Eko Higjiena

Lista e shpifur

/ 6 minuta lexim
KKVITI

Nga Imer Mushkolaj-As Bujar Bukoshi, as Astrit Haraqija dhe të tjerë si ata nuk lënë gjë keq po që se largohen edhe krejt nga politika. Thjesht, nuk ka nevojë t’i marrin pagat e majme nga paratë tona.

Zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës po ekzaltoheshin në nëntor të vitit 2010, teksa po prezantonin bashkimin me Listën “Ibrahim Rugova”.

Ua thoshte mendja se me përfshirjen e Ukë Rugovës në listën e tyre zgjedhore, do të përfitonin edhe votat e një pjese të madhe të simpatizantëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Megjithatë, hesapet i kishin bërë keq. Ukë Rugova fitoi më se 20 mijë vota dhe u bë deputet, por Lista… e tij iu bashkua Hashim Thaçit në Qeveri.

Kur ishte themeluar, Bujar Bukoshi, i cili me vite nuk po gjente mënyrë që të vinte në pushtet, tha se qëllimi i Listës… ishte shpëtimi i votave të LDK’së. Por, nuk u desh shumë kohë për të kuptuar qëllimin e vërtetë. Pushtetin dhe komoditetin që s’e arriti në LDK po përpiqej ta arrinte nëpërmjet Hashim Thaçit, ndaj të cilit ishte treguar shumë herë kritik.

Një vit e gjysmë mbrapa, një zyrtar i AAK’së akuzoi Listën…, të cilën e quajti “bandë”, se kishte kontrabanduar mandatin e deputetit dhe votat e fituara në emër të AAK’së. Këtë, madje, e cilësoi “kulm të amoralitetit” në politikën kosovare. Por, ky zyrtar po harronte se po aq e pamoralshme ishte edhe përfshirja e një grushti zyrtarësh të Listës… në partinë e tij.

Por, Listës… aq i bënte çfarë thoshin të mashtruarit e AAK’së. Me një mandat deputeti, Ukë Rugova siguroi për subjektin e tij një post zv/kryeministri, një post ministri dhe një zv/ministri.

Por, çfarë i solli Parlamentit të Kosovës Ukë Rugova?

Prej se zuri vend aty nuk iu dëgjua zëri. Thjesht, e merr rrogën dhe hesht. Deputet shembull!

Po në Qeveri, çfarë kualitetesh sollën zyrtarët e Listës…?

Në postin e zv/kryeministrit, ish kryeministri i Qeverisë në Ekzil, Bujar Bukoshi, u caktua përgjegjës për çështje sociale dhe shëndetësore. I rehatuar në kabinetin e Thaçit, ai shfaqej rrallë para mediave dhe kush s’e dinte me çka merrej. Gjithçka po i shkonte për mrekulli, derisa një ditë të bukur Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti ndaj tij aktakuzë për vepra të rënda penale që lidhen me punën e tij disamujore në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.

Dardan Gashi, një ndër kritikët më të mëdhenj të Thaçit, u vu në krye të Ministrisë së Mjedisit, ku i doli punë me eksploatues të zhavorrit e me ligjet për Prizrenin dhe Hoçën e Madhe. Kosova vazhdon të mbetet me nivel katastrofal të ndotjes së mjedisit dhe me planifikim mjedisor kurrfare.

KKVITI

Astrit Haraqija u inkuadrua më vonë në Qeveri. Kumbar i Presidentit Rugova, Haraqija në fillim kishte paralajmëruar se Lista… do t’i kishte dy poste zv/ministrash – atë të Shëndetësisë, ku do të caktohej Fadil Kryezi dhe të Financave e Ekonomisë, ku do të sistemohej Dardan Stublla. Por, planet ndryshuan dhe Haraqija u caktua zv/ministër në Ministrinë e Financave. Çfarë rastësie, ku përmenden financat, aty diku gjendet ose përmendet edhe Haraqija.

Para tre muajsh, Prokuroria e Qarkut në Prishtinë ngriti aktakuzë kundër tij, nën dyshimin se ka shpërdoruar detyrën zyrtare derisa mbante postin e Ministrit të Kulturës. Bëhet fjalë për financa.

Një zyrtar tjetër i Listës…, Ilir Tolaj, tash sa muaj gjendet në paraburgim, i dyshuar për korrupsion, derisa mbante post të lartë në Ministrinë e Shëndetësisë.

Në fillim të javës, kryeministri Thaçi “i liroi nga detyra” Bukoshin e Haraqinë, sipas kërkesës së tyre, deri në përfundimin e proceseve gjyqësore. Në institucione, Lista… tash përfaqësohet me ministrin Gashi e deputetin Rugova. Lista… e shpifur po griset ngadalë.

* * *

Pyetjet legjitime që mund t’i shtrojë secili nga ne është: çfarë humbi Qeveria e Kosovës me largimin e Bukoshit dhe Haraqisë? Çka humbin qytetarët me largimin e tyre? A ju keqësohet apo përmirësohet jeta tyre nga ky veprim?

Është e tepërt të jepet përgjigje në këto pyetje. Përgjigjja më e saktë është se as Qeveria e as qytetarët nuk humbin asgjë. Thjesht, ata u larguan nga poste të shpikura e të shpifura, të cilat iu dhanë për t’ua plotësuar egon e tyre për pushtet, në kuadër të ndarjes së tallit qeveritar. Në qeverisje nuk bënë asgjë të veçantë, për t’u mbajtur mend.

E pas largimit ata, normalisht, thanë se nuk janë fajtorë, gjë që i mbetet drejtësisë ta vërtetojë. Ndërkaq, Haraqija shkoi edhe më larg, duke thënë se dikush po dëshiruaka me çdo kusht që ta largojë nga skena politike, por se ai me politikë do të merret edhe për nja 30 vjet.

“Me siguri se ky do të jetë lajm i keq për servilët, alkimistat, dallkaukët dhe miopët”, theksoi ai.

Nëse Haraqija do t’i kishte sjellë këtij vendi përvoja të mira qeverisjeje, vlera e moral politik, vërtet ky lajm do të duhej të ishte i keq për krejt këta që ai përmend.

Por as ai, as Bukoshi, e as të tjerë si ata që janë me bollëk në Kabinetin Thaçi, nuk lënë gjë keq po që se largohen edhe krejt nga politika. Thjesht, nuk ka nevojë t’i marrin pagat e majme nga paratë tona. Qoftë edhe nëse i takojnë një subjekti politik që mban emrin e ish-presidentit të ndjerë. Si psh. Listës… që ishte dhe vazhdon të jetë e shpifur.