Hidromorava

Lirian Ferati siguroi fitoren e Gjilanit

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Shënues: Hyseni ’56, Ferati ’68 dhe 87 – Kozhani ’48, B. Gashi ‘90+3. Gjilan: Gjilani – Ulpiana 3:2 (0:0).Stadiumi i Qytetit në Gjilan. Shikues: 200 Gjyqtarë: B. Jahmurati, E. Zasella, V. Kelmendi. Kartoni i verdhë: Uka, Ferati, Mueseli, Ajdini (Gjilani) – Potera, Gashi (Ulpiana).

Gjilani: Ajdini, Uka, Rexhepi, Kastrati, Arifi, Hyseni, Bajraliu, Zeqiri (Beqiri), Maliqi, Murseli (Hajdini), Ferati (D. Hasani). Trajner: Sallah Sherifi.

Ulpiana: Kadrioli, Avdyli, Potera, Rrahmani (Veseli), Kelmendi, A. Gashi, E. Gashi, Kozhani, Ademi (Kaleshi), B. Gashi, Buja (Buzuku).

Futbollistët e Gjilanit kanë shënuar fitore të merituar ndaj skuadrës që pretendon pozitë ta lartë në Ligën e parë, pas një loje angazhuese në 45 minutat e dytë. Me këtë fitore gjilanasit tash janë të sigurt në mesin e tabelës dhe më të qetë e presin përfundimin e kampionatit.

Mysafirët në 45 minutat e parë kanë qenë më të mirë dhe patën raste më të mira për shënim, por pak për shkak të neglizhencës së sulmuesve të Ulpianës, e pak të pritjeve të sigurta të Ajdinit nuk kanë arritur të shënojnë gol.

Megjithatë dy skuadrat patën nga një rast ideal për shënim. Ishte Kelmendi që nga e djathta kalon Arifin dhe bukur ka gjetur Kozhanin, që nga afërsia godet fuqishëm, por ishte Ajdini që ka pritur topin duke hedhur mbi portë. Vendasit rastin më të mirë për shënim e patën në minutën e 22, pas harkimit të Zeqirit, Ferati ka dal vetmuar, por nga afërsia dështon të godet topin.

Me të filluar pjesa e dytë mysafirët kanë shënuar përmes Kozhanit, i cili bukur ka reaguar në harkimin e Ademit, duke shënuar gol nga afërsi.
Vendasit pas pranimit të golit me të gjitha forcat orientohen në sulm për të barazuar rezultatin dhe këtë e arrin në minutën e 56, ndërsa shënues ishte kapiteni Hyseni që është gjendur në momentin e duhur pas harkimit të Bajraliut nga këndi duke shënuar gol me kokë nga afërsia.

UBT

Vendasit nuk janë ndalur duke sulmuar dhe golin e dytë e shënojnë në minutën e 68. Bajraliu nga këndi ka goditur thellë në zonë deri te Murseli, i cili kthen në zonë topin deri te Ferati, që me kokë ka shënuar gol mu nga pika e penalltisë për epërsinë e vendasve në 2:1.

Pas pranimit të golit mysafirët me të gjitha forcat hidhen në sulm për të barazuar rezultatin, por pësojnë edhe golin e tretë nga kundërsulmi që e bëri i sapo inkuadruari në lojë këmbëshpejti Hajdini, i cili nga e majta i ka ikur një pozicioni jashtë loje, duke harkuar brenda zonës deri te Ferati që nga afërsia ka shënuar golin e dytë për vete dhe të tretin për Gjilanin.

Kur kishte kaluar koha e rregullt e ndeshjes, në minutën e tretë shtesë, mysafirët kanë arritur të shënojnë golin e dytë, ndërsa shënues ishte B. Gashi që nga afërsia ka shfrytëzuar hutin e mbrojtjes vendase.

Thanë pas ndeshjes:

Sallah Sherifi, kryetrajner i Gjilanit: Mysafirët në pjesën e parë patën dy raste të mira, por për fat tonin nuk i shfrytëzuan. Pranuam gol të shpejtë në pjesën e dytë, por ne shpejt u kthyem në lojë duke shfrytëzuar rastet tona ku arritëm të shënojmë tri herë. Në fund mendoj se fitorja jonë ishte e merituar.

Agron Selmani, kryetrajner i Ulpianës: Ishte atmosferë e mirë e krijuar nga shikuesit e Gjilanit dhe këtë lojtarët e dy skuadrave ditën ta shfrytëzojnë duke shënuar pesë gola. Ne patëm rastet tona nga të cilat shënuam dy, derisa vendasit shënuan pas gabimeve që bën mbrojtësit tanë. Vendasit i uroj për mikpritje dhe për fitore duke i dëshiruar suksese. /rajonipress/