RCCOLA

Lladova përkujton dëshmorët

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Me rastin e 14 vjetorit të rënëve të fshatit Lladovë, në mënyrë të organizuar janë përkujtuar dëshmorët e rënë më 2 prill 1999. Izmi Zeka tha se dëshmorët nuk do të harrohen kurrë. Edhe Lutfi Haziri e Shukrije Ramadani kanë dërguar telegrame derisa Besnik Benz nga shoqata e fshatit “2 prilli” tha se kemi obligim moral, kombëtar e njerëzor që t`i përkujtojmë e nderojmë dëshmorët ashtu siç e meritojnë.

Fshati Lladovë i Gjilanit me rastin e 14 vjetorit të të rënëve më 2 prill 1999 ka përkujtuar dëshmorët dhe ata që u sakrifikuan e u flijuan këtë muaj prilli.

Ndryshe banorët e Lladovës e kanë shënuar këtë përvjetor në mënyrë shumë të organizuar ku pos fjalimeve të zakonshme ata kanë dhënë edhe program të pasur për të pranishmit.

Izmi Zeka nga pushteti komunal tha se dëshmorët nuk do të harrohen kurrë. “Dëshmorët nuk do të harrohen sepse ata janë më meritorët që ne sot po e gëzojmë këtë ditë dhe po kemi mundësi t`i përkujtojmë ashtu siç duhet” tha Zeka.

Zeka tha se institucionet komunale kanë bërë përpjekje dhe janë angazhuar që kjo kategori të jetë përfituese dhe të ketë benificione shtetërore.

Këtë përvjetor me një telegram e ka përshëndetur edhe Lutfi Haziri e Shukrije Ramadani.

RCCOLA

Kurse përfaqësuesi i shoqatës së fshatit Lladovë “2 prilli” Besnik Benz tha se kemi obligim moral, kombëtar e njerëzor që t`i përkujtojmë e nderojmë dëshmorët ashtu siç e meritojnë. “Ne jemi krenar që këtë ditë po e shënojmë me nder e krenari dhe do të jemi kujdestar të përjetshëm për ata që flijuan e nuk janë sot në mesin tonë” tha ai.

Ndryshe sipas Arlind Ajetit veprimtar dhe djali i Ahmetali Ajetit më 2 prill 1999 kanë ra dëshmorë për të mos vdekur kurrë , Ahmetali (Shaip) Ajeti – i lindur më 29.10.1960, udhëheqës i luftës për Liri dhe Pavarësi, inxhinier i makinerisë, profesor i Matematikës, kryetar i fshatit Lladovë. Beqir (Ramiz) Mahmuti -i lindur më 13.03.1953, kontribuues i denjët i luftës për liri dhe pavarësi, një punëtor i zellshëm dhe bashkëfshatar i dashur. Zijadin (Kosum) Mahmuti-i lindur më 22.05.1960, aktivist i luftës për liri dhe pavarësi, një bashkëfshatar i nderuar. Daut (Metush) Mahmuti-i lindur më 14.01.1963, kontribuues i denjët i luftës për liri dhe pavarësi, një punëtor i urtë dhe bashkëfshatar i nderuar. Hevzi (Zekri) Ajeti-i lindur më 15.12.1970, aktivist i luftës për liri dhe pavarësi, punëtor i zellshëm dhe baba i urtë. Ganimete (Zekri) Ajeti-e lindur më 27.03.1977, një vajzë e urët dhe punëtore, pjesë e luftës për liri dhe pavarësi.

Arlindi tha se në këtë datë u maltretuan e poshtëruan shumë bashkëvendës tanë,vetëm pse mbrojtën pragun e shtëpisë së tyre, atdheun e të parëve tanë, tokën e trashëguar.

“Trupi i babait tim Ahmetaliut u zhduk nga forcat serbe në drejtim të panjohur për ne.
14 vite me radhë e presim me ankth lajmin për zbardhjen e fatit te trupit të babait, së paku të kemi një vend ngushëllimi për babanë tonë” u shpreh ai.

Arlindi tha se janë munduar shumë, dhe kanë kërkuar ndihmë nga institucionet tona, nga organizatat e huaja e vendore, por nga 2 Prilli 1999, as një lajm për fatin e trupit të babait nuk e kemi. “Sot e 14 vite me radhë familjet e dëshmorëve të fshatit Lladovë, e ndjejnë veten të braktisur nga institucionet tona, për vendin të cilët dhanë më të dashurit e tyre. Jetojnë në kushte të vështira ekonomike, pa ndonjë ndihmë të merituar, ndihen të keqpërdorur nga politika, të cilët në emër të dëshmorëve siguruan pozitat e tyre” tha ai./rajonipress/