UBT

Lirim Jakupi mohon akuzat

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Në Gjykatën e Qarkut në Gjilan ka vazhduar gjykimi ndaj Lirim Jakupit i udhëhequr nga gjykatësit e EULEX-it ,Vlladimir Mikula, Mariola Pasnik dhe Vllastimir Dimiq. Jakupi ka mohuar të gjitha akuzat.

Për herë të parë në rigjykim është rrëfyer Lirim Jakupi ish luftëtar i UÇPMB-së i njohur me nofkën e luftës “Nazi”.

Jakupi para trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtar të EULEX-it ka rrëfyer për të gjitha akuzat siç i quajti ai të padrejta që po zhvillohen ndaj tij. “Të nderuar gjykatës. I mohojë të gjitha akuzuat që më vihen në barrë. Në ditën kritike për të cilën unë akuzohem fare nuk kam qenë atje, për çka kam edhe dëshmitarë” është shprehur Jakupi.

Jakupi pastaj para trupit gjykues ka argumentuar se ditën kritike ka qenë në tjetër vend dhe jo ashtu siç akuzohet dhe përshkruhet në aktakuzë. Pas rrëfimit të Jakupit tani mbetet që mbrojtja dhe prokurori ata thonë fjalën përfundimtare. Avokati mbrojtës i Jakupit i cili është i angazhuar sipas detyrës zyrtare Nasuf Nasufi tha për rajonipress se seanca tjetër pritet të mbahet më 9 tetor. “Besoj se jemi kah fundi dhe shumë shpejt pritet të përfundojë edhe ky gjykim” tha Nasufi.

Familjarët e Jakupit thanë se po presin ma padurim fundin e këtij gjykimi maratonik. Sadri Jakupi babai i Lirimit tha se beson tek drejtësia. “Nëse pak ka drejtësi atëherë Lirimi duhet të lirohet nga të gjitha këto akuza” u shpreh ai për rajonipress.

Ndryshe rasti i Lirim Jakupit është kthyer në rigjykim nga ana e Gjykatës Supreme të Kosovës.

Ndonëse, Lirim Jakupi ishte dënuar me gjashtë vite burgim nga ish gjykatësi i UNMIK-ut Vinod Bolello, rasti i tij është kthyer në rigjykim . Ndaj Lirim Jakupit nuk ka aktakuzë shtesë, pos asaj që është ngritur në vitin 2003 nga ana e prokurores ndërkombëtare, Elizabet Ren.

Sipas , Elizabet Renit, Jakupi akuzohet për periudhën e vitit 2003 i cili së bashku me Asllan dhe Rasim Bajramin dhe Basri Xhemailin kanë qenë duke u përgatitur për një akt terrorist në territorin e Serbisë.

Ren e ngarkon, Jakupin edhe si pjesëmarrës në një akt terrorist të kryer në vitin 2003 ndaj dy policëve serb në punktin policor në Konqul të Serbisë .

Fundamenti

Jakupi akuzohet për veprat penale të shtytjes, asistencës apo kryerje të terrorizmit.

Aktakuza e ngarkon Jakupin për periudhën e vitit 2003 i cili së bashku me Asllan dhe Rasim Bajramin dhe Basri Xhemailin, kanë qenë duke u përgatitur për një akt terrorist në territorin e Serbisë.

Jakupi po gjykohet për një rast që është gjykuar në Gjykatën e Gjilanit e ku janë shpallur të pafajshëm Asllan Bajrami, Rasim Bajrami dhe Basri Xhemaili.
Rasti i Jakupit është tejet interesant, meqë ishte arrestuar më 20 dhjetor 2004 nga policia e UNMIK-ut.

Atë kohë Jakupin e bënte përgjegjës prokurorja tjetër , Cecelija Tilliada, dhe e ngarkonte për tri vepra penale të detyrimit , katër vepra penale të rrëmbimit dhe tri vepra penale të shtrëngimit. Jakupi në këtë gjykim u shpallë fajtor së bashku me ish komandantin e UÇPMB-së, Shefket Musliun, dhe mori një dënim unik prej gjashtë viteve burg.

Aktakuza e dytë ndërkaq e ngarkon Jakupin për periudhën e vitit 2003 i cili së bashku me Asllan dhe Rasim Bajramin dhe Basri Xhemailin,kanë qenë duke u përgatitur për një akt terrorist në territorin e Serbisë.

Në gjykimin e grupit të Asllan Bajramit kanë dëshmuar disa dëshmitarë dhe ai së bashku me Rasimin dhe Basriun janë liruar të pafajshëm nga Gjykata e Gjilanit në gusht të vitit 2004 , pasi u publikuan analizat e ADN-së, të bëra në Institutin Kërkimor të Mjekësisë Ligjore në Bullgari të cilat nuk e implikonin këtë grup në aktet terroriste siç saktësonte aktakuza.

Historia e Lirim Jakupit nuk ndalet këtu. Atij Gjykata Supreme e Serbisë i kishte vërtetuar dënimin prej 15 vitesh burg, meqë Gjykata e Vranjës në vitin 2003 , në mungesë e kishte dënuar dhe shpallur fajtor.

Në vendimin e Gjykatës Supreme të Serbisë është thënë se “ Lirim Jakupi ish komandant lokal i UÇPMB-së i cili tani ndodhet në arrati i është vërtetuar dënimi prej 15 vitesh, për shkak të veprimtarisë së tij armiqësore që i përkiste grupit të Shefket Musliut”./rajonipress/