Uji Dea

Limaj: Dua gjykim të shpejtë dhe të drejtë

/ 9 minuta lexim

Pas deklarimeve të pandehurve, Gjykatësja ka thënë deri më 10 maj ka kërkuar nga palët të deponojnë referencat e mospranimit të aktakuzes.

“E deri në atë datë mbrojtja dëshiron të paraqesë kundërshtimet e tyre në lidhje me aktakuzën, pastaj prokuroria do të shërbehet me mocionet e mbrojtjes. Mandej prokuroria do të ketë 7 ditë për t’u përgjigjur dmth kjo deri 17 maj, parashikoj që seanca e dytë do të jetë më 20 maj”, tha Gjykatësja.

Por, 20 maj doli te jete një datë kur Limaj do të përballet me drejtësinë në një gjykim tjetër.

“Me 20 maj e kemi rastin Kleçka”, tha avokati i Limajt, Tahir Rrecaj.

“Unë duhet të caktoj këtë seancë por prezenca juaj nuk është e obligueshme”, i tha gjykatësja avokatit.

Gjyqtarja tha se shqyrtimi kryesor mund të mbahet në shtator.

Por, me këtë nuk u pajtua Fatmir Limaj.

“Nuk duhet të predikojmë çka do të ndodh, mos u shqetësoni për dy rastet e mia, unë jam i gatshëm të jem çdo ditë në gjykatë në dy rastet veç me ardhe deri te e vërteta. Qe pesë vjet familja ime torturohet me këto perralla. Kam drejt për gjykim sa më të shpejtë e të drejtë e jo të paragjykuar, ti lëmë të flasin faktet. Unë mendoj që datën 23 maj e kemi të lirë. Nëse pajtoheni të gjithë për ne është e përshtatshme me shku ne shqyrtimin e dytë, por shtatorin harrojeni”, tha Limaj.

Me pas Gjykatësja ka kërkuar një pauze të shkurt për t’u konsultar rreth datës se mbajtjes se seancës së dyte.

Pas konsultave, Gjykata vendosi qe seanca e dytë dëgjimore të mbahet më 17 maj në ora 9:30. Me këtë edhe mori fund kjo seancë.

Limaj: Jam i Pafajshëm

Pas përfundimit të leximit të aktakuzës nga prokurori, seanca po vazhdon me deklarimin e shtatë të pandehurve rreth fajësisë së tyre.

I pari u deklarua Fatmir Limaj.

“Unë deklarohem i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës dhe pres që në shqyrtimin e dytë me argumente t’i kundërshtoj të gjitha pikat e aktakuzës përveç me shkrim edhe me gojë dhe gjithashtu shpresoj të kem kohë të mjaftueshme për këtë”, tha Limaj.

Express sjell edhe deklarimet e të pandehurve të tjerë

Florim Limaj: I pafajshëm, çkado që kam për të thënë e kam avokatin tim.

Demir Limaj: Absolut i pafajshëm dhe për pikat që ka ngrit prokurori ato kanë bazë legale dhe institucionale por këto si duket nuk kanë mjaftuar provat për mbrojtjen time unë do të sjell provat juve e nderuar gjykate se janë ligjore dhe institucionale.

Endrit Shala: Absolutisht i pafajshëm dhe në seancën e dytë së bashku me avokatin do të sjell provat që kundërshtojnë pikë për pikë aktakuzën e prokurorisë, të cilat i ka edhe prokuroria po s’ka dashtë me i fut provat fajësuese edhe shfajësuese.

Nexhat Krasniqi: I kundërshtoj të gjitha pikat e aktakuzës dhe deklarohem absolutisht i pafajshëm.

Florim Zuka: Plotësisht i pafajshëm dhe do te kundërshtoj të gjitha pikat e aktakuzës në seancat e radhës.

