Lindije Vranovci-Matoshi, profili i një gruaje të edukuar, me vizion dhe kulturë politike
Gjilan – Në kohën kur skena politike ka nevojë më shumë se kurrë për qasje njerëzore, komunikim të qytetëruar dhe përfaqësim dinjitoz të grave, zgjedhja e Lindije Vranovci-Matoshi në krye të Forumit të Gruas të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Gjilan vjen si një përzgjedhje e natyrshme dhe e menduar mirë.
E njohur për qetësinë në komunikim, edukatën familjare dhe seriozitetin në angazhime, Lindije Vranovci-Matoshi përfaqëson profilin e një gruaje të arsimuar dhe të formuar mbi vlera qytetare e profesionale. Ajo nuk është zëri i zhurmës politike, por modeli i një qasjeje të matur, ku puna, respekti dhe dialogu ndërtojnë besim e jo përçarje.
Rrugëtimi i saj nuk është ngritur mbi protagonizëm artificial, por mbi një kulturë të ndërtuar familjare dhe një përvojë që reflekton maturi njerëzore dhe përgjegjësi publike. Pikërisht kjo e bën figurën e saj të pranueshme dhe të respektuar në rrethin politik e shoqëror të Gjilanit.
Në mesazhin e saj pas zgjedhjes në krye të Forumit të Gruas, ajo reflektoi një frymë bashkëpunimi dhe respekti institucional, duke falënderuar gratë për besimin dhe duke vlerësuar kulturën politike të bashkëpunëtoreve të saj. Ky komunikim i matur e njerëzor dëshmon se ajo e sheh politikën si shërbim dhe jo si përplasje egoje.
Lindije Vranovci-Matoshi vjen në këtë detyrë në një moment kur roli i grave në politikë kërkon më shumë përfaqësim substancial dhe më pak formalitet. Ajo përfaqëson një brez grash që synojnë të sjellin etikë komunikimi, profesionalizëm dhe unitet në jetën publike.
Me një qasje të afërt me njerëzit, me edukatë të spikatur dhe me gatishmëri për të bashkëpunuar, ajo pritet të jetë një zë i rëndësishëm në fuqizimin e grave dhe në ndërtimin e një fryme më të qytetëruar politike brenda strukturave të AAK-së në Gjilan.
Vranovci-Matoshi falënderon për mbështetjen: “Besimi juaj është motivim për rrugëtimin tim politik”
Kryetarja e sapozgjedhur e Forumit të Gruas në AAK në Gjilan, Lindije Vranovci-Matoshi, ka shprehur mirënjohjen e saj të thellë për mbështetjen dhe urimet e shumta që ka marrë pas marrjes së detyrës së re politike.
Përmes një mesazhi publik, ajo falënderoi miqtë, bashkëpunëtorët dhe qytetarët për fjalët inkurajuese dhe besimin e treguar ndaj saj, duke theksuar se kjo përkrahje përbën një shtysë të fuqishme për angazhimin e saj të ardhshëm në jetën politike dhe shoqërore.
“Të dashur miq, nga zemra ju falënderoj për çdo urim, mesazh dhe fjalë të bukur që ma keni dhënë me rastin e pozitës sime të re në politikë. Mbështetja, dashamirësia dhe besimi juaj më kanë emocionuar pa masë dhe më japin edhe më shumë forcë e motivim për të vazhduar me përkushtim”, ka shkruar ajo.
Vranovci-Matoshi theksoi se përgjegjësinë e re e konsideron njëkohësisht nder dhe obligim, duke premtuar angazhim maksimal në funksion të qytetarëve dhe avancimit të rolit të gruas në shoqëri e politikë.
Ajo po vlerësohet si një figurë me kulturë institucionale, qasje bashkëpunuese dhe profil të përgatitur profesionalisht, ndërsa zgjedhja e saj në krye të Forumit të Gruas në Gjilan është parë si një hap drejt fuqizimit të përfaqësimit të grave në strukturat politike lokale.
Në fund të mesazhit të saj, ajo ritheksoi mirënjohjen për të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë etapë të re të angazhimit publik, duke nënvizuar se besimi qytetar mbetet përgjegjësia më e madhe për secilin që merr rol udhëheqës./rajonipress/


