Lufta e fshehtë kundër alkoolit
Autoritetet me rrënjë islamike në Turqi po zhvillojnë një luftë pothuajse të padukshme kundër alkoolit. Me hapa të vegjël po vështirësohet konsumimi i birrës dhe i pijeve tjera alkoolike, me frikësime dhe ligje.
Ishte një lajm lokal, i publikuar nga agjencia e lajmeve Dogan, i cili më pas u publikua edhe nga disa medie tjera në Turqi. Persona të panjohur kishin rrahur Mehmet Akin 59 vjeçar, në qytetin Bolu në veriperëndim të Turqisë, për shkak se ai krahas bukës kishte blerë edhe birra.
Sipas lajmit, sulmuesit e kishin pyetur atë fillimisht se pse po blente bukë, pasi që në dorën tjetër po mbante një qese me birra. Ata u arratisën nga vendi i ngjarjes, pasi që fillimisht e kishin rrahur Akun deri në alivanosje.
Disa ditë më herët, një udhëtar turk njoftoi se ai ishte ndalur në aeroportin e Stambollit nga një pjesëtar i sigurisë. Ai e kishte pyetur atë se pse në njerën dorë po mbante një qese me pije alkoolike, ndërsa në dorën tjetër gazetën islamike Zaman.
Në që të dy këto raste bëhet e qartë një gjë: nuk mallkohet konsumi i alkoolit si i tillë, ai thjeshtë injorohet nga njerëzit besimtarë. Vizitorët perëndimorë, të krishterët dhe të tjerët, pjesë e kulturave të të cilëve është edhe konsumi i alkoolit, nuk ngacmohen. Ishte thjeshtë kombinimi i alkoolit me gjërat që konsiderohen si të pastra, si për shembull buka, apo gazeta islamike Zaman, që nxitën reagimin.
Incidentet e këtilla janë raste të izoluara, por ato kanë filluar të shtohen. Grupet me prirje religjioze të shoqërisë po e ndiejnë vetën të obliguara, falë diskursit të hapur dhe publik islamik të qeverisë së kryeministrit, Rejjep Tayib Erdogan, që të japin kontributin e tyre për një shoqëri më islamike. Në disa raste ka pasur edhe sulme, siç ndodhi para dy viteve, kur disa dhjetëra persona sulmuan vizitorët e një ekspozite të artit në një galeri në Stamboll. Vizitorët ishin tubuar para galerisë, duke pirë duhan dhe pije alkoolike.
Konsumi i alkoolit në rrugë është i ndaluar në Turqi dhe këtu sdel në sipërfaqe elementi i dytë i luftës së islamistëve kundër alkoolit. Autoritetet po shtojnë trysninë ndaj konsumit të alkoolit me hapa të vegjël, të cilat asnjëherë nuk e joshin vëmendjen e medieve ndërkombëtare.
Një nga hapat e këtillë është edhe ngritja e tatimeve për pijet alkoolike. Turqia sot është një nga shtetet, në të cilat duhet të paguhet mjaft, për të pirë një birrë. Birra më e lirë në dyqan kushton rreth 1.15 euro, e që është mjaft shtrenjtë për një turk me të ardhura mesatare. Tatimi në birrë u ngrit nga 18 për qind, sa ishte në vitin 2002, në 60 për qind në vitin 2009. Çmimi i rakisë, pijes tradicionale alkoolike në Turqi, pothuajse është trefishuar që nga viti 2002.
Ligjet më të ashpra kundër alkoolit rezultuan edhe me ndalimin e reklamimit të pijeve alkoolike.
Megjithatë, ndalesat e tilla nuk vlejnë për lagjet turistike, siç është lagjja Sultanahmet në Stamboll, ku autoritetet nuk dëshirojnë të frikësojnë dhe të ndalin valën e turistëve perëndimor.
Por jashtë Stambollit dhe zonave turistike, nganjëherë është mjaft vështirë të gjesh alkool. Në Denizli, për shembull, ekziston vetëm një lokal i vogël, në të cilin shitet alkooli.
Restorantet, të cilat kanë shërbyer dhe shërbejnë alkool, janë zhvendosur në periferi të qytetit. Se autoritetet turke po synojnë të reduktojnë konsumin e alkoolit, duke ndërmarrë hapa të vegjël, kjo është më se e qartë. Por duket se këto përpjekje nuk po kanë sukses. Edhe pse konsumi i alkoolit në Turqi ende mbetet i ulët, pasi që rreth 65 për qind e turqve nuk e konsumojnë fare alkoolin për arsye religjioze, megjithatë, sipas autoriteteve, konsumi i alkoolit nga viti 2003 deri në vitin 2009 është dyfishuar dhe arrin në një miliardë litra në vit.
Kjo me gjasë ndërlidhet me faktin se qeveria e kryesuar nga AKP-ja ka një kundërshtar mjaft potent: ato qytete, të cilat kryesohen dhe administrohen nga partia sekulare në opozitë, CHP.
Përderisa në lagjet e Stambollit, të kryesuara nga AKP, pronarët e dyqaneve po përballen me probleme nga më të ndryshmet, në lagjet e udhëhequra nga opozita është shtuar dukshëm numri i lokaleve dhe i bareve të reja, të cilat shërbejnë alkool. Në lagjen sekulare, Kadikoj, sot ka shumë më tepër lokale dhe bare se sa në të kaluarën. Këtu gjithnjë e më shumë njerëz po pinë sasi gjithnjë e më të mëdha të alkoolit-birrë apo raki, e gjithnjë e më shpesh edhe verëra të mira dhe të shtrenjta.