KKVITI

Limaj i thotë Thaçit: “Kështu nuk shkon më”

/ 4 minuta lexim

Nënkryetari i Partisë Demokratike (PDK), ish-ministri i Transportit, Fatmir Limaj nuk ka kursyer kritikat ndaj kreut të partisë, kryeministrit Hashim Thaçit lidhur me mënyrën si po e menaxhon partinë, por edhe për mënyrën si po e menaxhon shtetin.

“Nuk udhëtohet presidenti dhe kryeministri i shtetit në një vend, ngase ata secili prej tyre e përfaqësojnë shtetin. Këtë më mirë duhet ta dijë protokolli i shtetit i cili është i ngarkuar me një gjë të tillë”, ka thënë Limaj në një debat televiziv të gazetarit Baton Haxhiu në Klan Kosova.

Duke diskutuar përbërjen e gjerë prej 50 vetash të delegacionit të Kosovën në Nju Jork, Limaj u shpreh se kjo është e panevojshme “ngase atje nuk do të ndodhë asgjë me rëndësi për Kosovën”.

Limaj ka qenë kritik veçanërisht rreth mënyrës si po menaxhohet partia. Ai është shprehur se takimi i fundit vjen me një vonesë prej një vit e gjysmë. “Pas një kohe të gjatë, prej ndërtimit të koalicionit e deri tani kryesia nuk është mbledhur për të diskutuar, ashtu si i ka hije një partie serioze e cila është në pushtet, me qëllim që prezantuesit e saj si në ekzekutiv, në legjislativ e kudo tjetër të mbrojnë qëndrime të njëjta. Nga kjo rrjedh edhe ai çakordim i qëndrimeve të zyrtarëve brenda partisë”, ka thënë Limaj.

Ai tha se në takimin e fundit është shfrytëzuar rasti për t’u përgatitur për çështjet e ardhme. “Kritika kryesore ka qenë pse nuk është mbledhur kryesia për një vit e gjysmë”, ka thënë Limaj. Sipas tij, takimet e ministrave në kabinetin qeveritar nuk mund të jenë zëvendësues të takimeve të kryesisë së partisë. Sipas tij, qëndrimet e partisë ndërtohen në kryesi dhe jo gjetkë. Po ashtu, ai është shprehur se në takim është biseduar edhe për bisedimet me Serbinë, për procesin e privatizimit të ndërmarrjeve publike, për mënyrën si të shkohet në zgjedhje etj. Për të gjitha këto, ai ka deklaruar se është krijuar një Komision i veçantë.

Sipas Limajt, dikur partia ka qenë më e disiplinuar në parti, por kjo nuk po ndodhë edhe tani. Për këtë, ai ka fajësuar drejtpërdrejt kreun e partisë, Hashim Thaçin.

“Pse nuk jemi të mbledhur duhet ta pyesni kryetarin e partisë”, ka deklaruar ai, duke shtuar se ”tani e tutje nuk mund të vazhdohet kështu”.

Mobi Casa

“Natyrisht jam i zhgënjyer në kryetarin e partisë, i cili nuk e ka mbledhur kryesinë, kur dalin njerëz të cilët flasin në emër të partisë, pa pasur një qëndrim të kryesisë së partisë. Ne kemi përgjegjësi ndaj votuesve, prandaj askush nuk mund të flasë në emër të partisë, pa pasur një qëndrim zyrtar të partisë”, ka thënë Limaj.

Ai është shprehur se në parti duhet të ketë më shumë demokraci të brendshme. “Unë besoj se në këtë parti kemi investuar çdo gjë, e kemi themeluar atë, i kemi humbur zgjedhjet disa herë me radhë e pastaj i kemi fituar ato dhe unë e kam parë këtë parti si fëmijën i cili rritet ngadalë dhe nuk dua që partia ime të vjen deri te një degjenerim i tillë sa nuk dihet kush pyetet në atë parti”, ka thënë Limaj.

Ai është shprehur se lufton që PDK të jetë “jo vetëm parti liderë me vota, por parti lidere edhe me demokraci”.

Limaj ka mbrojtur edhe një herë qëndrimin e tij për modelin “një anëtar, një votë” për zgjedhjet në kuadër të partisë. Po ashtu është shprehur kundër kooptimeve në parti, por është shprehur pro futjes së njerëzve të rinj në rrugë demokratike përmes votës së anëtarëve të partisë.

Rreth organizimit të kongresit të ardhëm, Limaj është shprehur se “PDK nuk ka më nevojë për improvizime, prandaj nuk duhet një kongres vetëm për sy e faqe, por një kongres i vërtetë”.

Ai ka kritikuar edhe mënyrën si po rrjedh procesi i privatizimit të ndërmarrjeve publike në vend, duke cekur se kjo po bëhet pa një strategji të caktuar dhe për më tepër pa debat partiak, e madje as parlamentar. Si shembull të keq të privatizimit ai ka përmendur distribucionin e KEK-ut.

Ai edhe njëherë është shprehur kundër koalicionit me Aleancën për Kosovën e Re, derisa e ka quajtur të pamoralshme mënyrën e prishjes së koalicionit me LDK-në.