RCCOLA

Limaj nuk përgjigjet në prokurori, hetimet janë të kundërligjshme

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Pas një pauze disamujore, deputetit Fatmir Limaj sërish i është dashur që të paraqitet në Prokurorinë Speciale. Të martën, deputeti i PDK-së u thirr në pyetje nga një prokuror gjerman lidhur me dyshimet për korrupsion, gjatë kohës sa ishte ministër i Transportit dhe Post-Telekomunikacionit.

Në Prokurorinë Speciale të Kosovës, Limaj ka shkuar i shoqëruar edhe nga avokati i tij, Tahir Rrecaj. Limaj ka qëndruar më shumë se dy orë brenda ndërtesës së EULEX-it që gjendet në qendër të Prishtinës. Limaj, edhe pse iu përgjigj ftesës, nuk qe i gatshëm edhe të flasë. Në vend të tij foli avokati Rrecaj.

Prokurori Johannes Picke ka tentuar që ta marrë në pyetje Limajn, por që ky i fundit, sipas avokatit të tij, nuk është përgjigjur. “Ishte edhe një kërkesë e prokurorit që të vazhdojë me marrjen në pyetje të Limajt, por këto hetime ishin të kundërligjshme. Unë i parashtrova arsyet ligjore pse hetimet e mëtutjeshme kundër Limajt janë të kundërligjshme për shkak se hetimi ka përfunduar më 23 prill 2012, prandaj nuk jemi përgjigjur në asnjë pyetje”, deklaroi avokati Rrecaj.

Mobi Casa

Siç shkruan Express, prokurori ka vendosur që të mos e thërrasë më Limajn për ta marrë në pyetje, por ia ka dhënë edhe një mundësi. “Nëse i bie pishman, mund të vish që të përgjigjesh në pyetje”, citon prokurorin, avokati Rrecaj. Prokurori Picke, sipas Rrecajt, i ka zgjeruar hetimet në mars të këtij viti dhe ai hetim ka mundur të përfundojë për veprat e reja të supozuara nga ana e prokurorit vetëm deri më 23 prill, por jo edhe pas kësaj date.

“Nuk ka asnjë mundësi ligjore për shkak se Neni 222 i Kodit të Procedurës Penale e parasheh qartë. Nëse prokurori ka filluar një hetim të ri kundër Florim Limajt, kjo nuk i jep atij të drejtë të vazhdojë hetime edhe kundër personave të tjerë të bazuar në aktvendim që dedikohet për Florim Limajn”’, ka thënë Rrecaj.