Fundamenti

Loja e dobët e Mustafës

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Nga Leonard Kerquki – Isa Mustafa në vend se të bëhet opozitë e Hashim Thaçit, ka zgjedhur të bëhet opozitë e Atifete Jahjagës. Edhe ky një aksion i dështuar politik i tij, si shumë të tjerë prej që mban pozitën e Liderit të Opozitës.

Arsyeja kryesore pse Isa Mustafa ngadhënjeu përballë Fatmir Sejdiut në Kuvendin e fundit Zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës është kundërshtimi që ai u bënte politikave të Kryeministrit Hashim Thaçi gjatë viteve 2009-2010.

Elektorati dhe anëtarësia e LDK’së, të përbuzur nga Sejdiu, për të cilin ekzistonte përshtypja se po gëlltiste çdo nismë dhe interes të PDK’së së Thaçit, panë te Mustafa njeriun që mund t’ua kthejë atyre dhe partisë dinjitetin e humbur.

Këtë përshtypje ata e shprehën me votë më 7 nëntor 2010, duke zgjedhur Kryetarin e Prishtinës për Kryetar të LDK’së.

Një ditë më pas, gazetat zbardhën me fytyrën e Liderit të ri të partisë së dytë në vend, duke e portretizuar atë si rivalin kryesor të Hashim Thaçit dhe njeriun që do ta kthente LDK’në aty ku kishte qenë para zgjedhjeve të vitit 2007, pra si fituese, si dikur kur atë e drejtonte Ibrahim Rugova.

Madje, disa entuziastë nuk hezitonin ta krahasonin atë me Presidentin Historik.

Por, brenda pak ditësh, Isa Mustafa u përkujdes t’i demantojë krejt ata që menduan se ai është një kundërshtar i fortë i Hashim Thaçit apo lider që shpëton të nëpërkëmburën LDK. Fillimisht dështoi t’i fusë në një listë zgjedhore AAK’në dhe LDD’në, përkundër vullnetit të këtyre dy partive. Refuzoi çdo ofertë të djalit të Presidentit Rugova, Ukës, drejtuar partisë së tij. Ngadalë zbuti fjalorin dhe mbi të gjitha gjatë fushatës elektorale nuk ofroi asgjë për 1001 problemet me të cilat përballeshin dhe përballen qytetarët kosovarë.

Kështu, ai humbi zgjedhjet dhe e çoi LDK’në në opozitë.

Aty ai dëshmoi jo-konsistencë totale në disa prej çështjeve kryesore me të cilat është përballur vendi vitet e fundit, sidomos te dialogu Prishtinë-Beograd, të cilin fillimisht e kundërshtoi, kurse tash e mbështet pa asnjë kusht. Ai nuk arriti dot t’i shndërronte 27 deputetët e tij në ankth të pushtetit. Grupi i tij Parlamentar, nën udhëheqjen e ish-valltarit Ismet Beqiri, nuk arriti asnjëherë t’i “prijë valles së opozitarizmit” – në shumicën e rasteve ata ishin thjesht një nga valltarët e valles së prirë nga Lëvizja Vetëvendosje!

Mobi Casa

Javën e fundit, LDK u përpoq ta ndryshonte këtë situatë, por sërish e huqi çështjen.

Isa Mustafa, në vend se të bëhej opozitë e Qeverisë së Hashim Thaçit, ka zgjedhur të bëhet opozitë e Presidentes aktuale, Atifete Jahjagës. Është absurd vendimi i kësaj partie për t’i bojkotuar të gjitha aktivitetet e Presidentes. Isa Mustafa duhet t’ia kërkojë Hashim Thaçit zbatimin e Marrëveshjes së Prillit e jo Jahjagës – ajo nuk është pjesë e kësaj marrëveshjeje, por produkt i saj. Për më tepër, ajo tashmë e ka vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ia garanton përfundimin e qetë të mandatit, ashtu sikurse ka mbështetjen e pothuajse gjitha zyrave të rëndësishme në Prishtinë.

Por, edhe sikur Jahjaga të ishte pjesë e marrëveshjes apo edhe sikur mos të gëzonte mbështetjen që ka aktualisht, pyetja kryesore që duhet të shtrohet me këtë rast është se cili është përfitimi i LDK’së nga ky aksion i ndërmarrë? Çka ndodh nëse Presidentja e përfill kërkesën e LDK’së dhe jep dorëheqje nga posti që mban? A e ka Isa Mustafa zgjidhjen për një situatë të tillë hipotetike?

Siç dihet, ndryshimet kushtetuese, ku parashihej edhe zgjedhja direkte e Presidentit, janë hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Në këtë situatë, pra nëse Atifete Jahjaga jep dorëheqje, opsioni i vetëm për të mos e lënë vakant pozitën e Shefit të Shtetit është zgjedhja e një Presidenti përmes Parlamentit. Në këtë situatë, natyrisht se Hashim Thaçi, si Lider i shumicës aktuale, do ta zgjidhte Presidentin e tij.

Atëherë cili është qëllimi i Isa Mustafës për ta bojkotuar Presidenten Jahjaga?

Mbase për t’i ndihmuar Hashim Thaçit në dizajnimin e Qeverisë me Aleancën e Ramush Haradinajt.

Personalisht nuk besoj se problemi kryesor i këtij vendi është Atifete Jahjaga.

Problem është korrupsioni, krimi i organizuar, mosfunksionimi i rendit dhe ligjit, keqmenaxhimi i sektorit të shëndetësisë, arsimit…

Si Lider i Opozitës, Isa Mustafa do duhej t’i adresonte këto probleme.