Fundamenti

Limaj kërkon 7 milionë euro dëmshpërblim për rastin “MTPT”

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

7 milion euro dëmshpërblim ka kërkuar zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, për procesin e padrejtë gjyqësor ndaj tij në rastin “Kleçka”. Ish-ministri i MTPT-së, Fatmir Limaj, ndaj të cilit të premten përfundoi maratona e procesit gjyqësor, në të cilën akuzohej për krim të organizuar dhe korrupsion, do të kërkojë dëmshpërblim ndaj shtetit edhe për procesin e padrejtë gjyqësor që i është bërë në rastin e njohur “MTPT”.

Krejt kjo, nëse vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila e shpalli Limajn të pafajshëm për të gjitha pikat e akuzave në rastin MTPT, bëhet i plotfuqishëm nga Gjykata e Apelit.

8 vjet të ballafaqimit të tij me padrejtësi, Limaj nuk do t’ia falë akujt.

Mbrojtësi i ish-ministrit të MTPT-së, avokati Tahir Rrecaj, i ka thënë “Arbresh.info” se po pritet që vendimi i Gjykatës Themelore të bëhet i plotfuqishëm dhe pastaj, sipas tij, do të bëhet një padi për dëmshpërblim, ose do të zgjerohet padia ekzistuese që është bërë për rastin “Kleçka”, e cila ka tre muaj që është dorëzuar në gjykatë për kompensim.

“Duhet të presim, sepse ky është një vendim vetëm i shkallës së parë, Prokuroria e ka të drejtën e ankimimit, nëse ankohet duhet me prit vendimin e Gjykatës së Apelit, nëse nuk ankohet brenda 15 ditëve, aktgjykimi bëhet i formës së prerë dhe mund ta bëjmë një padi të re, ose ta zgjerojmë padinë ekzistuese”, është shprehur Rrecaj.

Ai thotë se e sheh më të arsyeshme që të zgjerohet kërkesa e padisë për kompensimin e dëmit material dhe jo material edhe për rastin e MTPT-së, nëse aktgjykimi i këtij rasti, sipas tij, bëhet i plotfuqishëm para se gjykata të vendosë për kërkesë padinë për rastin “Kleçka”. Sistemi i drejtësisë, sipas avokatit Rrecaj, duhet të vetëdijesohet një herë e mirë që të mos akuzojë dhe gjykojë njerëz pa prova dhe fakte.

“Limaj nuk e ka përmendur ende këtë padi, por sigurisht që do të kërkojmë, pasi duhet të disiplinohen dhe vetëdijesohen prokuroritë dhe gjykatat që të mos ngrenë aktakuza pa asnjë provë, siç ka qenë rasti i MTPT-së, por edhe gjykata që e ka autoritetin që në fazat e hershme të vlerësojë se nuk ka prova”, thotë Rrecaj.

Uji Dea

Ai thotë se për të vendosur shifrën e dëmshpërblimit që do të kërkohet si kompensim, mbrojtja do ta bëjë një kërkesë dhe do të angazhohen ekspertë, të cilët do të vlerësojnë se sa është dëmi moral që i është bërë Limajt për këto tetë vjet me këtë rast.
Limaj, në këtë proces gjyqësor ngarkohej nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për krim të organizuar, gjatë kohës sa ishte ministër i Ministrisë së Transportit në vitin 2008.

Bashkë me Limajn, akuzoheshin edhe Shpëtim Telaku, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi e Florim Zuka.

Ndryshe, afër 7 milionë euro është shuma që ish-komandant “Çeliku”, Fatmir Limaj ka kërkuar kompensim nga shteti për procesin e padrejtë gjyqësor ndaj tij në rastin “Kleçka”.

Përballja e tij tri herë radhazi me drejtësinë në rastin “Kleçka”, në të cilin akuzohej për krime lufte gjatë vitit 1999 dhe vërtetimi i pafajësisë, ka bërë që Limaj të kërkojë kompensim dëmi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, e që arrin vlerën 6 milionë e 987 mijë e 314 euro.

Kjo padi erdhi pasi Limaj ka refuzuar ofertën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për dëmshpërblimin e kërkuar për rastin e njohur si rasti “Kleçka”.

Refuzimi i ofertës nga ana e Limajt ka ardhur, pasi shuma e ofruar nga KGJK-ja, nuk arrinte as 1 përqindëshin nga shuma prej 7 milionë që kishte kërkuar.
Oferta e Komisionit për Kompensim të dëmit të KGJK-së ishte në vlerë rreth 7 mijë e 305 euro, shifër kjo që u cilësua si ofertë simbolike nga ana e Limajt.