Gani Zogaj: Deklarohem absolutisht i pafajshëm dhe çka ka të bëj me mua është vetëm një keqkuptim i madh që më ka sjell mua këtu, keqkuptimi ka ndodh pëer shkak se ne kemi marr konfirmim prej EULEX që të marrim konfirmim të ministrisë që të hapet serveri i ministrisë në mungesë të urdhrit për shkrim.

Prokurori: Limaj nuk deklaroi paratë e fushatës

Prokurori duke folur për mosdeklarimin e pasurisë së përdorur gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2007, kur Limaj ka garuar për kryetar të Prishtinës, ka thënë se Ibrahim Bislimi, pronar i “Bimbo gmbh”, me seli në Gjermani, dhuroi pesë mijë euro për fushatë të Limajt.

“Paratë janë pranuar në llogarinë e Limajt, përshkrimi është ‘për fushatë’. Endrit Shala ka shërbyer si menaxher i fushatës së Limajt në atë kohë. Limaj këto para nuk i ka deklaruar për fushatë në institucionet shtetërore edhe pse garonte për post politik”, ka thënë prokurori.

Prokuroria prezanton transferet e parave

Në pikën 140 prokuroria prezanton transferet e parave nga llogaria e Demir Limajt për mbrojtjen e Fatmir Limaj gjatë gjykimit të tij në Hagë.

Shumat e prezantuara që arrijnë në qindra mijëra thuhet të jenë transferuar në llogarinë e avokatit te Limaj, Karim Khan në Holandë.

Prokurori është duke vazhduar me leximin e pikave të aktakuzës që flasin për mjetet e transferuara nga llogaria e Limajt për shërimin e gruas se tij te ndjerë, Zahrije Limaj.

Vazhdon seanca kundër Limajt

Ka filluar pjesa e dytë e seancës.

Mobi Casa

Prokurori është duke vazhduar me leximin e aktakuzës.

Përfundon pjesa e parë

Prokurori ka vazhduar me leximin e pikave të aktakuzës. Aktualisht ka mbërritur në pikën 120, ndërkohë që deri më tani përmbajtja e këtyre pikave ka të bëjë me sms’at e shkëmbyer mes përfaqësuesve të kompanisë ‘Tali’ respektivisht Florim Zuka dhe asistentit te ish-ministrit Limaj, Endrit Shala. Si dhe disa sms të shkëmbyer mes përfaqësuesit te kompanisë ‘Intereuropa’, Mehmet Shkodra dhe përfaqësuesve të Ministrisë, përfshirë edhe Fatmir Limaj.

Ndërkohë, Endrit Shala ka ndërprerë prokurorin gjatë leximit të aktakuzës duke u ankuar në fjalët që ai po i lexon si të tijat të shkruara në sms.

“Prokurori me qëllim po përdor gjuhën angleze në sms me ndiku te gjyqtarja. Unë s’kam përdor fjalë të tilla”, tha Shala.

Mirëpo, gjyqtarja e ndërpreu fjalën e tij duke thënë se pas leximit të aktakuzës do ta kenë mundësinë e kundërshtimit.

Edhe Avokati mbrojtës, Arianit Koci është ankuar për versionin anglisht te sms-ve.

“Fjala dreq nuk do të thotë fuck”, tha Koci.

Në bazë të aktakuzës së lexuar, prokuroria njofton se përmbajtja e sms’ave të kthyer nga Limaj nuk është zbuluar në disa raste akoma. Ndërsa, sms’at kanë të bëjnë me tenderin e Ministrisë së Transportit të fituar nga Kompania ‘Tali’.

Ne orën 12:30, gjyqtarja ka vendosur për pushim e drekës. Pas një ore e gjysmë vazhdon pjesa e dyte e seancës.

Përplasen Mbrojtja me Prokurorinë

Seanca e radhës ndaj Fatmir Limaj dhe gjashtë të tjerëve që dyshohen për krim të organizuar dhe korrupsion, ka nisur sot me përplasjen e avokatit Tomë Gashi dhe Prokurorit të EULEX’it që udhëheqë me hetimet.

