Fundamenti

Lufta për bajrak, “vret” opozitën

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Lufta” për bajraktarizëm ka bërë që pothuajse të gjitha nismat e partisë së Albin Kurtit të mos gjejnë mbështetjen e dy partive tjera opozitare, Lidhjes Demokratike e Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Edhe iniciativa e fundit e Vetëvendosjes për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, para se kryeministri Hashim Thaçi të shkojë në Bruksel për t’u takuar për herë të katërt me homologun e tij serb, Ivica Daçiq, është një tregues se sa të ndara janë partitë politike opozitare në Kosovë, edhe në rastet kur bëhet fjalë për një çështje “minore”.

Kjo nuk është hera e parë që partia e Kurtit merr “goditje ” nga dy partitë tjera opozitare (LDK-AAK) dhe mbetet e vetme në “front” , pas iniciativave të ndryshme që ka marrë për rrëzimin e qeverisë, ndalimin e bisedimeve me Serbinë, privatizimin, hetimin e SHIK-ut….etj, shkruan “Zëri”.

E dy partitë opozitare, LDK e AAK kanë shpjegimin e tyre se pse nuk mbështesin nismat e Vetëvendosjes.
Sipas tyre, secila parti politike funksionon mbi bazën e programit të saj politik dhe në këtë drejtim fajësojnë partinë e Albin Kurtit, se po punon për të marrë bajrakun opozitar, duke mos zhvilluar konsulta paraprake me këto dy subjekte opozitare.

Mirëpo, Vetëvendosje, duke iu referuar iniciativës së fundit për thirrjen e një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, para se Hashim Thaçi të shkojë në Bruksel për t’u takuar me homologun tij serb, Daçiq, thotë se nuk kanë arritur që të marrin asnjë nënshkrim të deputetëve të grupeve tjera parlamentare, në përjashtim të deputetëve të saj.
“Meqenëse kërkesa jonë u refuzua në kryesi për shkak të mungesës së gatishmërisë së kryetarëve të grupeve parlamentare për ta përkrahur një seancë për dialogun, atëherë ne tentuam t’i mbledhim nënshkrimet e nevojshme (40 sosh) për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme. Këtë kërkesë tonën ia drejtuam GP të LDK-së pasi që vetëm ata e lanë të hapur mundësinë e bashkëpunimit për një seancë të tillë. Por nga ata nuk morëm përgjigje. Por si duket partitë tjera opozitare preferojnë të shkojnë në takim bajraktarësh të Thaçit në vend se ta sjellin atë në institucionin më të lartë ligjvënës dhe vendimmarrës të vendit”, ka thënë shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri.

Hidromorava

Ky i fundit konsideron se dy partitë opozitare po ngurrojnë të angazhohen dhe të veprojnë kundër atyre gjërave të cilat edhe ata po i vlerësojnë si tejet të dëmshme për Kosovën.
“E kemi një situatë ku kemi kundërshtime të zëshme verbale të subjekteve opozitare ndaj politikave të qeverisë, dhe asnjë angazhim vetjak e as vullnet bashkëpunimi me Vetëvendosjen në kundërshtimin aktiv të këtyre politikave. Partitë opozitare edhe kur flasin kundër qeverisë votojnë si qeveria. Secili pushtet në botë ëndërron këtë lloj opozite”, ka thënë Ymeri.

Nga ana e tij, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, konsideron se partia e Kurtit duhet ta konsultojë paraprakisht partinë e tij, para se të ndërmarrë nisma të ndryshme.
“E kemi thanë edhe më herët se për temat që duhet të ketë konsensus duhet konsultim paraprak në mes partive opozitare dhe më pastaj të dilet me rekomandime konkrete para Kuvendit të Kosovës. Sepse, në të kundërtën kur nuk ka bashkëbisedim paraprak atëherë normalisht se nismat dështojnë”, ka thënë ai. E fundi i fundit, sipas tij, secili subjekt politik funksionon mbi bazën e programi dhe përcaktimit politik. Me këtë rast, ai ka sqaruar se pse nuk është përkrahur një nga iniciuat e Vetëvendosjes, sikurse ajo për hetimin e SHIK-ut.

“Ne kemi thënë se kjo është një çështje që i takon prokurorisë dhe jo politikës”, ka thënë deputeti Zemaj. E për deputeten e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, subjektet opozitare në Kosovë kanë vetëm një të përbashkët që janë në opozitë, përderisa kanë dallime konceptuale për zgjidhjen e problemeve për çështje të caktuar.
“Ky dallim konceptual bënë që opozita në Kosovë mos të arrijë të mbërrijë një konsensus për çështje të caktuar dhe të gjendet rruga më e mirë e komunikimit”, ka thënë ajo.

Mirëpo, analisti politik, Nexhmedin Spahiu thotë se problemi qëndron të dy partitë opozitare , LDK –ja dhe AAK-ja se pse nuk mbështesin nismat e Vetëvendosjes, nga frika se mos kjo e fundit po e merë bajrakun e opozitarizmit. “LDK e AAK ia kanë drojën VV mos po e merr primatin e opozitës dhe këtë situatë po e shfrytëzon më së miri, kryeministri Hashim Thaçi, i cili është mjeshtër për t’i zhvilluar lojërat e tilla politike për ta përçarë opozitën” , ka thënë Spahiu.