RCCOLA

Loja e kotë me simbolika

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Nga Imer Mushkolaj – Askujt nuk i hyjnë në punë lojërat simbolike e populiste as të Vjosa Osmanit, as të Albin Kurtit. Nuk përmirësohet jeta e qytetarëve nëse e para zhvendos fotografi, e i dyti luan me flamuj. Ata duhet të merren me punë e zgjidhje problemesh, jo me simbolika boshe.

Të parën punë që Vjosa Osmani e bëri në zyrën e kryetarit të Kuvendit ishte zhvendosja e fotografisë së presidentit Hashim Thaçi dhe vendosja në vend të saj e fotografisë së ish-presidentit Ibrahim Rugova. Gruaja që përfaqëson LDK’në në pozitën më të lartë institucionale nuk u tregua aspak institucionaliste, çfarë kjo parti pretendon të jetë. Përkundrazi, veprimi i saj shfaqi një qasje inatçore e hakmarrëse. Një veprim që nuk i takon një politikani a politikaneje të pjekur. Veprimin e saj Osmani u përpoq ta arsyetojë, duke thënë se frymëzohej nga Ibrahim Rugova dhe se dëshironte që çdo mëngjes, pra, të frymëzohej nga fotografia e tij. E para e parlamentit po fliste thua se bëhej fjalë për dëshira të saj personale, e jo si mbajtëse e një posti të rëndësishëm.

Nëse dëshiruaka të frymëzohet nga kushdoqoftë, pse jo edhe nga Rugova, fotografinë e tij mund ta mbajë në shtëpi. Mund ta mbajë në tavolinë, edhe në kuletë. Por kurrsesi të bëjë të tilla veprime populiste, nën arsyetimin se i njeh mirë ligjet.

Në këtë rast nuk bëhet fjalë thjesht për fotografinë e një emri të përveçëm, siç është Hashim Thaçi. Bëhet fjalë për Institucionin e Presidentit. Nesër Thaçin e zëvendëson dikush tjetër dhe me logjikën “institucionaliste” të Osmanit duhet larguar ose zhvendosur edhe fotografinë e tij. Sepse zonja nuk ia del të frymëzohet sa duhet në punën e saj të përditshme.

Karrierën e vet Osmani e ka ndërtuar kryesisht mbi kundërshtimin ndaj emrit të Hashim Thaçit dhe të Isa Mustafës. Nuk na kujtohet të ketë arritur ndonjë sukses tjetër, si njohëse e mirë e ligjeve. Madje ka njohur dështime, siç ishte shkelja e kushtetutës nga ish-presidenti Fatmir Sejdiu, këshilltare e të cilit ishte, si dhe dështimi në Gjykatën Kushtetuese në rastin e VLAN’it. Sa për kujtesë, Hashim Thaçin president e ka zgjedhur edhe partia e saj, LDK’ja.

* * *

Lojën me simbole e simbolika e ka për qejf edhe kryeministri i ri. Albin Kurti nuk shkoqet nga populizmi, duke bërë lojëra me flamurin kuq e zi. Ai e di, siç e dinë të gjithë qytetarët se cili është flamuri i Kosovës, ai që Kurti dikur e quante flamuri “lara-lara”. Ai e di, siç e dinë të gjithë qytetarët se publikisht kishte deklaruar se flamurin kuq e zi, që zyrtarisht është flamur i Republikës së Shqipërisë, do ta mbante në zyrën e partisë, kurse në zyrën e kryeministrit atë të Kosovës.

Mobi Casa

Albin Kurti është kryeministër i Kosovës, vendit që e ka shpallur pavarësinë bazuar në propozimin gjithëpërfshirës të Marti Ahtisaarit, vendit që e ka shpallur pavarësinë përkundër skepticizmit të Kurtit se një gjë e tillë do të mund të ndodhte.

Kurti tashmë nuk është në opozitë, nuk është kryeministër vetëm i votuesve të Lëvizjes Vetëvendosje, por i të gjithë qytetarëve të Kosovës, andaj nuk mund të sillet si të jetë ende opozitar. Ai duhet ta ketë të qartë se simbolet e shtetit duhet respektuar, pavarësisht dëshirës së tij dhe të të jerëve që ato të ndryshojnë. Por, deri sa të ndodh ndryshe, nuk ka nevojë për kurrfarë lojërash të kota, që zhvendosin fokusin nga problemet e vërteta të qytetarëve.

Kurti nuk i ka fituar votat me premtimin për bashkimin kombëtar, as për përdorimin e flamurit kuq e zi. Njerëzit në masë të madhe e kanë votuar atë për zotimet se do ta luftojë krimin e organizuar e korrupsionin, se do të vendos shtet ligjor, do të përmirësojë sistemin arsimor e shëndetësor. Andaj presin nga ai që t’i përmbush premtimet. Përtej shkeljes së shumë parimeve të proklamuara, Kurti duhet të ballafaqohet me sfida të vërteta e të shumta që ia kanë lënë tarshëgim ata që e kanë udhëhequr vendin për gati dy dekada.

* * *

Nuk përmirësohet jeta e qytetarëve të vendit nëse Vjosa Osmani zhvendos fotografinë e Hashim Thaçit. As njerëzit jetojnë më mirë nëse Albin Kurti fotografohet në ambientet e kryeministrisë para flamurit kuq e zi.

Nëse Albin Kurti e Vjosa Osmani në sytë e qytetarëve shihen si dyshe politikanësh që mund të inicojë ndryshime për të mirë, atëherë ata duhet të merren me çështje praktike, e jo me simbolika boshe. Për fillim, Kurtit i takon të gjejë zgjidhje për të dalë nga situata që, siç po kërkojnë amerikanët, të heq taksën, por të mos vendos reciprocitet me Serbinë. E Osmanit të dinamizojë punën në Kuvend dhe të shtyjë përpara miratimin e ligjeve aq të nevojsjme dhe monitorimin e zbatimit të ligjeve të tjera. Punë e zgjidhje konkrete të problemeve. Gjithçka tjetër është humbje kohe.