Gashi është ankuar në Gjykatë për siç tha presion te jashtëligjshëm që prokurori po bën ndaj tij dhe ekipit mbrojtës te Limaj.

“Dua t’iu njoftoj për një shkresë që prokurori e ka dërguar në OAK për të ndaluar avokatëve të Fatmir Limajt që të deklarohen se rasti i Limajt është politik. Ky është rast politik”, tha Gashi.

Ndërsa, Gjykatësja Ana Adamska Gallant tha se ky nuk është rast politik as jopolitik por rast që është sjellë në gjykatë për t’u zgjidhur.

Tomë Gashi është kundërpërgjigjur sërish duke thënë se Kushtetuta na lejon lirinë e shprehjes dhe asnjëri prej të pandehurve nuk është shpallur fajtor.

“Prokurori të mos tenton asnjëherë në jetën e vet me bë presion kundër meje apo avokatëve të Fatmir Limaj derisa ky vend është i lirë dhe kemi kushtetute. Ky shtet nuk është i okupuar prej EULEX’it as kurrkujt. Ka Zot në këtë shtet dhe ka Kushtetutë. EULEX’i është këtu për me na ndihmu jo me bë presion. Prokurori ka thënë që është gjerman, unë jam avokat shqiptar e une po i them le të dëshmon se ne Gjermani mundet me bë kësi lloj presioni edhe unë ka me pranu që kam gabu”, tha Gashi.

Gjykatësja reagoi sërish.

“Unë jam gjyqtare e EULEX’it dhe une nuk e ndjej veten si okupatore, por këtu jam për të vendosur drejtësi”, tha gjykatësja.

“Pikërisht për këtë thash që ky vend është liruar që nga qershori 1999, asaj kohe prokurorët serb e kanë quajtur terrorist e unë e kam mbrojtur si çlirimtar ndërsa s’kam pas kaq presion”, tha Gashi.

Reagoi edhe Prokurori.

“Prokurorët ndërkombëtar janë krenar të jenë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës dhe janë në gjendje të ndihmojnë qytetaret e Kosovës që të pastrojnë vendin prej krimit te organizuar dhe korrupsionit. Duke mos iu adresuar gjykatës, sepse e njoh ligjin, prokuroria do të vazhdojë me leximin e aktakuzës sepse është e drejtë për opinionin dhe të gjithë të dinë. Dhe nuk lejojmë më ndërprerje tjera”, tha prokurori.

Gjykatësja urdhëroi leximin e aktakuzës, gjë të cilën edhe po e bën prokurori.

Limaj në Gjykatë, fillon seanca

Fatmir Limaj ka mbërritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Seanca ka filluar.

Vazhdon seanca kundër Limajt dhe të tjerëve

Sot vazhdon seanca ndaj Fatmir Limajt, Demir Limajt, Florim Limajt, Endrit Shalës, Nexhat Krasniqit, Gani Zogajt e Florim Zukajt lidhur me akuzat që rëndojnë mbi ta në rastin e Ministrisë së Transportit dhe Post Telekomit (MTPT).

Seanca për deputetin nga Partia Demokratike e Kosovës në pushtet, Fatmir Limajn, ka filluar të hënën me leximin e akuzave për të dhe të pandehurit e tjerë. Leximi i akuzës do të vazhdojë edhe të mërkurën me pjesën arsyetuese të saj.

Mbi Limajn dhe të tjerët rëndojnë këto vepra penale: Krim i Organizuar, shpërlaje parash, armëmbajtje pa leje, shpërdorim i detyrës zyrtare, përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, lidhje e kontratave të dëmshme, marrje e ryshfetit, dhënie e ryshfetit, keqpërdorim i autorizimeve të ekonomisë, pastrim parash, pengim i provave si dhe mosdeklarim i parave gjatë fushatës.(express)