “Koalicionit të Shpresës”, nëse do të bëhet apo do të dështojë e që, sipas meje, nuk është fare e vërtetë! Koalicioni do të bëhet, me apo pa Glaukun! Mendoj se në situatën në të cilën jemi, edhe për LV-në sikur edhe për LDK-në më mirë është që Glauku të mbesë kryetar Kuvendi dhe të bëjnë një zgjidhje tjetër aq më parë që livadhi është shumë i madh dhe ka për të gjithë! Merreni me mend, nëse do të shkarkohej Glauku apo edhe nëse detyrohet të japë dorëheqje e që është e njëjtë, brenda një viti do të kishim 5 votime për zgjedhje dhe shkarkim të kryetarit të Kuvendit. Po të ndodhë kështu, LV-ja dhe LDK-ja do të hynin në natologji dhe libër të Ginesit për kapje të shtetit përmes dhunimit të pushtetit. Ka të tjera kombinime, prandaj jam fuqishëm që Glauk Konjufca të mbetet kryetar i Kuvendit. Ndryshe nuk bën. Lërini ju përrallat për balancim të pushtetit sepse në të gjitha fushat ku garohet; i pari është i pari, i dyti është i dyti dhe asnjëherë nuk mund të barazohen i dyti me të parin, prandaj të gjitha përpjekjet bëhen për vend të parë e jo për vend të dytë! Jam i sigurt dhe gjithmonë kam qenë i sigurt se marrëveshja midis LV-së dhe LDK-së do të bëhet dhe të gjitha këto bisedime janë bërë (stërzgjatje e që mendoj se nuk është edhe aq shumë stërzgjatje) është bërë të sigurohet më shumë pushtet. Gjithashtu, mund edhe të gaboj. Mendoj se këta po e marrin pushtetin në kohën më të keqe të mundshme ku do të merren disa vendime të dhimbshme për Kosovën, ku as LV-ja e as LDK-ja nuk do të kenë mundësi të pengojnë në asnjë mënyrë! Do të detyrohen ta hanë kulaçin e gatuar nga Vuçiqi dhe Thaçi, me mëlmesa hetuese të rrugaçes së Brukselit, Federika Mogerinit, trashëgimtare e bareshës Ashton! Koalicioni LV-LDK do ta ketë një opozitë të fuqishme andaj duhet ta lëshojë topin në tokë dhe të luajë me të gjithë, kurse artilerinë e rëndë dhe kërcënuese orale duhet ta zëvendësojë me një ftesë për bashkëpunim nëse nuk duan ta kenë gjendjen sikur në Shqipëri!

Richard Grenell apo “magjistari” i Berlinit: Donald Tramp është president i ShBA-së dhe mik i ngushtë i ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli. Kanë shumë gjëra të përbashkëta; biznesmenë të suksesshëm, shoumenë, të dashuruar pas së bukurës, qoftë edhe femër të jetë, humanistë të mëdhenj që ta marrin kafshatën nga goja për ta forcuar Perandorinë financiare dhe, mbi gjitha, e kanë të përbashkët inteligjencën e që nuk dallojnë aspak në këtë fushë. Ju kujtohet fakti se pasi Donald Tramp doli nga abdes-hanja në Uashington, njeriun e parë që e nderoi me një shtrëngim duarsh ishte presidenti ynë i famshëm, Behgjet Pacolli, e që është respektim i jashtëzakonshëm si për ish-presidentin, për këshilltarët që i ka dhe për të gjithë neve pavarësisht se nuk jemi të gjithë republikanë. Në çastet më të rënda për Amerikën dhe presidentin Tramp, përkrahjen më të fuqishme, në mos edhe vendimtare, e ka pasur nga dy figura emblematike kosovare pa të cilat politika ndërkombëtare nuk ka kuptim, dy presidentët: Hashim Thaçi – Shima dhe Behgjet Pacolli – Gjeti, Sanço Panço dhe Rosinanti i ditëve tona. Presidenti Tramp e do fort Kosovën, prandaj i ka caktuar dy lojtarët më të fuqishëm, më të besueshëm, më inteligjentë, më të ndershmit dhe më të guximshmit: Metju Palmer dhe Richard Grenell. Metju Palmer kam përshtypje se i ka rënë mrizit, kurse Grenell po i tregon muskujt në një mjedis ku ka të bëjë me rakitikë politikë, por të uritur për pushtet deri në grykësi, siç është puna e Kosovës. Behgjet Pacolli i ka dërguar një letër adashit Tramp ku i siguron se i tërë populli i Kosovës është në anën e Trampit, pavarësisht situatave dhe zhvillimeve. Kjo i duhet Trampit para zgjedhjeve ta paraqesë Kosovën si sukses personal të cilin nuk kanë mundur ta zgjedhin të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian bashkë, bashkë me Tanzaninë dhe Rodezinë. Begja është mashtrues sepse nuk janë të gjithë kosovarët votues (që kanë të drejtë vote) dhe përkrahës të Trampit. Begja mund të flasë në emër të vetin dhe eventualisht në emër të Hashimit, por kurrë në emër timin! Ngutia e Trampit për ta zgjidhur çështjen e Kosovës, me çdo kusht dhe me çdo çmim, është në përputhje të plotë me thënien popullore, se “kush ngutet, përmutet”!

