Limajt s`ia marrin mandatin e deputetit

Kuvendi nuk po merret me mandatin e Deputetit Fatmir Limaj, pavarësisht se ka më shumë se gjashtë muaj që kur ai nuk është paraqitur fare në punë e më shumë se një vit që nuk është aktiv atje. Zyrtarët e Parlamentit thonë se çështja e mandatit të tij po trajtohet si i rast i veçantë meqë mungesat janë pasoje e vendimeve gjyqësore për vënien e masave të sigurisë ndaj tij.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi po e trajton çështjen e mandatit të deputetit Fatmir Limaj si rast të veçantë, duke përjashtuar kështu çdo mundësi që kolegut të tij partiak t’i humb mandati.
Edhe pse ka më shumë se gjashtë muaj që Limaj nuk është dukur fare kah Kuvendi e lëre më të marrë pjesë në punët e tij, për shkak të masave të sigurisë të cilat ia ka vënë Gjykata.
Sipas nenit 70 të Kushtetutës, deputetit që mungon gjashtë muaj rresht në seancat e Kuvendit i humb mandati.
Por, Sekretari i Parlamentit, Ismet Krasniqi tha për Express se ky nen nuk vlen edhe për “rastin Limaj”.
“Shkaku i mosardhjes nuk është Fatmir Limaj por drejtësia, mandati është i deputetit e jo i partisë. Kjo çështje është madhore është objektive dhe për këtë arsye ne nuk jemi marrë me këtë çështje në emër të frymës kushtetuese”, tha Krasniqi për Express.
Pavarësisht kësaj ai nuk ka mohuar që Kuvendi ka bazë ligjore për të proceduar çështjen e mandatit të Limajt edhe pse këtë nuk e ka bërë. “Ne s’po flasim për mundësitë por realitetin. Ai vazhdon me pas mandatin e deputetit të Kosovës dhe shkaqet janë mjaft objektive për mungesën e tij”, tha Krasniqi.
Kryetari i Nën-komisionit parlamentar për mandate dhe imunitete, Armend Zemaj tha se asnjëherë nuk ka pasur kërkesë për të proceduar me mandatin e Limajt.
“Ne kemi një arsyetim për mosardhje ndërsa kërkesa për marrjen e mandatit bëhet ose nga Prokuroria ose nga Kryetari i Kuvendit i cili i adresohet Komisionit për mandate dhe imunitete dhe deri më tani ne nuk kemi as nga Prokuroria por as nga Kryetari”, ka thënë Zemaj për Express.
“Domethënë nëse deputeti e ka paraqit arsyen dhe ajo vlerësohet e arsyeshme nga Kryetari dhe nuk procedohen për interpretim në Komision atëherë do të thotë që iu ka arsyetuar mungesa në trupat e Kuvendit. E këtë rast edhe Kryetari sigurisht e trajton si të veçantë”, ka shtuar ai.
Por për të klasifikuar këtë rast si të veçantë, Kuvendit nuk i është dashur as edhe një shkresë zyrtare.
Ismet Krasniqi madje konsideron se as nuk ka nevojë për një të tillë.
“Zoti Limaj është në arrest shtëpiak kjo dihet botërisht janë fakte të verifikueshme dhe s’ ka nevojë për tjetër dëshmi”, tha ai.
Limaj po gjykohet për dy raste penale- krime lufte dhe korrupsion.(express)