Richard Grenell na e solli marrëveshjen për fluturime dhe në këtë mënyrë i bëri Kosovës një shërbim të madh sepse, pas kësaj marrëveshjeje Kosova do të detyrohet ta aktivizojë flotën ajrore prej 100 Boing 737 që rrinin kot së koti në hangarët e Aeroportit “Adem Jashari”. Pas kësaj marrëveshjeje, çdo ditë, së paku 50 Boing 737 të Air Kosova do të fluturojnë për Beograd, kurse 50 të tjerë për Nish.

Gjithashtu, pritet të formalizohet marrëveshja për hekurudha, me ç’rast 29 trena supersonikë do të aktivizohen në relacionin Leshkoqiq – Leshak, ndërsa nja 11 të tjerë do të aktivizohen në relacionin Gjylekar – Merdar.

Pritet, gjithashtu, që të nënshkruhet marrëveshja për lundrim të lirë të anijeve moçalike dhe tejoqeanike midis Kosovës dhe Serbisë. Për fillim do të funksionalizohet lundrimi nga Përroi i Isës me lumin e Tisës për të vazhduar me lundrim ekologjik dhe strategjik midis lumit me ujëra të zeza të Krenës nga Drenica me Danubin nga Sremska Mitrovica.

Sigurisht se Grenelli është mirë i informuar se marrëveshja që ka funksionuar dhe funksionon më së miri midis Kosovës dhe Serbisë e që realisht i bashkon dy Mitrovicat, ndonëse formalisht, as nuk është nënshkruar e as nuk është ratifikuar, është ajo e bashkëpunimit nëntokësor (jo miniera e Trepçës) midis dy kozy nostrave, veriore dhe jugore.

Marrëveshjet e Richard Grenellit, që po i nxjerrë nga cilindri që i mbulon dy koka (Vuçiqit dhe Thaçit), janë pjesë të një marrëveshjeje integrale, të arritur më parë e që tash, nga “buldozeri” Grenell po i serviren si kontribut i Trampit të cilat nuk duhet dhe nuk kundërshtohen. Në takimin jopolitik të Grenellit me liderë politikë; Albin Kurti dhe Isa Mustafa ua bëri të qartë se do ta kenë përkrahjen vetëm nëse përkrahin propozimet e Trampit për marrëveshje përfundimtare. Grenell tha se ka ardhur për zhvillim dhe çështje ekonomike, hapje të reja të vendeve të punës dhe, si hap i parë në këtë drejtim u interesua se si përgatitet fasulja “Tavqe – gravqe” dhe specat në mazë. Krejtësisht qëllim jopolitik!

Kosovës i janë prerë teshat dhe, mos u habitni se mund të ndahemi bythëcullak. Grenell po tregon përralla për zhvillim ekonomik në kohën kur shumica e të rinjve po e braktisin Kosovën. Kush do të investojë në Kosovë nëse nuk keni siguri politike, nëse nuk e shtrini sovranitetin në tërë territorin e saj për t’i zbatuar ligjet, nëse e keni integritetin territorial të ndarë me banditë të veriut dhe banditë të jugut dhe nëse nuk keni liri të lëvizjes.

Kosova nuk duhet të barazohet me Serbinë në asnjë rrafsh dhe në asnjë kontekst, Kosova duhet të ndahet nga Serbia dhe duhet ta qeverisë veten në mënyrë që pastaj, në bazë të interesave, të ndërtojë një marrëdhënie dhe bashkëpunim me Serbinë! Nuk barazohet taksa 100 për qind për mallrat serbe me një fushatë çnjohjeje shantazhuese që po e bën, e ndihmuar nga Ministria për Punë të Jashtme e Kosovës. Kosova duhet të negociojë në baza të barabarta, jo të dëgjojë dhe zbatojë atë që e kërkon Vuçiqi, qoftë përmes BE-së apo ndonjë shteti tjetër. Si ka filluar Grenell të nxjerrë marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë e që Kosova informohet nga mediet apo gjatë seancave dëgjimore me Grenell dhe të tjerë, shpejt do të vijë një ditë kur më nuk do të ketë marrëveshje dhe do të thuhet se u arrit marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, pa u zgjidhur asnjë çështje praktike në terren! Kjo vetëm do të shkaktojë tensione të reja dhe konflikt të pashmangshëm sepse nuk po arrihet një marrëveshje e drejtë poir një marrëveshje e imponuar!

s. Merruni me punë për çka keni fituar votat dhe që keni detyrim ndaj qytetarëve votues e mos u merrni me halla, dajallarë, teze, nipa dhe mbesa! Është komunikim shumë i ulët, i padenjë, me një fjalë!

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).